Varrime alternative

Pylli i paqës
Pylli i paqës

Pylli i paqes dhe druri i jetës
Praktika e re gjermane e zvicerane e varrimit ekologjik

(be) Zvicër, me 08.04.2020

Në këto kohë të koronavirusit të mendosh për vdekjen është gjëja më e natyrshme. Grupi më i rrezikuar nga kjo pandemi e frikshme është mosha e tretë, nga 65 vjeç e tej. Për një mërgimtar të kësaj kategorie, ndërkaq, mund të paraqitet edhe një problem real dhe një kokëçarje jo e vogël: ç’do të ndodhë me kufomën e tij në rast se vdes? Vende, kombësi dhe komunitete fetare kanë rregulla strikte, udhëzime e ndalesa të ndryshme lidhur me mënyrën e varrimit. Mirëpo rasti tragjik i veriut të Italisë, për shkak të numrit të jashtëzakonshëm dhe të menjëhershëm të vdekjeve brenda njësive kohore, nxori edhe një problem të ri në sipërfaqe: krizën për një vend varri. Para ca ditësh TV-Klan-Kosova informoi edhe për një problem tjetër që ka nxjerrë krye në këtë situatë për mërgimtarët: vështirësitë e transportit dhe çmimet e larta për përcjelljen e arkivolit me të vdekurin për në vendlindje, që shkonin deri në 5 mijë euro. Ky fakt më nxiti të bëj kërkime për ndonjë zgjidhje alternative, më të favorshme dhe më pak të kushtueshme, për përcjelljen e të dashurve tanë në banesën e fundit. Dhe nuk mu desh të kërkoja shumë. Praktikat zvicerane e gjermane të varrimeve ekologjike pyjore ishin një befasi interesante që më zgjuan kureshtjen.

Në Gjermani e në Zvicër është e lejuar me ligj dhe e aprovuar edhe nga kishat, mundësia e kremacionit (djegies së kufomës). Kjo praktikë në disa rajone është kthyer në një dukuri masive. Psh. sipas një raporti zyrtar, në qytetin e Churit, në Graubünden të Zvicrës, në vitin 2016, plot 88% e të vdekurve ose të familjarëve të tyre, kishin zgjedhur kremacionin si mënyrë varrimi. Vetëm 12 për qind kishin zgjedhur varrimin tradicional në gropën e varrit.

Ky lloj «varrimi» ka disa përparësi kundrejt varrezave tradicionale: është më ekonomik, më ekologjik dhe më racional, pa e përjashtuar aspektin memorial e spiritual.

Si është procedura?
Pas djegies në krematorium, hiri i kufomës futet në një enë – urnë. Më pas urna me hirin trajtohen në mënyra të ndryshme: 1. Hiri mund të futet brenda një guri me madhësi të një tulle, apo pak më të madh, dhe pasi t’i gdhendet emri i të vdekurit, vendoset në ndonjë vend të përshtatshëm, sipas përzgjedhjes së familjarëve. Një mundësi tjetër është që të dërgohet në një ndërmarrje të specializuar për ta kthyer atë në diamant, mirëpo kjo procedurë është goxha e shtrenjtë dhe nuk e përballon gjithkush. Një diamant, ndërkaq, ka përparësi emocionale, pamore e hapësinore, por edhe rrezik abuzimesh.

Lisi Tomës nga Theranda
Lisi Tomës nga Theranda

Gjithsesi, sa u përket mërgimtarëve, mendoj se metoda më e thjeshtë do të ishte që hiri i urnës të dërgohet në vendlindje. Kjo mund të ndodhë edhe shumë kohë pasi të ketë kaluar kjo krizë pandemike, sepse një urnë nuk shkakton shqetësime apo ngarkesa hapësinore për askënd, qoftë edhe brenda banesës. Pasi të shkojë në vendlindje, familjarët mund të zgjedhin një lis, në rrënjët e të cilit do të hedhin hirin, sipas rastit, qoftë edhe pas një gërmimi të cekët.

Në trungun e lisit do të vendoset një pllakëz e vogël metalike me emrin e personit apo personave të «varrosur» tek rrënjët e tij, ose, në rast vështirësish, do të gdhenden inicialet e të vdekurit direkt në lis, pa e dëmtuar shumë. Këtij lisi më pas mund t’i bashkohen edhe të vdekur të tjerë familjarë, psh. bashkëshortja dhe fëmijët. Lisi preferohet të jetë jetëgjatë dhe jashtë rrezikut për prerje. Zgjidhja më e drejtë do të ishte që kryetari i bashkisë të ndante një parcelë pyjore nën mbrojtje të veçantë, të destinuar vetëm për varrime të këtilla ekologjike. Kjo hapësirë do të duhej të ishte nën kujdesin bashkiak dhe jo të ndonjë komuniteti fetar (për të evituar synimet e mundshme monopoliste e përjashtuese kundrejt kategorive të caktuara të qytetarëve). Çfarëdo veprimi që do të dëmtonte mjedisin e natyrshëm ekologjik pyjor do të ishte i ndaluar (psh. vendosja e luleve apo kurorave e zbukurimeve të tjera prej plastmasi e metalike). Mund të lejohen vetëm tufa lulesh natyrale e të degradueshme, pa asnjë mbështjellje apo ambalazhim. Kompleksi, normalisht, do të duhej të kishte ndonjë pllakë shenjuese, siç tregon praktika zvicerane, me emërtimin «Paqja pyjore» (Waldfrieden) ndërsa diku edhe «Pylli i paqes» (Friedewald) të shoqëruar me një numër rendor, dhe do të mbahej nën përkujdesje të veçantë për mosdëmtim nga kusarët e pyjeve. Për këtë shkak mund të kërkohej nga të interesuarit një tarifë modeste. Madje secilit lis mund t’i caktohej një çmim i caktuar me të cilin ai do të kalonte në pronësi (fiktive), ose më saktë, nën qira të familjarëve për 90 vjet (siç është në Zvicër).

Në varrimet këtilla ekologjike pyjore lejohet të ushtrohen edhe ceremoni me lutje fetare të çdo religjioni, po edhe ceremoni laike me fjalime e me muzikë funebre.

Druri i jetës

Si alternativë për drunjtë memorialë brenda një pylli ekziston edhe një zakon tjetër i përhapur kohët e fundit në gjithë Evropën: Tree of life (Druri i jetës).
Druri i jetës është një alternativë ekologjike kundrejt varrimit në varreza.
Hiri i të vdekurit vendoset nën rrënjët e një druri të ri që do të mbillet, i zgjedhur prej familjarëve. Kjo punë mund të bëhet fillimisht edhe në parcelat e kopshtarëve profesionistë, të cilët më pas do t’ua dorëzojnë drurin familjarëve për ta mbjellë në vendin që dëshirojnë.

Druri i jetës
Druri i jetës

Druri i jetës mund t’i plotësojë njëherësh tri dëshira, të cilat nuk plotësohen dot në varrezat tradicionale:

Përmes rrënjësh të një druri hiri i të vdekurit i kthehet mbrapsht menjëherë dhe në mënyrë kreative ciklit biogjeokimik të materies planetare.
Prehjen e fundit i vdekuri mund ta kalojë pikërisht në vendin që ka dashur dhe preferuar gjatë jetës së tij.
Dhe së fundi, Druri i jetës bën të mundur që i vdekuri ta ndjejë afërsinë e të afërmve dhe më të dashurve të tij edhe më tej.

Mendoj se kjo mënyrë «riatdhesimi» e të dashurve tanë të vdekur në mërgim do ta lehtësonte e do të hiqte një barrë të rëndë nga shpina e familjarëve të tyre mërgimtarë. Psh. gjatë kësaj pandemie, që kushedi sa mund të zgjasë, një kremacion i mundshëm do t’i kursente ata jo vetëm nga procedurat e ndryshme të përgatitjes e të përcjelljes së kufomës, po edhe nga ndonjë transmetim virusi në rrugë e sipër, i cili, sipas disa parashikimeve mund të jetë i pranishëm midis nesh edhe për muaj e vite të tëra. Mirëpo edhe pasi të jetë zhdukur virusi, kjo mënyrë trajtimi do të paraqiste një lehtësim, jo vetëm për pasardhësit tanë në mërgim, po edhe për hapësirat përherë e më të ngushta të varrezave tona në vendlindje. Madje kjo mënyrë varrimi mund të ishte e rekomandueshme edhe për vetë qytetarët e hapësirës sonë nacionale. Mirëpo kësaj duhet t’i paraprijë instalimi i krematoriumeve, së paku në disa qendra spitalore të vendit. Ndoshta do të duhej edhe ndonjë vendim përkatës që do ta quante të lejueshme këtë metodë edhe nga bashkësitë përkatëse fetare, myslimane e të krishtera.

Kremacioni dhe traditat tona fetare

Pylli i paqës
Pylli i paqës

Nuk e di qëndrimin që kanë ose që mund të mbajnë bashkësitë tona fetare të krishtera, myslimane apo bektashie lidhur me kremacionin. Shpirti i njeriut, që nga lashtësia, perceptohet si një frymë e burgosur në trupin apo koracën materiale të tij,e cila sapo të shuhet jeta, mund të kalojë në ndonjë gjallesë tjetër, kafshë apo njeri (sipas orfizmit antik, metempsikozës, pitagoreanizmit apo reinkarnacionit budist) apo të dalë para gjyqit të zotit, të shpërblehet apo të ndëshkohet në jetën e amshuar (sipas religjioneve abrahamike). Ndërkaq, vetë trupi i kufomës, në kuptimin e besimeve fetare, nuk ka predispozita për t’u ringjallur pos në fantazitë e Dr. Frankenshtajnit të znj. Mary Shelly. Trajtimi i trupit pas vdekjes ka pasur histori të ndryshme në tradita të ndryshme, në të cilat nuk është përjashtuar as edhe djegia në zjarr, kështu që, parimisht, kremacioni nuk duhet të paraqesë probleme për një aprovim të mundshëm nga bashkësitë tona fetare.

Legjenda e lisit të Therandës

Lisi Tomës nga Theranda
Lisi Tomës nga Theranda

Nuk mund të lë pa përmendur edhe një legjendë të bukur nga Theranda, për një varrim të jashtëzakonshëm. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin Lisi i Tomës nga Theranda, për të cilin ekziston kjo legjendë: Para shumë kohësh afër lumit të Therandës paskësh qenë një kështjellë fushore me një zindan, në të cilin midis të burgosurve kishte qenë edhe djaloshi me emrin Tomë, i cili po priste aty ditën e ekzekutimit pasi qe dënuar me vdekje. E bija e komandantit të kështjellës kishte rënë në dashuri me të, në një dashuri të pafatë, të pamundur dhe tragjike. Një ditë para ekzekutimit, djaloshi kishte marrë me vete dy lende lisi dhe i kishte thënë vajzës: Të më varrosni jashtë mureve të kështjellës, buzë lumit. Nën qefin do të mi vendosni këto dy lende. Për tre javë do të vadisësh varrin tim me një shtambë. Pas tre javësh do të kujdesem vetë për veten. Disa javë pas ekzekutimi në vendin ku ishte varrosur Toma mbiu një lis. Lisi me rrënjët në trupin e vdekur të Tomës ishte rritur shumë shpejt për t’u shndërruar në lisin më madhështor të Therandës që mbahet edhe sot. Thuhet se ky lis edhe në ditët e sotme i ndëshkon ata që provojnë ta dëmtojnë, gjë që provon paralajmërimin e Tomës para se të ekzekutohej. Lisi i Tomës është një shembull transformimi e metamorfizimi të pashembullt, pothuajse ovidian, të njeriut në bimë, dhe njëherësh, përmendorja më madhështore që natyra i ka blatuar një të vdekuri. (be)