Vajza e paralizuar e cila i shpëtoi tërmetit

Jurida Greku, 35 vjeçe është një prej të mbijetuarave të tërmetit në Thumanë. Paraplegjike dhe në karrocë, u arrit të shpëtohej nga Arturi, njëri prej dajave.

“Atëherë unë kërkova ndihmë. Thirra dajën, thirra mamin, thirra çdo njeri që kisha nevojë. Në ato momente erdhi daja më mori në krahë. Në mes të korridorit desh na ra tavani në kokë. Aty u trembëm shumë, nuk kishim rrugë-zgjidhje”, rrëfen për tvklan, 35-vjeçarja.

“Shyqyr që nuk m’i zuri. Me vrap ka ikur nëpër shkallë, e ka nxjerrë në oborr, e kemi ulur në karrocë, e kemi mbështjellë me batanije, se ishim siç ishim në gjumë, me rroba gjumi”, thotë nëna e saj, zonja Engjëllushe.

“Më nxori jashtë daja. U mundua shumë. Por edhe jashtë kisha shumë frikë të qëndroja. Ishin shumë cisterna në pallatin tonë. Kam ndenjur me shumë frikë dhe trembje“, tregon Jurida.

Nga çadrat në fushën e sportit në Thumanë, 35-vjeçarja apelon për ndihmë, që t’i zhvendosin nga aty, pasi për shkak të sëmundjes. Jurida ka nevojë për trajtim të specializuar.

“Unë në këtë çadër nuk kam asnjë lloj kushti, nuk kam asnjë lloj ndihme. Kam fjetur në tokë, pa batanije, pa asnjë gjë. Unë i lutem shtetit, i kërkoj ndihmë shtetit. Kam nevojë për kushte, kam nevojë për shtëpi, kam nevojë për gjithçka. Kam nevojë për ndihmë! Edhe mami mundohet shumë pas meje. Nuk ka çfarë të më bëjë. Ka nevojë ta ndihmojnë edhe mamin tim”.

Nëna e saj Engjëllushja, që është përkujdesur gjithë jetën për vajzën e sëmurë, kërkon një strehë me kushte minimale.

“Unë dua sikur një hyrje të vogël, një dhomë, kuzhinë, banjë, korridor. Të ketë dhomën e saj, të ketë rehatin e saj, të ketë krevatin e saj. Ajo duket, shikojeni. Dilni jashtë ju që të ndërroj unë vajzën. Që çfarë fatkeqësie më ka rënë. Unë nuk kërkoj për shembull më nxirr jashtë, as na ço në spital. Nuk kërkoj ndihmë më hip në avion dhe ma ço në filan spital. Unë dua të jetoj me të, kaq i dua shtetit”.