Vaçe Zelës iu dhurua libri “Shqiptarët e Zvicrës -1001 pamje”

Ikonës së muzikës së lehtë shqiptare, që gjendet për shërim në një spital të Bazelit iu dorëzua ky libër monografik, ku artistja jonë brilante prezantohet që nga vizita e parë më 1984 në Zvicër, në kuadër të Ansamblit  të Këngëve dhe Valleve.

 Rexhep Rifati, Bazel, 8 dhjetor

Gjatë kësaj vizite në spitalin e Bazelit, ku gjendet për shërim artistja jonë e madhe, Vaçe Zela, hasëm në kujdesin e vazhdueshëm që po tregojnë për te jo vetëm bashkëshorti Pjetër Rodiqi dhe e bija e saj e mrekullueshme, Irma, por edhe personeli i këtij spitali.

Me rastin e dorëzimit të librit, legjenda e këngës shqiptare dhe familjarët e saj u falënderuan për librin, ku Vaçja, siç edhe meriton, zë vend qendror. Në cilësinë e autorit, shoqërohesha nga Skënder Hajdari, redaktor teknik i librit dhe miqtë e familjes Zela e Rodiqi: Skënder Nikoliqi e Nazmi Jakurti. Me këtë rast asaj i uruam atë që do të ia dëshironte çdo adhurues i saj, shërimin e saj sa më të shpejtë.

Sa herë që përmendet emri i kësaj legjende të këngës sonë e cila muzikën tonë e ngriti në piedestalin më të lartë të mundshëm, nuk kemi si mos të përkulemi para saj. Këtë me vite e bënë edhe vet bashkatdhetarët tanë në Zvicër, kur çdo paraqitje e saj në mesin e tyre, ndonëse më nuk mund të këndonte, nxiste emocione dhe pritej me përzemërsi.

Të kujtojmë vetëm 13 majin e vitit 2010 , kur në një nga godinat reprezentative të Bazelit të Zvicrës, në Shycenhaus (Schützenhaus), u mbajt një mbrëmje e titulluar “Vaçe Zela, larg dhe pranë njerëzve”, që kishte tubuar personalitete të shquara të artit e kulturës shqiptare, të korit diplomatik nga Shqipëria e Kosova në Zvicër, por edhe miq e dashamirë të Vaçes. Me këtë rast qe thënë se nuk mund të flitet për kolosët e kulturës shqiptare pa u përkulur para këtij emri të madh, që për kontributin e veçantë dhënë muzikës, artit e kulturës shqiptare dhe asaj botërore, u nderua me çmimet dhe mirënjohjet më të larta kombëtare e ndërkombëtare.

Duke folur me këtë rast, ish-ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi, tha: Unë vija nga Tropoja, e Vaçja nga Lushnja, por kur e dëgjoje atë, ta prishte gjithë ekuilibrin. Ishe absolutisht në një botë tjetër, sepse absolutisht krijohej një univers tjetër. Vaçen e përjetoj si një engjëll që zbret prej qielli. Sepse, kur njerëzit gjenden para njerëzve të mëdhenj, gjenive edhe gjitha qeniet e përjetojnë një univers tjetër. Edhe në kohën kur ishim studentë fukarenj si edhe shumë studentë të tjerë në Tiranë, kur këndonte Vaçja më parë donim të mbesnim pa bukë, sesa pa e dëgjuar atë për disa net rresht. Në atë kohë qindarkat e fundit i kursenim për ndonjë film, ndërsa për Vaçen shkonim një natë, dy net, tri net…”

 

Në foto:  Vaçe Zela me bashkëshortin, Pjetrin dhe të bijën, Irmën