URIME DITËLINDJA APO URIME DATËLINDJA

Në këto vjetët e fundit mediat sociale, sidomos fejsbuku, instagrami e ndonjë tjetër janë mjetet më të përdoruarat nga njerëz të profileve dhe të profesioneve të ndryshme. Ato janë tepër të ngarkuara dhe vazhdojnë të jenë të tilla me lajme, publikime, komente e mesazhe të ndryshme nga jeta e përditshme e përdoruesve.

 Shkruan Sami ISLAMI, Londër

Në këto media (instagram, fejsbuk etj) një vend të rëndësishëm zënë edhe urimet. Dhe pa dyshim urimi më i frekuentuar është urimi për ditëlindje. Por çuditërisht , shpesh, në këto media, në vend të formës së përdorur tradicionalisht URIME DITËLINDJA po del një togfjalësh tjetër dhe mjaft interesant: URIME DATËLINDJA!

Tani, a duhet t’ia urojmë dikujt datën e lindjes, apo ditën e lindjes?

Edhe pse data e lindjes dhe dita e lindjespërkojnë në një pikë, kur është fjala për rrethanat në të cilat përdoren, ato dallohen për arsye se data zakonisht përdoret për të treguar se një ngjarje (qoftë edhe lindjen e një fëmije), që ka ndodhë në një kohë të caktuar, zakonisht për qëllime biografike ose historike duke e shënuar ditën, muajin dhe vitin (FGJSH, 2006, f.17), kurse, po kjo datë, kur përdoret për qëllime festive përdoret si dita e lindjes nuk themi “urime datëlindja”, por “urime ditëlindja” (Po aty f.17).

Edhe në gjuhët e tjera ndodh e njëjta gjë, pra urohet DITËLINDJA e jo DATËLINDJA. Në anglisht, p.sh. për “ditëlindjen” kemi “birthday”, Në italisht kemi “Il compleano”, në gjuhët sllave (serbe, kroate ) kemi “rođendan”, në gjermanisht “geburtstag”, në frëngjisht “anniversaire” etj.

Në gjuhën angleze p.sh. nuk më ka rënë të dëgjoj e as ta shoh në të shkruar “Happy date of birth” ( që në përkthim ad literam do të ishte “Gëzuar data e lindjes” ose “Gëzuar datëlindja”), por kemi “Happy birthday” (“Gëzuar ditëlindja”). As në gjuhët sllave nuk urohet data e lindjes por dita e lindjes, pra “Urime ditëlindja”; serbisht dhe kroatisht, siç thamë, kemi “Srećan rođendan”; në bullgarisht “chestit rozhden den”¸në rusisht “S Dnem rozhden’ya” . Në gjuhët latine si në italisht, p.sh. kemi: “Buon compleanno”, në frëngjisht “Joyeux anniversaire”, në gjermanisht “Alles Gute zum Geburtstag! etj. E njëjta gjë vlen pothuaj edhe për të gjitha gjuhët e tjera evropiane.

Duke e pasur parasysh faktin se pothuaj në të gjitha këto gjuhë, siç thamë, urohet DITËLINDJA, nuk e konsideroj të udhës që vetëm në gjuhën shqipe të urohet DATËLINDJA!

Prandaj , për arsyet që i theksuam më lart, mendoj, se togfjalëshi URIME DATËLINDJA duhet të hiqet nga përdorimi dhe në vend të tij të mbetet togfjalëshi që është përdorë den baba den URIME DITËLINDJA!