Universiteti Bujqësor i Tiranës në një program të përbashkët me Departamentin e Bimëve Mjekësore në Zvicër

Departamenti i Bimëve Mjekësore të Agroscope në Zvicër dhe Fakulteti i Bujqësisë Mjekësore UBT (Universiteti Bujqësor i Tiranës), do të jenë të gatshëm për një program të përbashkët shkencor. Kjo gjë po arrihet me përkrahjen e Prof. Dr. Sokrat Sinaj, i cili tashmë është ekspert ndërkombëtar në fushën e agronomisë dhe jeton që një kohë të gjatë në Zvicër.

Ky bashkëpunim do të bëhet me qëllim të forcimit të urave mes Shqipërisë dhe Zvicrës në fushën e bimëve mjekësore dhe aromatike. Me këtë pos tjerash synohet përfshirja e studentëve shqiptarë në nivelin master dhe doktoratë për tema të ndryshme që lidhen me fushën në fjalë.

Prof. Dr. Sokrat Sinaj ka 15 vite që punon në Institutin Kombëtar Zviceran të Shkencave Bujqësore, kurse më parë kishte punuar si Profesor në Departamentin e Agronomisë të Universitetit Politeknik Federal në Zvicër. Duke qenë se është anëtar i Akademisë së Shkencave të RSH, ai mban lidhje të ngushta me Shqipërinë dhe i qëndron në përkrahje gjithë komunitetit shqiptar në Zvicër.