Thirrjet dhe angazhimet kinse për krijimin e unitetit të spektrit tonë politik dhe institucional të atyre që këtë unitet e plandosën për tokë me fjalimet dhe veprimet e tyre të deritashme, duken tërësisht moralizuese dhe shumë anakronike
Shkruan: Gani Bajrami, Prishtinë
Thirrjet e vazhdueshme për unitet të spektrit tonë politik dhe institucional tregojnë se sa në të vërtetë jemi jo unik, edhe pse angazhimi i përgjithshëm në kërkim të unitetit është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë, të pushtetit dhe të opozitës. Habit fakti se disa nga ata që dalin të zëshëm me thirrje për unitet politik janë ndër përgjegjësit kryesorë të mungesës së këtij uniteti dhe ata nën maskën e thirrjes për unitet vetëm sa i fryjnë zjarrit të mosunitetit. Është kështu, sepse thirrjet e tyre shoqërohen me drejtim gishti kundër të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, gjë që nuk përafron, por largon edhe më shumë.
Unitetin e spektrit tonë politik dhe institucional nuk mund ta krijojnë ata që e plandosën për tokë këtë unitet me fjalimet dhe veprimet e tyre të deritashme, prandaj thirrjet e tyre për unitet duken tërësisht moralizuese dhe shumë anakronike. Së këndejmi shumica e thirrjeve të tilla për unitet politik duken fallce dhe krejtësisht të pasinqerta, madje edhe irituese. Sepse, çdo kush e di se me një qeveri jo demokratike dhe jo legjitime, e cila nuk e ka besimin e qytetarëve, por ishte produkt i pazareve të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, si dhe me një parlament të lënduar në palcë po nga këta këto pazare, nuk mund të krijohet kurrfarë uniteti i spektrit politik dhe atij institucional në interes të qytetarëve dhe të vendit.
SI PO INSTALOHET DISKURSI PËR SHPËTIMTARËT E VETËM TË KOSOVËS
Liderët e partive që grabitën pushtetin pa votën e qytetarëve dhe po e mbajnë peng Kosovën çdo ditë moralizojnë se pushtetin po e mbajnë në duart e tyre, gjoja në emër të interesave të Kosovës dhe përherë gjejnë do arsyetime banale se pa ta do të dështonte dialogu, do të prisheshin marrëdhëniet me ndërkombëtarët do të destabilizohej vendi, e kështu me radhë.
Pohimet e përmendura më lart, si dhe ky më i riu se aktakuzat e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen edhe si Gjykata Speciale, e kanë destabilizuar krejtësisht skenën politike të Kosovës, janë të shpifura. Aktakuzat nga Gjykata Speciale nuk erdhën sikur kur shkrep reja nga qielli, por ato ishin të pritura që kur u themelua kjo gjykatë me insistimin e faktorit ndërkombëtar, por edhe të disa udhëheqësve shtetërorë e politikë të Kosovës.
Mirëpo, pushtetarët aktual me këto arsyetime banale dhe pohime të shpifura haptas dhe pa fije turpi synojnë ta instalojnë diskursin se ata janë shpëtimtarët e vetëm të Kosovës. Por në realitet të tillët janë ata që Kosovën dhe popullin e saj e katandisën buzë greminës me nepotizëm, korrupsion e krim të organizuar.
Hapat e kryeministrit Abdulla Hoti për unitet politik mund të merren vetëm një përpjekje e tij që ta legjitimoj vetveten në krye të një qeverie të pazareve politike dhe ta eliminoj mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme. I këtillë është edhe paralajmërimi i kryeministrit Hoti për bisedime me partitë politike për të siguruar pajtimin për presidentin e ri të vendit, zgjedhja e të cilit kërkon dy të tretat e votave në Parlamentin e Kosovës që i ka 120 deputetë. Në paraqitjen e tij publike me këtë informacion kryeministri Hoti nuk e fshehu faktin se, sipas tij, më e rëndësishme se zgjedhja e një presidenti është të pengohet që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ai është i vetëdijshëm për debaklin që do të mund ta pësonte në zgjedhje partia e tij, e cila është ngufatur nga Isa Mustafa dhe klani që e rrethon.
ZGJIDHJE JANË VETËM ZGJEDHJET, KËTË TASHMË ÇDO KUSH E DI
Është e kuptueshme se përse pos Lëvizjes Vetëvendosje subjektet e tjera partiake parapëlqejnë që pushtetin ta mbajnë pa verdiktin e popullit, respektivisht elektoratit, me devizën e tyre se ata janë shpëtimtarët e Kosovës dhe të këtij populli që nuk ka të ndalur në katandisje. Prandaj liderët e këtyre partive dhe klanet e tyre që i kanë afër vetes janë në bllok kundër që vendi të shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund t’i ndalin pazaret politike që janë instaluar nga nomenklatura e tashme udhëheqëse në Kosovë. Zgjedhjet parlamentare janë të domosdoshme jo vetëm për shkak të zgjedhjes së një presidenti që do të ishte një person unifikues, siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës, por edhe për shkak se Kosova tashmë e një kohë të gjatë ka një parlament jokredibil, mbase edhe jashtë juridiksionit kushtetues. Si mund të konsiderohet ndryshe një parlament që me mbi dy të tretat e deputetëve e braktisën verdiktin që ua dha votuesi dhe u rreshtuan pas interesave personale të Thaçit dhe Mustafës. A nuk e dogjën këta deputetë mandatin e fituar nga votuesi?! Rezoni i shëndosh thotë se me të gjitha normat pozitive kushtetuese ata braktisën mandatin që u dha votuesi dhe u shndërruan si marionetë, vegël në duart e Thaçit e Mustafës. Prandaj ndodh që një projektligj të sillet 10 herë për votim në Parlamentin e Kosovës e të mos kalon për mungesë votash apo mungesë kuorumi dhe Qeveria Hoti bëhet sikur nuk po ndodh asgjë. Fjala është për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.
Zgjidhje janë vetëm zgjedhjet, këtë tashmë çdo kush e di jo vetëm në Kosovë. Këtë e di edhe faktori ndërkombëtar, i cili po hesht dhe po bëhet bashkëpjesëmarrës në dhunimin e demokracisë në Kosovë, për shkak se disa pjesëtarëve të këtij faktori ndërkombëtar i duan udhëheqësit kosovarë të shantazhuar.