Ky organizim i 20 aksionarëve shqiptarë në Zvicër, ndonëse nuk ka më tepër se një vit nga themelimi, tash më në qarkullim ka rreth tre milionë franga, meqë rast shumica investuar në blerjen e objektit të parë me mjete të përbashkëta
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Për fat të mirë gradualisht po këndellen aktivitetet e disa organizimeve dhe subjekteve shqiptare në Zvicër. Kështu dje në qytetin e Lucernit u mbajt një takim i përbashkët i Kryesive të Unionit Invest AG dhe të Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, ku u fole për punën e deritashme dhe aktivitetin e mëtejmë. Po ashtu u mbajt edhe një ligjëratë tematike nga doktori i shkencave Lumni Ademi, me theks të veçantë mbi suksesin në prodhimtari.
Takimit i parapriu mbledhja e kryesisë së Unionit Invest AG, që drejtohet nga Mehdi Avdijaj, union ky në të cilin 20 aksionarë, gjegjësisht pronarë të firmave shqiptare kanë grumbullua mjetet për investime të përbashkëta. Tashmë ky union ka bërë edhe hapin e parë praktik, duke blerë me mjete të përbashkëta një objekt, që pos që do të shërbejë për selinë e këtij subjekti, pjesa tjetër e lokalit do të jepet me qira. Aktualisht sipas presidentit Avdijaj, unioni tashmë ka në qarkullim rreth 3 milionë franga dhe po punon që ky kapital të rritet edhe më tej, krahas rritjes së numrit të aksionarëve. Ndërsa që edhe anëtari kryesisë së këtij unioni, Isa Zeqiraj potencoi se këto forma të bashkimit biznisor tashmë kanë filluar të japin rezultate, sa që mundësojnë që bashkërisht të mund të bëjmë shumëçka në të mirë të vetes e të komunitetit, jo vetëm në mërgatë.
Edhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Qamil Isufi, përshëndeti punën e këtij unioni, që e sheh me interes si për forcimin e ashtu edhe bashkëpunimin e biznesmenëve shqiptar që përmes bashkimit të kapitalit të fuqizohet jo vetëm komuniteti ynë i madh në mërgatë, por që të shikohet edhe mundësia për të investuar në Kosovë dhe në trojet tona etnike.
Po në këtë takim u vendos që të bëhen edhe disa ndryshime në status, përmes të cilit edhe personat që nuk kanë firma, por që kanë kapital, mund ti bashkohen unionit me anëtarësi dhe investime. Avokati, Artan Sadiku, jurist pranë këtij asociacioni, që kujdeset për të gjitha normativat ligjore, në mënyrë që i tërë rrugëtimi të jetë në përputhshmëri me ligjet e vendit, i paraqiti materialet gjegjëse, të cilat edhe u miratuan me aklamacion. Të pranishmit po ashtu unanimisht mbështetën kryesinë e Unionit Invest Ag, në përbërje Mehdi Avdijaj, president, Musa Berisha arkëtar, Artan Sadiku, jurist, Nusret Abdiu imobilie dhe Isa Zeqiraj mbi anëtarësim, për aktivitete të mëtejshme investive – biznisore.
Më pastaj doktori i shkencave, Lumi Ademi, mbajti një ligjëratë në temën: “Suksesi i juaj në prodhimtari”, me që rast foli për disa projekte zhvillimore që mund të realizojë Rrjeti i bizneseve shqiptare në Zvicër. Ai foli edhe për përvojën e themelimit të firmës së tij mbi punën e firmës së tij, “FloMir Company GmbH”, me seli në Kantonin e Cyrihut të Zvicrës dhe me përfaqësuesitë e saj në Gjermani, Maqedonia e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, bazuar në eksperiencën e saj shkencore në Zvicër, si dhe në bashkëpunim me partnerët e saj nacional dhe internacional, që ofron projekte me “çelësa në dorë” (turn-key), në fushën e prodhimtarisë ushqimore, kimike, farmaceutike, kozmetike dhe ndërtimore.
Ndër më të veçantat, që potencoi Lumniu, mbështet në dijen dhe përvojën e tij ishte motoja : Gjenero fitim këtu e prodho atje! Me një fjalë puno që të fitosh këtu në mërgatë e prodho në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut apo trojet tjera shqiptare, pasi që atje fuqia punëtore është më e lirë dhe pastaj prodhimet e cilës do fushë sjellë këtu në Perëndim, në mënyrë që të kesh edhe ti si afarist fitim por edhe vend ytë i prejardhjes.
Kjo temë e Dr. Lumni Ademit, një personalitetit të shquar shkencor me prejardhje nga Tetova, i doktoruar në kimi në Universitetin e Bazelit, ngjalli interesim por edhe një bashkëbisedim të afërte e të frytshëm me të pranishmit.
Tubimi vazhdoi edhe me disa tema Degës së Zvicrës Qendrore të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, që në fakt paraqet degën më aktive e më të organizuar e që udhëhiqet nga Florim Useni. Do theksuar se ndonëse kjo është një degë e re është e para që në gjirin e saj ka arrit të themelojë edhe unionin e parë të aksionarëve shqiptarë, por edhe të merret me aktivitete të tjera ndër të cilat edhe organizimin e ligjëratave me ekspertë të shquar shqiptarë, në mënyrë që anëtarësia dhe afaristët shqiptarë të arrin një përgatitje sa më të mirë edhe në pikëpamje teorike.