Union Invest AG në Lucern, tërheq interesimin e afaristëve shqiptarë në Zvicër  

Se Zvicra është vend i mundësive dhe arritjeve këtë e dëshmoi edhe një eveniment më 25 qershor në Restaurant Aiola al Porto, në lokalitetin  Stansstad të kantonit të Lucernit, ku edhe njëherë u dëshmua se shqiptarët tash më janë bërë pjesë shumë e rëndësishme zhvillimore dhe integruese e shtetit helvetik.  Fakti se me rastin e njëvjetorit të themelimit të shoqatës së aksionareve shqiptar Union Invest AG, që vepron në kuadër të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër- dega e Zvicrën Qendrore, ishin tubuar me dhjetëra e dhjetëra afaristë të suksesshëm që drejtojnë firma nga fusha të ndryshme, tregojnë edhe interesimin e shtuar për përfshirje në këtë shoqatë të parë aksionare të shqiptarëve në Zvicër.

 Teksti e fotot Rexhep Rifati  

Karakteristike e këtij tubimi, ishte se kësaj radhe kishte afaristë edhe nga kantonet tjera firmën e parë aksionarë Union Invest AG e shifshin si një model tejet tërheqës edhe për përfshirjen e tyre brenda kulmit të këtij organizimi, ku më parë rreth 20 biznesmen shqiptarë i tubuan kapitalin investues dhe blen një objekt të përbashkët, që tash e shfrytëzojnë edhe si seli të tyre e pjesën më të madhe e kanë dhënë me qira.

Që të dy drejtuesit e këtyre dy subjekteve që veprojnë nën një kulm, Mejdi Avdijaj në krye të Union Invest AG dhe kryetari i Rrjetit, Florim Useini, të Bizneseve Shqiptare në Zvicër- dega e Zvicrën Qendrore, në këtë takim ishin fjalë pak, sepse më tepër janë të prirë për punë e aksione. Vetëm se i njoftuan të pranishmit me arritjet dhe planet e tyre zhvillimore, sepse donin që mysafirët të kenë hapësirë që të njiheshin mes veti, por edhe që të gjenin interesin për të iu bashkua këtij unioni, qoftë me përkrahje morale apo pjesëmarrje materiale, aq më parë Union Invest AG, synon të jetë një subjekt zhvillimor, që në të ardhme ti shtri degët edhe në vendet e prejardhjes.  Mundësitë tjera i shihnin edhe në bashkëpunimin e ndërsjellës mes firmave me pronarë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, natyrisht në përputhje me rregullat dhe ligjet e vendit.

Përndryshe veçoria e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër- dega e Zvicrën Qendrore, është se kjo degë nga viti në vit po forcohet dhe po e zgjeron aktivitetin e saj si në shtimin e anëtarësisë, investimeve të përbashkëta dhe në mbajtjen e temave me interes të zhvillimit të bizneseve private të shqiptarëve në Zvicër.

Po në këtë takim ishin të pranishëm dhe përshëndetën edhe Bujar Salihu , kryetar i shoqatës së krijuesve shqiptarë në Zvicër, organizim ky që ka një bashkëpunim të ngushtë si me rrjetin ashtu edhe Union Investin si dhe Skënderbeg Klaiqi përshëndeti në emër të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar apo Lobi Shqiptar, me dëshirën që në kuadër të këtij lobi të përfshihen edhe sa më shumë afaristë shqiptarë dhe të interesuar të tjerë.

Eventi kushtuar një vjetorit të Union Investit u shoqërua edhe me një apero të pasur organizuar në restorantin tejet atraktiv “Aiola al Porto”, buzë liqenit të Lucernit, me pronarin shqiptar, Ramiz Panxha.