Ulqini si nënprefekturë e Shkodrës viteve të `40, hap shkollën “Skanderbeg”, me drejtor Jahja Domnori (16) 

Në vazhdën e shkollave shqipe në trojet etnike, në vitin shkollor 1941-42, Ministria e Arsimit e Shqipërisë, drejtuar nga ministri Ernest Koliqi, vendosi të dërgojë mësues nga Shqipëria edhe në Mal të Zi, ndërkohë qe edhe vet Ulqini i përkiste nënprefekturës së Shkodrës.- Shkodrani, Jahja Domnori emërohet drejtor i shkollës fillore “Skanderbeg” të Ulqinit. -Gjatë një vizite rifotografova një foto të asaj shkolle, ku vërejta më shumë nxënëse shqiptare se rrallë në ndonjë shkollë tjetër.

Përgatiti Rexhep Rifati

Derisa rifotografoja disa foto në Muzeun etnigrafik të Ulqinit, nuk e kisha idenë se një nga to do të bëhet kryefoto e këtij shkrimi. Ajo që më befasoi ishte se në atë foto të viteve të `40, ishte vet emri i shkollës “Skanderbeg” si dhe fakti se në te thuaja se kishte nxënës si të barabartë të të dyja gjinive, çka nuk isha mësua të të shohë në shumë foto të qyteteve të tjera të asaj periudhe. Momenti tjetër ishte se gjatë një vizite një vit më vonë në Hora të Arbëreshëve në Sicili, hasa po një shkollë fillore me emrin “Skanderbeg”.

Por ti kthehem temës, ardhjes së mësuesve të parë shqiptarë të caktuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, drejtuar nga ministri Ernest Koliqi, që vendosi të dërgojë mësues nga Shqipëria pos në Kosovë e Maqedoni edhe në Mal të Zi, ishte një monografi me autor Smajl Bala, e në veçanti një vështrim rreth kësaj monografie shkruar nga Dr. Nail Draga nga edhe mora ca fragmente.

Që në fillim të vështrimit të tij, Draga përkujton se: “Ne vazhdën e hulumtimeve dhe botimeve nga fusha e arsimit, kohë më parë u botua dhe u lëshua në qarkullim libri më i ri Smajl Balës “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës (1662-1945), në dy vëllime me gjithsej 986 faqe”…, por nga ky shkrim shkëputa veçmas atë pjesë që bëhet fjalë për dërgimin e mësuesve nga Shqipëria në Mal të Zi:

Mësues të përgatitur nëpër shkollat pedagogjike

Në gamën e gjerë të tyre punonjësve të arsimit bën pjesë edhe një numër i konsideruar i tyre qe kanë punuar në viset shqiptare në Mal të Zi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin shkollor 1941-42, Ministria e Arsimit e Shqipërisë përkatësisht ministri Ernest Koliqi, vendosi që të dërgohen nga Shqipëria në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, krahinat me popullsi shqiptare, 400 mësues për shkolla fillore dhe të mesme, nga të cilët 200 shin mësues të rinj të përgatitur nga shkollat pedagogjike.

Domnori, pos Ulqinit, kishte edhe disa shkolla fshati në përkujdesje

Në krahinën e Ulqinit e cila vitet 1941-44 ka qenë nënprefekturë e Shkodrës, në vitin shkollor 1941-42 u hapën shkollat e rregullta. Kështu në ketë vit shkollor mësuesi Jahja Domnori nga Shkodra u emërua drejtor i shkollës fillore “Skenderbeg” të Ulqinit. Ai njëkohësisht ishte përgjegjës edhe për shkollat që përfshinte në atë kohë nënprefektura e Ulqinit si në: Shtoj, Darsë, Pistull, Salç, Peçuricë, Goranë, Kosiq, Katërkollë dhe Sukubinë.

Efekti i këtij takimi qe i shpejtë e konkret në ditët në vijim , drejtori i shkollës në ditarin e vet shënon se gjeti të regjistruar 600 nxënës, ndërsa në raportin fund të vitit raportonte se kjo shkollë kishte 811 nxënës. Ndërsa në përgjithësi në vitin shkollor 1941/42 nxënës në nënprefekturën e Ulqinit, së bashku me Krajën dhe Tuzin gjithsej ishin 1809 nxënës nga 51 fshatra ku punonin 30 mësues.

Mësuesit që punuan në shkollat e porsahapura shqipe

Në këto shkolla kanë punuar këto mësues: Në Ulqin, Jahja Domnori, Zef Tarnaku, Angjelina Pistulli, Xhemal Lopçi, Persa Gjurbabaj, Hasan Brahimi, Minja Nikollë Gega dhe Ganije Baçe. Në Peçuricë Luigj Shkjezi, në Katërkollë Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prekë Shiroka, në Sukubinë, Shuk Shllaku dhe Zef Berisha, në Kosiq, Ramadan Milla, në Ostros, Gaqo Pisha e Nuh Kuçi, në Martiq Ilija Xharra, në Muriq, Qazim Kraja, në Dedaj, Vatë Gjeloshi, në Tuz, Faik Tuzi e Katrinë Berisha, në Dinoshë Hajrullah Kastrati etj.

Këto mësues i kanë kushtuar kujdes të posaçëm realizimit të programit mësimor, në mënyrë të veçantë programeve të gjuhës shqipe, të historisë e të gjeografisë së Shqipërisë. Përveç mësimit të rregullt këto mësues kanë zhvilluar edhe kurset verore kundër analfabetizmit që i përfunduan me sukses.

Në kushte të pavolitshme me sakrifica të mëdha

Më tej në vështrim përmendet se : “Këto mësues, ndonëse me sakrifica të mëdha larg familjeve të tyre dhe kushteve të pavolitshme për punë, kanë shërbyer me përkushtim në përhapjen e arsimit shqip në viset shqiptare në Mal të Zi, duke ndikuar dukshëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Sepse ishin këta mësues që për të parën herë po iu zhvillonin mësimin nxënësve shqiptarë në gjuhën e bukur shqipe, sepse pushteti i sllav i kohës e ndalonte mësimin shqip në shkolla.

Pikërisht në lidhje me punën e tyre të devotshme dua të ceki dy momente që lidhën me të famshmin Prenkë Jakova. Kështu deri në ditët tona vjen një fotografi e Prenkë Jakovës me nxënësit e Katërkollës në Anë të Malit dalë në Shas, e cila është e vetmja për këto vite, e po ashtu duhet cekur edhe tekstin e një këngë po ashtu të Prenkë Jakovës i cili ia kishte kushtuar vashës kranjane, kur ai punoj si mësues në Ostros, tekst ky i cili tash është kompozuar dhe bërë këngë e pëlqyeshme nga të gjithë….”

Populli që për 70 vjet qe i detyruar të braktisë gjuhën shqipe

Ja si e pa Ulqinin me rrethinë, mësuesi i parë shkodran, Jahja Domnori, citim i autorit të vështrimit: “Me punën e tyre këto mësues kanë lenë kujtime të pashlyera të nxënësit dhe prindërit e tyre, kujtesë kjo e cila është përcjell brez pas brezi e vjen edhe në ditët tona. Në këtë aspekt po cekim fjalët e ish drejtorit të shkollës Jahja Domnori i cili i ka shënuar në ditarin e tij personal, ku cekën se :” këtu kam pasë kënaqësinë time më të madhe, pse i shërbeva një populli që për 70 vjet me radhë e kishin detyruar të braktisë gjuhën shqipe”.

Mësuesit shkodranë, duke punuar me përkushtim ata janë pritur, shoqëruar e përcjellë me dashuri, me nderim dhe mirënjohje për punën e tyre fisnike dhe misionin e tyre kombëtar. Dhe në fund duhet përgëzuar autorin i cili ka arritur të ofrojë një botim me interes, i cili për nga lënda e trajtuar paraqet një monografi te tipit të fjalorit enciklopedik me vlerë për mësuesit shkodranë, që pa dyshim se do të mirëpritet nga opinioni i gjerë arsimor dhe kulturorë…”

Kush ishte “Mësuesi i Merituar”, Jahja (Jaho) Domnori

Jahja (Jaho) Domnori (1905-1989) “Mësues i Merituar”, drejtor i shkollës së parë shqipe në Ulqin në vitin 1941 si dhe inspektor i shtatë shkollave në fshatrat përreth Ulqini. Ka shërbyer si mësues në shumë qytete të Shqipërisë si Shkodër, Dibër, Vlorë, Peshkopi dhe Durrës. Në vitet pas çlirimit ka drejtuar kurset për kualifikimin e mësuesve të rinj që i shërbyen hapjes së shkollave shqipe në shumë krahinat te vendit kryesisht në pjesën veriore. Krahas mësuesisë, ai shërbeu si administrator dhe ekonomist i shumë shkollave dhe konvikteve studentore kryesisht në internatin e Dibrës, Vlorës dhe Shkodrës.

( Disa nga fotot e këtij portali që lidhen me kohën i kam shkrep në Muzeun Etnografik në Ulqin, ndërsa njëra foto tregon ngritjen e bustit Prenk Jakova, si dhe një letër tëshkrimtarëve Kosovar, gjatë një shkolle në Mal të Zi)