Ndër dhjetë vendet më tërheqëse për t’u vizituar në SHBA janë Ujdhesat Hauaje (Hawaii Islands), të shtetit Hauaji., një arkipelag i përbërë nga mbi 130 ujdhesa vullkanike, prej të cilave 8 ujdhesa kryesore, një numër relativisht i madh i atoleve (ujdhesa koralesh), ujdhesa shumë të vogla (ang. Islet) dhe ujdhesa maldeti (seamount), lloj ujdhesash që shtrihen nën sipërfaqen e ujit. Tetë ujdhesat kryesore të shtetit Hauaji janë: Niihau (180 km2, me vetëm 130 banorë të përhershëm), Kauai (1,456 km2, mbi 65 mijë banorë), Oahu (1,545 km2 dhe 953 mijë banorë), Maui (1,883 km2 dhe afro 160 mijë banorë), Molokai (670 km2 dhe 7,404 banorë), Lanai (364 km2 dhe 3,102 banorë), Kaloohawe (ujdhesa më e vogël nga 8 ujdhesat e Hauajeve, me vetëm 116 km2, e pabanuar) dhe Ujdhesa e Madhe e Hauajeve (The Big Island of Hawai, 10,430 km2 dhe afro 187 mijë banorë). Në këtë të fundit gjendet kryeqyteti i këtij shteti, Honolulu, me afro 375 mijë banorë.
Fotot e teksti: Hajro Hajra
Cak i vizitës sonë është ujdhesa Maui (ka kuptimin: të rrosh, të jetosh). Në fillim të marsit 2016, në Feniks (Phoenix), kryeqytet i Arizonës marrim avionin e orës 11:30, një Boeing 737, që na shpie qetë-qetë drejt Aeroportit Kahului, njërit prej tri aeroporteve të Ujdhesës Maui, ku arrijmë pas afro 6 orë e gjysmë fluturim. Jemi nisur në 11:30 para dreke dhe atje kemi arritur në orën 4 të pasdites, shkaku i ndryshimit të kohës prej 2 orësh nga ajo e Arizonës. Kemi dalë nga barku i avionit dhe jemi futur në ndërtesën e aeroportit jo aq të madh. Korridori drejt daljes nga aeroporti është i mbuluar, por i hapur në njërën anë, kështu që pa dalë ende jashtë e ndiejmë klimën e ngrohtë të bregoqeanit, po edhe lagështirën tejet të madhe të ajrit. Ndërkaq, shumica e fytyrave që shohim teksa shkojmë drejt daljes, po edhe pasi dalim nga aeroporti e hipim në autobusin e vogël për në vendbanimin Lahaina, kanë tipare aziatike (40% e banorëve të Hauajeve janë aziatikë, 24% të bardhë dhe vetëm 10% banorë vendës).
Largesën prej afro 46 km nga Aeroporti Kahului deri në qytezën Lahaina (që ka kuptimin: diell i ashpër), ku do të vendosemi, e përshkojmë për më tepër se 1 orë. Përgjatë gjithë rrugës bien në sy plantacionet pa fund të arrave makadamia, të ananasit, të kallamit të sheqerit dhe të kafesë, prodhime kryesore bujqësore të Hauajeve. Një tjetër “kuriozitet” për çdo vizitor që vjen në këtë ujdhesë dhe në ujdhesat e tjera të Hauajeve janë targat e automjeteve. Për ne që shkonim nga Arizona, ku jemi mësuar të shohim targa automjetesh të të gjitha shteteve të Amerikës, na dukej e pazakonshme tek shihnim vetëm targa të Hauajeve. E po, s’ia vlen ta marrësh me vete automjetin kur udhëton me avion ose me anije. Toponimet, ndërkaq, pothuaj njëqind për qind janë vendëse dhe disa prej tyre, si Kula (Kulla), Hana na i kujtojnë toponimet shqiptare.
Qyteza Lahaina (njëherësh porti kryesor i Mauit) shtrihet në pjesën perëndimore të ujdhesës. Ka afro 12 mijë banorë dhe karakterizohet me rrugë të ngushta e me ndërtesa një e dykatëshe, ndërtuar kryesisht prej druri. Rruga kryesore (Front Street) e përshkon qytezën nga veriu në jug, njësoj si Autostrada 30 (HWY 30), që i bie mespërmes qytezës dhe e lidh këtë me jugun e me veriun e ujdhesës. Pjesa më e madhe e rrugës kryesore shtrihet buzë oqeanit (një pamje jashtëzakonisht joshëse, sidomos kur perëndon dielli), plot me tregtore, bare e restorante në njërën anë. Në tregtoret e vogla ku shitësit përshëndesin në gjuhën e Hauajeve me fjalën Aloha (që dikur ka pasur kuptimin: paqe, falënderim etj. dhe që sot përdoret me kuptimet: tungjatjeta dhe lamtumirë), vizitori mund të gjejë suvenire të ndryshme karakteristike të banorëve vendës dhe veshje të ndryshme që shquhen me ngjyra të larmishme, sidomos fustanet për femra dhe këmishët e meshkujve. Kurorat e llojllojshme shumëngjyrëshe të luleve, simbol i dashurisë, ndërkaq, i blen secili vizitor, sapo të arrijë në Hauaje. Galeritë e shumta të artit janë një atraksion më vete dhe ato nuk mund t’i shmangë asnjë vizitor. Në to mund të shikohen, po edhe të blihen (me çmime të larta, natyrisht), vepra artistike të autorëve të njohur që jetojnë e veprojnë në Hauaje. Parku me drurë Banyan (dru i familjes së fikut), që gjendet mu te porti i qytezës Lahaina është cak tjetër i pashmangshëm i vizitorëve. Këtë lloj druri të rrallë, të sjellë nga India, e ka mbëltuar sherifi i kësaj qyteze më 1873. Nga fidani i mbëltuar i lartë 2.4 m, këta drunj janë shumuar dhe sot nxënë një sipërfaqe afro 70 m2, me lartësi që shkon deri në 18 metra.
Nuk do të mjaftonin as 5 javë dhe jo 5 ditë (sa qëndruam ne) për të parë jo të gjitha, por disa nga atraksionet kryesore të Ujdhesës Maui. Ditën e dytë të qëndrimit tonë në Maui e kaluam në plazhin Ka’anapali. Ujdhesa Maui ka 81 plazhe me gjatësi mbi 193 km, me rërë të bardhë, të florinjtë, të zezë e të kuqe. Të gjitha plazhet janë publike dhe në to mund të ketë qasje secili, pa pasur nevojë të paguajë, siç ndodh në plazhet shqiptare, ku duhet paguar lekë edhe për plazhet që nuk ofrojnë thuaja asgjë. Përgjatë gjithë plazhit janë ngritur hotele të shumta me 3 e 4 yje, si Ka’anapali Beach Hotel, Sheraton Maui Resort & Spa, The Westin Maui Resort & Spa, Hyatt Regency Maui Resort etj. Rrethuar me një botë bimore të shumëllojshme e të bollshme, hotelet ngjajnë si pallate përrallash në mes të pyllit e pranë ujit. Vizitorë të shumtë, jo vetëm nga Amerika, po edhe nga shumë vende të botës, kanë mundësi të pakufishme pushimi e argëtimi. Ata mund të lahen në ujin jo aq të ngrohtë të oqeanit e të rreziten në rërën e imët që ngjan me rërën e bregdetit shqiptar që nga jugu deri në Ulqin. Golfi është po ashtu një sport që parapëlqehet, sidomos nga vizitorët e kamur. Të gjitha këto përplotësohen me ushqimet e me pijet nga më të ndryshmet që shërbehen me një delikatesë e elegancë të posaçme…
Ditën e tretë e kemi rezervuar për “aventurë” në oqean. Me anijen e vogël “Malolo”, e cila nxë 50-60 vizitorë, në orën 7 të mëngjesit nisemi nga porti Maalea (njëri ndër 5 portet e Ujdhesës Maui), drejt kraterit vullkanik Malokini. Uji i oqeanit është relativisht i qetë dhe kthjelltësia ofron mundësinë për të parë peshq e gjallesa të ndryshme që”parakalojnë” pranë anijes. Atraksion kryesor i këtij lundrimi dyorësh janë balenat, këta gjitarë gjigantë, që mahnitin vizitorët teksa dalin mbi sipërfaqen e oqeanit dhe zhyten në ujë duke shkaktuar një zhurmë të madhe.
Kur arrijmë afër Ujdhesës së vogël e të pabanuar Malokini, vizitorët nuk zbarkojnë në ujdhesë, por zhyten në ujin e oqeanit, pasi janë pajisur më parë me maska, me rroba zhytjeje dhe me pendë notuese. Një pamje mahnitëse nën ujin e kthjellët qelibar. Dhjetëra lloje peshqish e gjallesash të llojllojshme uji notojnë nën sipërfaqen e ujit fare pranë zhytësve. Zhytësit, ndërkaq, “shndërruar” dhe vetë në gjallesa deti, kënaqen duke soditur atë botë aq të pasur e të larmishme nënujore. Pas afro gjysmë ore qëndrimi në ujë e nën ujë vizitorët, të mahnitur me bukuritë nënujore të oqeanit, kthehen në anije, disa gjithë mornica nga uji i ftohtë e të lodhur nga notimi. Pasi ngre spirancat, anija e vogël niset drejt portit Maalea, ndërkohë që ekuipazhi i vogël i anijes i shërben vizitorët me ushqim e me pije.
Ditën e katërt e kalojmë në një plazh tjetër, në Kapalua (afro 18 km në veri të qytezës Lahaina), një parajsë tjetër për vizitorët, me hotele luksoze e supërluksoze, që ofrojnë gjithçka mund t’i ofrohet një vizitori që vjen aty të shpenzojë dhe pret që ato shpenzime t’i shpaguhen në mënyrën sa më të mirë të mundshme.
Në ditën e pestë, të fundit të qëndrimit tonë në Ujdhesën Maui na pret “sfida” më e madhe, udhëtimi nga Lahaina për në Hana, një vendbanim turistik me mbi 1,200 banorë, që gjendet në pjesën juglindore të Ujdhesës Maui. Megjithatë, para se të nisemi për Hana, nuk mund ta lëmë pa e parë hotelin supërluksoz Ritz-Karlson, në Kapalua, nja 16 km në veri të qytezës Lahaina. Marrim një taksi që, nëpër Autostradën 30 na shpie atje në më pak se 20 minuta, me një çmim 40 dollarë. Në hyrje të hotelit na pret një burrë i ri, i cili teksa dëgjon të flisnim shqip, nuk përmbahet pa na pyetur nga jemi. I themi që jemi shqiptarë nga Kosova dhe ai i ngazëllyer na thotë: qenkemi pothuaj fqinjë, unë jam nga Polonia. Vërtet, nuk di të flas polonisht, por që andej e kam prejardhjen, – sikur thotë me keqardhje dhe na shoqëron deri brenda në hollin e hotelit më të mirë të Ujdhesës Maui dhe ndër 5-6 hotelet më të mira të Hauajeve. Epitetin më i miri nuk e kishte vetëm shkaku i luksit që shihej ngado që hidhje sytë, por edhe shkaku i mjedisit në të cilin ndodhej. Me pamje nga oqeani dhe rrethuar me një gjelbrim të paimagjinueshëm, ngjante tamam si një pallat ëndrrash.
Në shërbimin rent a car të hotelit marrim me qira një veturë Hyundai Santa Fe dhe kthehemi nga kemi ardhur, për të vazhduar udhëtimin aventuristik drejt Hanës, siç i thoshim me humor qytezës Hana. Në hyrje të qytezës Kahului, marrim Autostradën 360 që quhet edhe HWY Hana (e gjatë 103 km). Ndryshe nga autostradat që jemi mësuar t’i shohim anekënd SHBA-ve, kjo është një autostradë e ngushtë dyanësore, në tërë gjatësinë e saj leqe-leqe, me 620 kthesa dhe 59 ura njëkahëshe, të gjitha ndërtuar në vitet ’10 e ’20 të shekullit XX, kur nëpër të njerëzit kanë qarkulluar vetëm me qerre dhe me kafshë. Edhe sot, pas një shekulli, janë po ato ura të ngushta sa për të kaluar një automjet, kështu që kur dy automjete nga drejtime të kundërta i afrohen urës, njëri patjetër duhet t’i japë përparësi tjetrit. Përgjatë gjithë rrugës gjarpërore ka vende ku vizitorët mund të ndalojnë për t’i soditur ato bukuri mahnitëse që i ka falur natyra dhe i ka fisnikëruar dora e njeriut.
Pasi kemi kaluar mbi 43 km nëpër autostradën Hana, duke bërë shumë ndalesa për ta shijuar më mirë atë natyrë të magjishme, arrijmë në kopshtin botanik që me të drejtë quhet Kopshti i Edenit (Garden of Eden Arboretum). Një botë shumë e pasur bimore, me drurë, pemë, shkurre e lule nga e gjithë bota, një pjesë e mirë e të cilave janë të etiketuara. Nga ato etiketa metalike vizitori do ta mësojë emrin e bimës (anglisht e latinisht) si dhe vendin e origjinës. Për t’i rënë anë më anë atij kopshti që shtrihet në një sipërfaqe mbi 10 hektarë, do të duheshin disa orë, por ne mjaftohemi me nja dy orë dhe vazhdojmë rrugën për në Hana, duke shijuar bukuritë e atyre kodrave e maleve gjithë gjelbrim. Rrugës për në Hana ka shumë pika turistike që joshin vizitorët, por në atë pak kohë ne mundëm t’i vizitonim vetëm disa prej tyre, si Ujëvarat Binjake, Shtegun Waikamoi, Luginën Wailua, Ujëvarat Waikani, plazhin Hamoa.
Pas një udhëtimi 5-6 orësh arrijmë në Hana, një vendbanim shumë i lashtë, i vogël (me më pak se 1,500 banorë), i vendosur në Gjirin Hana (Hana Bay) dhe pranë gjireve Kaihalulu Bay e Ka’inalimu Bay, me plazhe shumë të bukura, mbuluar i tëri me gjelbrim. Është një qytezë me histori interesante dhe që s’ka pësuar pothuaj fare ndryshim në një shekull.
Meqenëse e kishim kohën me kët, ia thamë lamtumirën Hanës dhe u kthyem nga kishim ardhur. Pas nja 10 km udhëtimi, ndaluam në Nahiku Market Place, një “qendër tregtare” me një restorant të vogël ku shërbenin karkaleca oqeani, disa lloje peshku, ushqim meksikan taco etj., me një tregtore suveniresh dhe me një lokal të vockël ku shërbenin kafe, çaj e pije të ndryshme.
Pothuaj kishte rënë nata kur morëm rrugën për në Aeroportin Kahului, nga i cili do të niseshim për në Feniks pak para mesnate. Para se të arrijmë në Kahului, ndalojmë për një shëti në qytezën Paia. Rrugët e ngushta, me trotuare po ashtu të ngushta, janë përplot njerëz që venë e vijnë, kurse në baret e restorantet e shumta njerëzit presin në radhë për të nxënë një vend. Pasi e kemi lënë këtë qytezë të zhurmshme, shkojmë në aeroport. Para se të hipim në avion, dëgjojmë nëpunësen e aeroportit duke thirrur udhëtarët për t’u futur në avion dhe këtë thirrje e shoqëron me fjalën vedçe Mahalo, që do të thotë: ju falem nderit! Mahalo – themi dhe ne më vete, për kënaqësinë që na ofroi ky vend me njerëz mikpritës e bujarë.
Pas një udhëtimi që zgjati 4 orë e 55 minuta (ndryshe nga udhëtimi Feniks-Kahului që kishte zgjatur plot një orë e gjysmë më shumë, sepse do të ketë qenë një linjë ajrore më e gjatë), në mëngjes u gjendëm në kryeqytetin e Arizonës.
Pas këtij udhëtimi, s’kishte si të mos na shkonte mendja te trojet shqiptare, te malet, te lisat e te fushat e gjera me lule të Naimit, por ndryshe, krejt ndryshe nga kjo parajsë në mes të oqeanit, parajsën shqiptare e kemi shkatërruar dhe vazhdojmë ta shkatërrojmë me duart tona dhe të pakë janë ata që e vënë gishtin në kokë dhe thonë: pse?!