Më 14 mars 2019 në kinemanë Pollack Tempe Cinemas, të qytetit Tempe të Arizonës u shfaq premiera e filmit me metrazh të shkurtër “Lufta ime e fshehtë” (“My Sekret War”). Skenariste dhe producente është Rina Hajra, e cila në këtë film luan dhe rolin kryesor. Regjinë e ka bërë Kevin R. Phipps, kurse rolet kryesore i luajnë Harlie Phipps, David Aulov, Jason Isaak, Andrew DeCarlo, Shane Dean, Jared Keesling, Kristina Sabbagh e të tjerë. Kameraman është Nicholas Fornwalt, autor i muzikës Bruce Bray, kurse producent ekzekutiv Allen Valor.
Filmi u shfaq për afro 200 mysafirë të ftuar (shqiptarë e amerikanë), ku ishin të pranishëm edhe pothuaj gjithë ekipi realizues i filmit. Para fillimit të shfaqjes së filmit, Rina Hajra, e cila pasi ka përfunduar studimet për drejtësi e aktrim në Universitetin Shtetëror të Arizonës (Arizona State University), aktualisht është studente e shkallës së tretë, dega e aktrimit (njëherësh dhe mësimdhënëse), në Universitetin Shtetëror të Ohajos (Ohio State University), falënderoi gjithë ekipin e filmit për punën e madhe që kanë bërë si dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar materialisht realizimin e këtij projekti të filmik.
Filmi është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta bënte si fëmijë gjatë luftës. Filmi përqendrohet në psikologjinë e njeriut, se si ai gjen forcë që t’i tejkalojë tragjedinë edhe sfidat dhe çfarë pasoja të tmerrshme shkakton lufta. Mision i filmit është që t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqesorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe të kenë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë të këqijat në jetën e tyre.
Pas përfundimit të filmit që u prit me duartrokitje të gjata, po edhe me lot, pasuan pyetje të shumta për autoren e filmit, e cila u përgjigjej me shkathtësi. Krejt në fund, pasi spektatorët e kishin mbuluar Rinën me tufa lulesh të freskëta, të gjithë dolën në hollin e kinemasë ku ishte shtruar tapeti i kuq dhe bënë fotografi të shumta me autoren e filmit dhe me anëtarë të tjerë të ekipit të filmit.
Pas kësaj shfaqjeje premierë, Rina Hajra tashmë ka aplikuar dhe do të aplikojë në disa festivale të njohura të filmit, me shpresë që filmi të pritet mirë dhe mbase edhe të shpërblehet.
I urojmë fat filmit e autores në rrugëtimin nëpër festivale!