Tym dhe gaz

Shqipëria është në tym. Shqytari i Kryeministrit iu grahë protestuesve shqiptarë pas shembullit të Skënderbeut te „Kështjella“ e Kadaresë. Befas! Nga sipër, nga poshtë, nga para, nga prapa. Sikur këta të ishin jeniçerë, a paramilitarë serbë. Mediet e kanë shquajtur njëherë një gardist tek gjuan në drejtim të kreut të opozitës dhe e zbraz çiften me një dorë si në filmat vestern. Bravo policit! Bravo më shumë ministrit, gjoja i përzgjedhuri i shkrimtarit të madh!

Vetëm se tani ai nuk është i detyruar t’i përvëlojë protestuesit me ujë të valuar. Ai përdor gaz frymëzënës! Pa një pa dy. Një gazetar, i padjallëzuar në dukje, një natë para njërës prej protestave të opozitës i lexoi publikut nga celulari prejardhjen e bombave që do të përdorte Garda. Për t’i përgënjeshtruar lajmet se po shfrytëzoheshin produkte serbe. Njëra qenkësh prodhim gjerman, tjetra prodhim francez, tjetra prodhim gjermano-francez… Si për t’i siguruar ata për cilësinë e prodhimit. Si të ishin verë e kuqe dhe verë e bardhë. Sikur bombat gjermane dhe franceze të shërojnë!

Gjenerali nganjëherë megjithatë e mban dorën. Po nuk pranë së gazuari një gardë, e cila i është bërë mburojë e qeverisë përballë atyre që e akuzojnë. Dhe përhapin një tymnajë trumpirëse. Të vërtetat fshihen, relativohen, shtrembërohen, mohohen me ligjërime të stërholluara. Thua flet Brzezinski, Fukuyama, Habermasi. Ndonjëherë në mënyrë të dëshpëruar e qajnë fatkeqësinë e një lideri me vizion të pakuptuar që s’po e lënë. E plasën edhe tezën rezervë të të mbaruarve: Aksioni i opozitës është antikombëtar, ajo është me Rusinë. Kundër hapjes së negociatave. Tradicionalisht!, ju kujtohet atyre.

Opozita ka njëmijë e një kusure, po kjo s’ecën. Ka pak ditë që u përkujtua dhjetëvjetori i hyrjes së Shqipërinë në NATO. E djathta ishte më e investuar për integrimin në këtë strukturë, si në qeverisjen e parë – të zezë – të viteve 90-të, ashtu edhe në atë – gri – të viteve 2000. I shtyu Rusia demokratët për integrimin në NATO?! Elelemnti tjetër i bardhë i grisë së qeverisjes së saj të dytë ishte Rruga e Kombit, me të gjitha dritëhijet e saj, të cilën vërtet e promovuan socialistët, por „e lan rrugëve!“. Dhe, pasi e gjetën gati, i vunë edhe taksën. Në anën tjetër, „Rilindja“ ka gjashtë vjet që e promovon Rrugën e Arbrit, dhe s’po gjen kinez që ta mbarojë atë!

Ata dështojnë, me dije a padije, me pare a papare…, ta vërejnë kauzalitetin ashiqare në ngjarjet e fundit politike. Ata merren vetëm me pasojat dhe i fshehin shkaqet. Ata nuk janë dëgjuar ta denoncojnë njëherë një lajthitje të pushtetit. E shkuan karrierën duke përhapur tym. Më e keqja: me këtë s’i kanë kryer asnjë shërbim, as opinionit, as pushtetit. Nuk u dekonspiruan tani që heshtin për vjedhjet e Ramës, ndërkohë që ishin për rrëzimin e Berishës më 1997. I ndjek ca miq të mi nga Kosova dhe Maqedonia në rrejtet sociale, të cilët të nxirrnin sytë kur pledoje për rrëzimin e Berishës në 97-tën, sesi sot të bien në qafë kur pledon për largimin e Ramës!

Këta gardistë ta errësojnë kujtesën e ta turbullojnë shikimin. Por dielli nuk fshihet me shoshë. Ka ca momente të qeverisjes së „Rilindjes“, të cilat e qartësojnë konstantën e ilegalitetit të pushtetit:

  1. Veprimi i parë i Kryetarit të ministrave në pushtet ishte renovimi i kryeministrisë. Dakord, por pa tender dhe pa e deklaruar se kush qëndron pas këtij investimi! Në të vërtetë, personi i këtij formati publik jep llogari edhe për investimet në shtëpitë e tij private.
  2. Ai kishte vendosur shpërbërjen e helmeve kimike siriane në Shqipëri. Patjetër që qeveria mund të marrë edhe kësi vendimesh. Por shqiptarët këtë e kuptuan nga gazeta franceze „Le Monde“ dhe mediet e tjera të huaja. Vetëm shqiptarët nuk e dinin!
  3. Doli me dokumenta nga përtej Adriatikut dhe përtej Atlantikut se Rama kishte katapultuar si deputetë dhe kryebashkiakë njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale! Ndonjëri akuzohet se ka vrarë me dorën e vet!
  4. Qevria e parë Rama e prishi çerdhen e kanabisit në Lazarat. Por s’vonoi dhe në brigjet e Shqipërisë ngeci një avion që transportonte drogë. Skandal i paparë! Nuk shkoi gjatë dhe u ngul një tjetër avion që transportonte drogë në një pistë te hundët e qeverisë! Çfarë sfide! Ata që kanë dyshime për përmasat galopante të kanabizimit, të interesohen se një në sa avionë rrëzohen statistikisht. Po flota detare? Po shtigjet e dhive…? Autostradat?
  5. Ministri i Brendshëm, dhe më i besuari i Kryeministrit, akuzohet për favorizim të trafikut ndërkombëtar të drogës! Ministri i radhës i Brendshëm e mbronte të vëllain e dënuar për trafik droge në Itali! Maskaradën e më pasme s’duhet ta japim.
  6. Pushteti përveç se vendosi një kryeprokurore në mënyrë tepër të dyshimtë vetëm me votat e veta, të përkohëshme prej rreth dy vitesh!, e ka rrëzuar edhe Gjykatën Kushtetuese. Juristët e hollë këtë situatë në një konstelacion të tillë e barazojnë me një vend pa kushtetutë!
  7. Qeveria e kalon në mënyrë ilegale me ligj! në parlament, duke e shmangur Bashkinë, shembjen e Teatrit Kombëtar në kryeqytet! Dhe autorizon pa garë ngritjen e teatrit të ri!
  8. Qeveria i jep me një tender të stisur 20 milionë dollarë (pasi i kishte dhënë 12 milionë të tjera më parë) për një kilometër rrugë një firme fantazmë. Për më tepër, me dokumentacion të rremë dhe nënshkrim të falsifikuar të Sekretarit të Shtetit Delaware!
  9. Zëri i Amerikës nxjerr prova për manipulimin e votave nga eksponentë të lartë të socialistëve në zgjedhjet lokale të Dibrës më 2016 dhe ato të përgjithshme më 2017. Prokuroria po i zvarrit hetimet prej dy, përkatësisht tre vitesh! Kryeministrit nuk i bën zemra qoftë për një thirrje për hetim!
  10. Në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në Beograd pas mëshumë se një gjysmë shekulli, ai ua „plasi“ serbëve në surrat njohjen e Kosovës. (Mu sikur e kumtoi me bujë fshirjen e Lazaratit para se të lazaratizohej i gjithë vendi!). Dhe tani akuzohet se pas atij kuvendimi fshihet një ide që i kënaq vetëm serbët dhe aleatët e tyre.

Këto janë fakte. Të njohura. Dhe këto nuk janë e gjitha. Mos duhet të shtohet arti oratorik i kryeministrit, që e quan veten nxënës të Fan Nolit dhe Faik Konicës, në ligjëratat plot me zorrë të trasha dhe me zgjatime fundbarku?! Me një popull që nuk i ngrihet dhe demokratë që nuk iu bëjnë punën grave të tyre?! Me një lider opozitar pa hallate?! Apo oratoria e tij nonverbale, duke i nxjerrë gjuhën deputetit? Me kësi performanse nuk ipresionon jo të jetë nxënës i Konicës e Nolit, po edhe mësues i Ciceronit.

Në një vend ku jetojnë disa nga adhuruesit e patundur të Kryeministrit, çereku i këtyre gjërave jo vetëm do ta kishin detyruar qeverinë të tërhiqej në zgjedhje të reja, por do ta kishin hedhur atë në erë. Këta bëjnë sikur nuk kanë dëgjuar kurrë për dorëheqje! Dhe sikur janë të lidhur me kërthizë për pushteti.