Më në fund edhe Ferizaj u kujtua që të nderojë për së gjalli një personaliet sporti, me shpresë që kjo të ndodhë edhe në fusha të tjera. Mbrëmë kjo ndodhi në Palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj, ku u mbajt turneu ndërkombëtar “Muharrem Mehmeti”, në shenjë të boksierit 80 vjeçar,që jeton në Zvicër e që në rini pati një karrierë të bujshme sportive në qytetet e Vojvodinës ku shkoi si punëtorë stinor dhe u kthye në një sportist me renome
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Me iniciativën e familjes së gjerë dhe me përkrahjen e Federatës së Boksit të Kosovës e në mbështetje të kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, mbrëmë në sallën e sporteve “Bill Clinton”, në kuadër të shënimit të 150 vjetorit të themelimit të Ferizajt, u mbajt Turneu Ndërkombëtar i Boksit “Muharrem Mehmeti”, kushtuar boksierit të parë ferizajas, Muharrem Mehmeti, ngjarje kjo që tuboi jo vetëm emra të njohur të boksit kosovarë, familjarët e miqtë por edhe shumë mërgimtar.
Fal angazhimit të Ibrahim Xhemalit një veprimtar i shquar, që prej vitesh jeton në Kopenhagë të Danimarkës, i mbështetur nga familja e gjerë që jeton në Zvicër e Kosovë bëri që në mesin e mbi 1000 shikuesve të ketë edhe personalitete të shumta të jetës politike e sportive të Kosovës, por mërgimtarë nga shtetet e ndryshme perëndimore, që kishin marr udhëtim të largët për të bashkëpërjetuar këtë ngjarje të madhe, në 80 vjetorin e jetës së boksierit të parë ferizajas.
Dhe nuk patëm pse të zhgënjehemi: mbi të gjitha historia e sportistit që i dedikohej ky turne dhe pjesëmarrja e garuesve nga 4 shtete me lojën e fortë që në ring, bashkë me një program muzikor e me një darkë miqësore në restorantin “Natyral” shtruar nga familja, bënë që kjo ngjarje të kthehet jo vetëm në një spektakël sportiv por edhe në një gazmend familjar. Pjesëmarrja e këngëtarit Ismet Bexheti, që kishte ardhur pa kurrfarë kompensimi material, bëri që jubileu i këtij sportisti të kthehet në një ambient mese të ngrohtë miqësor.
Kjo ngjarje e madhe e kthyer në një manifestim festiv edhe në ring solli një garë vërtetë sportive të përshkuar edhe me një kolegjialitet të rrallë mes garuesve, kryesisht të moshës rinore.
Përgjithësisht luftërat mes boksierëve vendor dhe atyre nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin tejet interesante dhe dhanë një rezultat shumë shpresëdhënës për këtë lloj sporti që edhe në Ferizaj ka marr hov, përfshi edhe faktin se njëri nga boksierët më cilësor ishte ferizajas.
Për disa nga duelet juria profesionale nuk e pati lehtë të vendos sidomos tek gara mes boksierit kosovar dhe atij nga Shqipëria, ndaj edhe këta dy garues i shpalli si: Çiftin më luftarak – Taulent Jakupi – Kosovë dhe Redis Karaj Shqipëri . Ndërsa Boksieri më i mirë ndërkombëtar u shpall Rymen Rumenov – Bullgari; Tekniku më i mirë : Bashkim Bajoku – Kosovë dhe Boksieri më i mirë – Valdrin Etemi- Kosovë .