Në këtë tubim festiv të organizuar nga sindikalistët shqiptarë në kuadër të sindikatës Unia, në prani të ambasadorëve të Shqipërisë e Kosovës , një referat kushtuar festës kombëtare e mbajti Faton Topalli, deputet në Parlamentin e Kosovës
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati
Në Restorantin Winkelried të Wettingenit , me rastin e 104 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit kombëtar, nga sindikalistët shqiptarë që veprojnë në kuadër të sindikatës UNIA të regjionit Cyrih- Shafhausen – Argau të cilës iu bashkuan edhe një sërë shoqatash e grupe artistike u mbajt një manifestim i madh festiv. Në fillim nga të pranishmit me një minutë heshtje u nderua Astrit Dehari, aktivist politik nga radhët e Vetëvendosjes.
Në këtë tubim, që e moderoi Suela Jorgaqi, merrnin pjesë ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca , konsulli Salih Sefa, si dhe deputetët e Republikës së Kosovës, Time Kadriaj dhe Faton Topalli.
Ambasadorët e pranishëm mbajtën nga një fjalë përshëndetëse me këtë rast, si edhe përfaqësues zviceranë nga radhët e sindikatës Unia.
Ndërkaq një referat me rastin e festës kombëtare e mbajti veprimtari i çështjes kombëtare, Faton Topalli, njëherësh deputet në Parlamentin e Kosovës.
Me këtë rast pome japim në mënyrë integrale fjalën e Faton TopallI :
“Të nderuar bashkatdhetar, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Medvegja, Plava, Ulqini e Gucia
Të nderuar sindikalistë shqiptar te sindikatës Unia,
Të nderuar përfaqësues dhe aktivistë te shoqatave të ndryshme Të nderuar migrantë socialdemokrat të Zvicrës, miq zviceran e të pranishëm të tjerë, I nderuar Ambasador i Republikës së Shqipërisë, e nderuara Ambasadore e Republikës së Kosovë dhe ju përfaqësues tjerë diplomatik të shteteve tona amë Jemi tubuar sot këtu për të nderuar ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e flamurit.
Urime festa! Çoftë e rroftë gjithmonë Shqipnia, pat thëne Atë Gjergj Fishta.
Kjo ditë, Nëntori e vitit 1912 është flakadani i parë në luftën shekullore të shqiptarëve për pavarësi.
Mbaj mend që para disa vitesh ish Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ish Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në një tubim të madh në Shkupit i kënduan himne bashkimit të Shqipërisë. Dhe kjo nuk do të ishte keq sikur të mos ishte vetëm një deklarim për një ditë solemne.
Unë shpresoj që pavarësia, ndërtimi i sajë, barazia me popujt tjerë në arsim, zhvillim ekonomik, struktura e mekanizma demokratike shtetërore, liritë dhe të drejtat e njeriut, barazia sociale ndërtohen çdo ditë dhe nuk duhet të mbeten deklarata solemne një herë në vit, por angazhim i përditshëm.
Derisa heqja e kufijve mes shteteve, të cilat kanë shumë gjëra të cilat i ndajnë dhe të tjera që i bashkojnë, ne kemi vetëm gjëra që na bashkojnë dhe asnjë arse të vetmes për të mos qenë të bashkuar.
Zvicra të shërbejë si një shembull i mirë
Zvicra është një shembull i mirë i një shoqërie të organizuar, të emancipuar, të preokupuar vazhdimisht, edhe 725 vite pas krijimit të sajë, me ruajtjen e sovranitetit ekonomik dhe politik, me ndërtimin e pavarësisë, barazisë, lirisë dhe të drejtave e njeriut, zhvillimit ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet për çdo qytetar të sajë.
Jam i lumtur që sot me 28 nëntor, në ditën më të madhe të shqiptarëve të deklaroj se si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë të interesuar që të kenë marrëdhënie të mira me Zvicrën, marrëdhënie që mbështeten në një miqësi të dyanshme, interesa të përbashkëta dhe respekt të plotë të secilit vend ndaj tjetrit. Pikërisht ky respekt dhe interes i përbashkët ka bërë që ky vend si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë të ndihmoj në zhvillimin e demokracisë dhe krijimin e parakushteve për zhvillim ekonomik për çka jemi shumë mirënjohës.
Për të drejtat sociale dhe kulturore të mërgimtarëve
Uroj dhe pres që ambasadorët e dy vendeve tona të njohura, Qeveritë nga Shqipëria dhe Kosova këto marrëdhënie të mira t’i shfrytëzojnë për të krijuar kushte më të mira për të drejtat sociale dhe kulturore të mërgimtarëve shqiptar ngado që vinë ata.
Këto raporte nuk u ndërtuan sot për nesër, nuk ishin rastësi, por një punë prej dekadash mes shqiptarëve që jetojnë në këtë vend dhe popullit zviceran, që ishin ambasadorët e parë, pa portofol, në këtë vend.
Mbështetur në punën e palodhshme të ju mërgimtareve dhe mërgimtarëve shqiptarë, sot mund të deklarojmë se jemi në pikën më të lartë të miqësisë në historinë e marrëdhënieve mes dy popujve.
Sot në Zvicër jetojnë 170 000 qytetarë të Zvicrës që flasin shqip dhe që kanë të drejtë votë. Nuk ka rrugë, shtëpi, tunel dhe autostradë me rëndësi në të cilën nuk është derdhur djersa e një punëtori shqiptar.
Derisa para 40 vitesh shqiptarët punonin vetëm në bujqësi dhe ndërtimtari, sot ata janë specialistë e ekspertë të fushave të ndryshme: mjek, inxhinier, arktiket, zejtar, bankier, ndërmarrës, pedagog, ligjërues, sindikalist dhe të tillë që kanë mandate politike nëpër shumë komuna e qytete të Zvicrës si dhe janë deputet e deputete në disa parlamente kantonale.
40 vjet janë shumë për një jetë njeriu, por janë pak për historinë.
Ky potencial i madh politik dhe ekonomik, bëri që edhe Shqipëria edhe Kosova të kenë një nivel më të lartë të pavarësisë qoftë ekonomike, qoftë sociale, qoftë politike. Aty ku qeveritë ngecin në ndërtimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve, siç është rasti me pensionet e Kosovës, dalin gjithmonë forca që i shtyjnë proceset përpara.
Me këtë rast dua të falënderoj Sindikatën UNIA për angazhimin e sajë të vazhdueshëm në rregullimin e kësaj çështje e në veçanti aktivistët shqiptar që dhanë një kontribut shumë të çmueshëm për ta shtyrë këtë proces përpara.
Por edhe ky angazhim do të ishte më pak i frytshëm pa mbështetjen shumë të çmuar të miqve zviceran nga politika, të cilët me lobimin e tyre kanë kontribuar që të bëhet një hap përpara drejt mënjanimit të diskriminimit që u është bërë punëmarrësve të Kosovës në Zvicër. Ne, të gjithë së bashku, duhet të angazhohemi dhe të kërkojmë që të kemi sa më parë një marrëveshje i cila i ka parasysh interesat e punëmarrësve nga Kosova
Por ne sot jemi mbledhur pikësëpari për të festuar: 28 Nëntori është një festë e madhe për shqiptarët. Një datë kur ne anë e këndë rruzullit tokësorë festojmë.
Por çfarë deshi Isamil Qemajli dhe shokët e tij të kohës? Kjo duhet të na preokupojë çdo ditë. Për ta forcuar idenë dhe qëllimin e 28 nëntorit, duhet të punojmë çdo ditë dhe të festojmë një herë në vit. Të punojmë çdo ditë i bie të shkollohemi vet dhe t’i shkollojmë fëmijët tonë, të mësojmë nga përvojat e mira të njërit prej vendeve më të zhvilluara në botë, ta rrisim numrin e miqve zvicerian , të angazhohemi edhe të marrim pjesë në jetën shoqëror e politike të Zvicrës, por edhe të vendit prej të cilit vijmë.
Pavarësia shpallet, por ajo merr kuptim vetëm kur ndërtohet
Ne kemi detin, kemi alpet, kemi fushat, kemi njerëzit punëtor dhe të dashur. Kemi shumë më shumë se çfarë mund të ëndërrojnë shumë vende të tjera. Është pra koha që të gjithë së bashku ta kthejmë ëndrrën tonë në realitet!
Ismajl Qemajli me shokë e shpalli pavarësinë, ne duhet ta ndërtojmë çdo ditë dhe në çdo cep të vendit tonë, prej Tiranës, Republikës së Kosovës e më tej.
Edhe një herë gëzuar. Çoftë e rroftë gjithmonë Shqipëria.
Në vazhdim u mbajte një program i pasur artistik, ku defiluan me pika të përzgjedhura Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota”, ansambli “Rinia” nga Shpreintenbahu, grupi “Aktrimi”, si dhe këngëtari Shpend Dërvish Shaqa e të tjerë.