Tubim festiv në Cyrih, dedikuar mësimit plotësues shqip në Zvicër

Manifestimi e organizuar nga LAPSH-i në Glattbrugg i kushtohej festave të marsit dhe 550 vjetorit të kalimit në pavdekësi të Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, për të cilin një kumtesë  e mbajti historiani Frashër Demaj), kishte tubuar jo vetëm mësues të mësimit plotësues nga kantonet zvicerane, por edhe përfaqësues ministror nga Kosova

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati   

Tashmë, prej vitesh Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, në kuadër të festave të marsit ( Ditës së mësuesit e të gruas), mban tubime tradicionale, kryesisht festive ku i bëhet një rezyme aktivitetit njëvjeçar të mësimit plotësues shqip. Po një takim i tillë u mbajt mbrëmë në lokalitetin Glatbrugg, në periferi të Cyrihut, të cilin e shpall të hapur kryetari LAPSH-it për Zvicër, profesor Nexhat Maloku.

Ai që në fillim përshëndeti të pranishmit: Islam Spahiun, Ministër Këshilltar/Udhëheqës i konsullatës së  Republikës së Kosovës në Cyrih,  Rexhep Hotin zv. ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Nuhi Gashin, përgjegjës të njësisë për mësimin plotësues për mërgatë në MASHT, të cilët edhe përshëndetën në emër të institucioneve që përfaqësonin. Ndërkaq, historiani, Prof. Dr. Frashër Demaj, mbajti një kumtesë me titull. “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – figurë qendrore e historisë së popullit shqiptar, e cila zgjoi me të madhe interesimin e të pranishmëve.

Përpjekje për zgjerimin e njohurive për gjuhën dhe kulturën kombëtare

Me këtë rast po jap një pjesë nga fjala e rastit të kryetarit të LAPSH-it për Zvicër , Nexhat Maloku si dhe rrjedhën e programit të mbrëmshëm.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë manifestim, i cili organizohet nga LAPSH Zvicër me mbështetje të Qendrës Kulturore të Cyrihut, theksoi që në fillim Maloku, duke theksuar se :  Ky manifestim përfshin disa përkujtime e festa të cilat tashmë janë bërë pjesë e pandashme e historisë sonë, siç është 550 vjetori i vdekjes së kryetrimit – heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 7 marsi – dita e mësuesit, 8 marsi – dita e gruas, 11 marsi – pranvera e -81-shit e 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës.

Festat tona janë të lidhura ngushtë me ngjarje të lavdishme të historisë sonë dhe duke festuar ne edhe i kujtojmë me shumë pietet të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë, që kombi ynë sot të jetojë i lirë. Ky vit është emërtuar me të drejtë viti i Skënderbeut i cili i paraprinë shumë ngjarjeve të shënuara si Pavarësia e Shqipërisë e më vonë demonstratat e lavdishme të vitit ’81, të cilat u bënë një gurthemel i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, 10-vjetorin e së cilës e festuam muajin e kaluar. Dhe pikërisht këto ditë u përkujtua edhe 20-vjetori i luftës heroike të udhëheqësit të UÇK Adem Jashari dhe familjes së tij, luftë kjo e cila bashkë me rezistencën e shumë të tjerëve ndër breza, dhe me përkrahjen e aleancës perëndimore solli lirinë e shumëpritur të popullit shqiptar në Kosovë. Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Atdheut tonë.

Edhe një pikë shkollore në një lagje të Cyrihut

Ne festojmë me një krenari të ligjshme, ngase edhe këtu në mërgim bëjmë përpjekje që tek nxënësit shqiptarë, pa marrë parasysh se prej nga vijnë ata, të zgjerojmë njohuritë e tyre për gjuhën, historinë dhe kulturën e popullit tonë dhe njëkohësisht t’i përkrahim për një integrim sa më të mirë në shoqërinë e këtushme. Më pastaj Nexhat Maloku falënderoj edhe sponsorët që mbështesin shkollën shqipe si dhe organizimin e këtij manifestimi.

Gjatë përshëndetjes së tij kryetari i këshillit Kantonal,  Naser Ulaj prezantoj edhe mësuesen Lindita Shala,  e cila sapo ka hap një klasë e re me 10 nxënës në një lagje të Cyrihut.

Mirënjohje për mësues dhe veprimtarë të LAPSH-it

Më pastaj Nexhat Maloku prezantoj vendimet e mirënjohjeve duke përmend se:

LAPSH “N. Frashëri” Zvicër në këtë vit jubilar të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka vendosur që të ndajë disa mirënjohje për mësimdhënësit dhe aktivistët, në shenjë të respektit për punën që kanë bërë gjatë shumë viteve në të mirë të shkollës shqipe në Zvicër.

Mirënjohja e parë i ndahet një mësueseje, e cila për më se dy dekada punon me shumë sukses me nxënësit shqiptarë në kantonin e Juras. Ftoj mësuesen Nexhmije Mehmetaj që të vij të marrë mirënjohjen.

Mirënjohjet e radhës janë për dy mësuese nga kantoni i Gjenevës :  Cyme Zeqiraj, e cila ka punuar që nga shtatori i vitit 2000 deri në qershor 2017 dhe Ravella Marika, e cila ka punuar në Gjenevë që nga shtatori i vitit 2002. Pasi që ato sonte nuk janë të pranishme ftoj kolegun Agim Paçarizi që t’i marrë mirënjohjet. Dy mirënjohje të tjera janë për dy aktivistë të devotshëm të LAPSH-së, të cilët vullnetarisht kanë punuar për shumë vjet në shërbim të shkollës shqipe në Zvicër. Ftoj së pari sekretarin e LAPSh,  Abas Fejzullahu që të vijë të marrë mirënjohjen.  Aktivisti tjetër është gjithashtu një bashkëpunëtor i cili është kujdesur për arkën e LAPSh-së, e cila edhe pse e varfër, është udhëhequr me shumë profesionalizëm nga Nezir Mehmetaj. Në kantonin e Bernës kemi një mësues e aktivist i cili që nga fillimi është angazhuar në organizimin dhe udhëheqjen e mësimit shqip. Ftoj mësuesin Veton Dizdari që të vijë të marrë mirënjohjen. Në kantonin e Argaut është një mësues i cili ka dhënë shumë për LAPSH. Hamzë Morina është pensionuar këtë vit. Ai ka udhëhequr LAPSh për një periudhë dhe ka dhënë një kontribut të çmuar për mbarëvajtjen e shkollës shqipe në Zvicër.

Në fund të vitit të kaluar shkollor në kantonin tonë pas një pune e angazhimit të gjatë kolegu ynë i nderuar Hasan Spahiu u pensionua. Por duke pasur një përvojë të madhe në fushën e shkollës shqipe ne nuk po e lëmë rehat as tash dhe mund të themi që ai është vazhdimisht pjesë e aktiviteteve tona. Në shenjë mirënjohjeje për punën e tij të suksesshme në kuadër të shkollës shqipe ftojmë Hasanin të vijë të marrë mirënjohjen. Në kantonin e Cyrihut, tradicionalisht me më së shumti nxënës që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, kemi një mësues që jo vetëm se është kryetar i Këshillit Kantonal por punon vazhdimisht me shumë zell me nxënësit e tij për më shumë se dy dekada. Ftoj Naser Ulaj të vijë të marrë mirënjohjen.

Mirënjohje edhe nga Këshilli Kantonal i LAPSH të Cyrihut

Në vazhdim Këshilli Kantonal i LAPSH për Kantonin e Cyrihut ka vendosur që në shenjë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës t’ua ndajë nga një mirënjohje për angazhimin e tyre të gjitha mësueseve e mësuesve të cilët punojnë në shkollën shqipe në kantonin e Cyrihut.

Këto mirënjohje i ndau kryetari i Këshillit Kantonal, Naser Ulaj edhe atë për mësueset Elfete Hasi, Hava Shala, Afërdita Veliu, Remzije Shabani, Sabahate Krasniqi, Ramize Maloku, Mimoza Dako dhe aktivistin Lulzim Hasi. Siç u tha me këtë rast: Këto mësuese të vyeshme punojnë me qindra nxënës, duke filluar nga fëmijët e kopshtit parashkollor e deri tek nxënësit e klasës së nëntë.

Një mirënjohje e veçantë i takoi edhe një mësueseje shkodrane e cila për shumë dekada ka arsimuar nxënësit jo vetëm në Shkodër por edhe në Cyrih. Por kontributi i saj shumë i veçantë është në kuadër të organizimit të kurseve të gjuhës gjermane për gratë shqiptare në kantonin e Cyrihut. Për vite të tëra ajo ka arritur që të udhëheqë shumë kurse duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në integrimin pozitiv të grave shqiptare në shoqërinë zvicerane. Projekti i saj në kuadër të shoqatës “Drita” ka marrë edhe çmimin e UNESCO-s.

Mirënjohje një miku zviceran që ndihmoi mësimin shqip

Maloku, potencoi se sonte një mirënjohje kemi nderin t’ia ndajmë një miku zviceran, i cili para pak muajsh u pensionua, por i cili ka bërë shumë për sensibilizimin e çështjes së mësimit plotësues në Drejtorinë e Arsimit të Kantonit të Cyrihut, ku ai ka punuar. Ai ka ndihmuar vazhdimisht edhe LAPSH dhe shqiptarët në përgjithësi.

Gjithashtu, mirënjohje iu nda edhe Nuhi Gashit përgjegjës për mësimin plotësues në MASHT, për të cilin Nexhat Maloku th se: “ ka bërë shumë për shkollën shqipe në diasporë dhe ne kemi nderin t’i japim një mirënjohje për angazhimin e tij të vazhdueshëm për shkollën shqipe”.

Ky tubim festiv u shoqërua edhe me një program artistik, të shfaqur nga ana e nxënësve të mësimit plotësues të kantoneve të Bernës e të Cyrihut dhe përfundoi me një darkë të përbashkët dhe program muzikor, të përshkuar me një atmosferë kolegjiale festive.