Grupeve dhe manifestimeve muzikore ferizajase me gjatësi gjysmëshekullore ( AKV “Kastriotët¨ dhe “Kosovarja këndon”), prej mbrëmë përmes një koncerti spektakël, me prani të mbi një mijë e sa adhuruesve, iu bashkua edhe grupi “TRIX” me këngëtarin e mirënjohur Veli Sahiti, që ngriti famën e këtij grupi dhe të vet qytetit të tij edhe jashtë kufijve të shtetit të Kosovës.
Teksti dhe fotot Rexhep Rifati
Mbrëmë për të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në gala koncertin në shenjë të 50 vjetorit të themelimit të rok grupit “TRIX”, të mbajtur në pallatin e sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj, ishte kjo një ngjarje festive e përjetuar dhe e shënuar edhe me ngritje në këmbë e ovacione në shenjë nderimi për grupin e tyre TRIX që shënon edhe fillimet e lindjes së grupeve të para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, nga tre bashkëthemeluesit: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi dhe Nuredin Azemi. Derisa dy të parët patën fatin ta përjetojnë dhe gëzojnë këtë manifestim i treti- Nuredin Azemi prehet në amshim, por që edhe atë ferizajasët e nderuan me një ngrije në këmbë dhe me duartrokitje të gjata, siç ndodh me ata që na mungojnë, por që lanë vulë të pashlyeshme në skenën tonë artistike.
Për mua që pata fatin ta përjetoi edhe themelimin e edhe këtë koncert pas gjysmë shekulli, ndjeva nga afër rritën dhe ngritjen jo vetëm të këtij grupi por edhe të vet muzikës ferizajase, kur në skenë defiluan këngëtare e këngëtarë të ri të rreshtuar në muzikën e lehtë shqiptare çfarë dikur vetëm kemi mundur ta ëndërronim. Edhe orkestra e Trupës artistike regjionale me drejtor Bardhyl Abazi, nën dirigjimin e Valton Beqirit si dhe moderimi mbresëlënës i aktorit të mirënjohur Nexhat Xhokli i dhanë vulë të veçantë këtij manifestimi të papërsëritshëm kulturor gjysmëshekullor.
Edhe me këtë rast fjalë mirënjohëse nga organizatorët e këtij tubimi jubilar, pati për vet kryetarin e komunës, Agim Aliu, në mbështetjen e të cilit edhe u shënua ky gjysmëshekullor i “TRIX-it” ferizajas. Në shoqërim të kryetarit Aliu, në cilësinë e mysafirit, ishte edhe kryetari Cedar Falls, Robert Green.
Ky manifestim kulmoi me daljen e Veli Sahitit në skenë, i cili ndonëse i shtyrë në moshë, u shfaq jo vetëm me një petk solemn, por edhe me një këndimi brilant “Të zeshkanes sime” si edhe në moshën e tij më të re. Ishte edhe vet publiku ferizajas ai që din ti çmoj jo vetëm vlerat por edhe njerëzit e vetë që aq shumë e popullarizuan qytetin e tyre përmes artit, duke bërë të njohur jo vetëm në masa kombëtare por edhe ndërkombëtar.
Do theksuar me pak fjalë se Veli Sahiti-Trix ka lindur dhe jeton në Ferizaj, duke qenë edhe mësimdhënës i dalluar dhe se deri më tash ka realizuar më se 20 albume muzikore si solo këngëtar dhe kompozitor, duke qenë prezentë në skenën muzikore që nga vitet ‘70 është të shekullit të kaluar.