Tribuni i Dardan i Pavarësisë Hasan Prishtina, që moti e kishte vendin në Vlorë!

Sot në Vlorën e Ismail Qemalit ishim dëshmitar të një akti madhor, zbulimit të shtatores së Tribunit Dardan të Pavarësisë, Hasan Prishtinës, punuar nga skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj,  që sipas Mehmet Prishtinës, ky tribun  “që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dinë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë.- Fjalë rasti mbajtën edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj dhe bashkiakët e Prishtinës e Vlorës  Përparim Rama e Dritan Leli, ndërsa pjesën artistike e përmbushën orkestra e gardës shqiptare dhe grupi artistik nga Labëria.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati, raport ekskluziv nga Vlora 

Vlora sot gdhiu nën petkun solemn edhe të një ngjarje shumëdomethënse si për të kaluarën dhe të ardhmen e saj, pasi nga sot monumenteve të figurave qendrore të Pavarësisë së Shqipërisë në 110  vjetorin e saj, krahas Ismail Qemalit e Isa Boletinit, do ti bashkohet edhe ajo e kolosit të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, Hasan Prishtinës, e derdhur në bronz nga skulptori mitrovicas, Sabri Behramaj

Orator i parë në këtë ngjarje me peshë historike, ishte Ministri i Mbrojtjes,  Armend Mehaj i cili me fjalën e rastit vlerësoi lartë kontributin e Hasan Prishtinës, duke potencuar se: “Figurat e tilla si kjo e Hasan Prishtinës nuk njohin kufij shtetëror, ngase të tillë kufij nuk kishte bërë as kur ishte gjallë. Hasan Prishtina nuk ishte i Prishtinës, as i Vushtrrisë qytetit ku lindi, por ashtu siç është sot ishte i gjithë atdheut” përkujtoi ministri Mehaj.

Me këtë rast shkëputëm aksente nga fjala e fjala fjala e Mehmet Prishtinës,  përfaqësues i trungut familjar të Hasan Prishtinës, i cili ishte edhe ideator e edhe financues i këtij monumenti, që nga sot stolis parkun e Shtëpisë së Kulturës  “Labëria” në Vlorë, në afërsi të monumentit të Ismail Qemalit e të Isa Boletinit:

Hasan Prishtina, një amanet i dyfishtë që po vjen në Vlorë

Që në fillim Z. Mehmet Prishtina tha se: sot para jush vjen një amanet i dyfishtë nga Kosova. Amaneti i parë është vet historia Kosovës që është ngusht e lidhur me Vlorën e Pavarësisë, me Vlorën e Ismail Bej Qemalit,  kurse amaneti i dytë është i babait tim të ndjerë si detyrim moral për mua, që u vra në një ballafaqim me forcat serbe në Drenicë. Ky amanet sot ndodhet para jush, është shtatorja e kolosit tonë Hasan Prishtina, e derdhur në bronz nga skulptori nga Mitrovica, Sabri Behramaj, një vepër kjo artistike e punuar me dashuri  e përkushtim të madh krijues. Prandaj, shfrytëzoj rastin që sot publikisht të falënderoj Sabriun për këtë vepër që u bë edhe shkas të jemi sot bashkë të gjithë në Vlorën tonë të lavdisë dhe bujarisë, aty ku në shiritin e kohës na rikthehet edhe një herë ballkoni prej ku u valvit për herë të parë flamuri i shtetit të pavarur shqiptar si dhe fama e burrave të Kaninës, prej ku doli figura markante e Ismail Bej Vlorës.

Hasan Prishtina moti e kishte vendin në Vlorë

Hasan Prishtina që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dijnë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë. Dhe tani, jo vetëm që po e kthejmë në vend një padrejtësi të shtresuar me dekada, por po vendosim edhe një komunikim të përhershëm e të pandërprerë në mes të këtij kolosi dhe brezave të ardhshëm, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë historike e kombëtare të procesit të shteformimit shqiptar.
Kjo edhe për faktin se Hasan Prishtina, jo vetëm që ishte një nga arkitektët kryesor të Pavarësisë së Shqipërisë, por, ai me dijen, guximin dhe largpamësinë vizionare i dha kombit tonë dinjitetin përfaqësues në arenën e madhe diplomatike të kombeve tjera.
Ky përfaqësim fillimisht buronte nga brenda, sepse ai me besnikëri dhe devotshmëri të lartë i përfaqësoi krahinat shqiptare që nga Shqipëria e mesme e deri ato të jugut të Shqipërisë në negociatat me autoritet turke në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Duke qenë anëtar i kabinetit të parë qeveritar të Ismail Qemalit, pastaj edhe kryeministri i tetë i Shqipërisë, Hasan Prishtina, gjithë trajektoren e veprimit të tij politik e kombëtar e kishte të përqëndruar në krijimin e rrethanave për një atdhe të përbashkët të shqiptarëve. Por, gërshërët e konferencave ndërkombëtare e pamundësuan realizimin e këtij projekti…
Sot kur në Vlorën tonë të lavdisë dhe dinjitetit kombëtar po e përjetësojmë figurën e Hasan Prishtinës në formë të kësaj shtatoreje të bukur, s’ka si të mos falenderojmë të gjitha ato subjekte, individë, institucione e segmente shtetërore këtu në Shqipëri, sidomos Bashkinë e Vlorës, për nderin që po i bëhet sot  figurës së Hasan Prishtinës, duke e vendosur atë në një hapësirë mjaft të dinjitetshme, në një diagonale me figurën markante të Ismail Bej Vlorës, me çka po plotësohet edhe një mozaik i munguar i kujtesës urbane në këtë qytet historik me rënëdisi jetike për gjihë shqiptarët.
Hasan Prishtina udhëtoi nga Mitrovica në Vlorë i shoqëruar nga trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, prandaj një faleminderim i sinqertë shkon edhe për ta, duke veçuar me këtë rast kontributin e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Z. Armend Mehaj, i cili vuri në dispozicion një prej segmenteve më të shenjta institucionale të shtetit tonë – FSK-në

Hasan Prishtinën nuk mund ta shohim të shkëputur nga proceset që kaloi Kosova

Personalitetin e Hasan Prishtinës nuk mund ta shohim të shkëputur nga proceset nëpër të cilat kaloi edhe Kosova, prandaj shfrytëzoj rastin që të falënderoj për kontributin e tyre atdhetar  edhe çlirimtarët tanë që padrejtësisht sot ndodhen në Hagë, si dhe gjithë pjesëmarrësit dhe veteranët e Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Sepse vetëm lufta heroike dhe flijimi për liri i ushtarëve të UÇK-së, prodhoi krenarinë e madhe kombëtare të cilën Hasan Prishtina paraprakisht e kishte projektuar në platformën e veprimit të tij politik e kombëtar. Pra, duke qenë ndjekës të rrugës së Hasan Prishtinës, klasa politike shqiptare ka shanse ideale që të konsolidoj strategjinë shtendërtuese, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra konkrete, ashtu siç veproi Hasan Prishtina, i cili ishte një shembull i rrallë në historinë tonë kombëtare, duke mos marrë asgjë nga politika, por vetëm duke i dhënë asaj gjithçka të shtrenjtë. Hasan Prishtina shqiptarisë i dha modelin e politikanit që nuk blihet as nuk shitet në këmbim të kauzave të huaja politike. Ai ndërtoi kauzën e tij dhe e zgjeroi në gjithë hapësirën shqiptare, që nga Juniku, në Shkup, që nga Drenica në Labëri, që nga Prishtina në Plavë e Guci.
Duke iu falënderuar gjithë juve që keni ardhur sot nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe nga viset tona shqiptare në Mal të Zi, Serbi e gjetiu, në emër të familjes së gjerë të Hasan Prishtinës u shprehim mirënjohjen tonë të thellë me një zotim se doktrina hasaniste do të jetë pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm kombëtar.
Zoti ju bekoftë gjithë juve…
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë degët e trungut tonë etnik në Ballkan dhe më gjerë…. përfundoi fjalën e tij Mehmet Prishtina, i cili brenda një viti organizoi në qytetet të ndryshme të kryeqendrave shqiptare edhe një varg veprimtarish kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Prishtinës.