Sikur është bërë zakon që emisionet debatuese t’i fusin në mbarim edhe një anketë. Ta sheqerosin pak debatin. Apo edhe ta zeherosin fare. Varësisht kënd e kanë të ftuar në debat dhe varësisht si del rezulati i anketës. Kjo po bie në sy sidomos kohëve të fundit. Mbase për shkak të ngjitjes së temperaturave politike pas përmbysjes së qeverisë së re të Kosovës. Për shkak se tani mendimi i opinionit të gjërë ka fituar më shumë rëndësirë.
Të bie njëlloj në sy që për të njëjtën pyetje, ose një çështje të ngjashme, të dalin dy përgjigje që bien ndesh me njëra-tjetrën! Dy përqindje të ndryshme, dy rreshime të ndryshme të publikut. Dhe është i njëjti opinion publik. Dallon vetëm mysafiri në studio dhe studioja vetë. Kanali televiziv. Dhe ata një gjë të tillë e marrin si të mirëqenë. Dhe e japin si të padyshimtë. Po si është e mundur kjo?
Kur Albert Einstein i prezantoi idetë dhe gjetjet e Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit në fillimet e tij para një akademie në Gjermani, duke i evidentuar edhe sfidat matematikore për mbështetjen e saj të mëtutjeshme, një matematikan i dëgjuar i kohës ishte shprehur në mënyrë lartësuse dhe rrënuese njëkohësisht: Kjo fizika është një punë tepër e madhe për t’ua lënë në dorë fizikanëve! Më shumë e tillë duket të jetë demoskopia, hulumtimi emprik i opinionit: Ajo është diçka e madhe për t’ua lënë në dorë gazetarëve!
Kjo që merret me kaq lehtësi është një lëndë vendimtare në studimet e shkencave sociale. Gogoli i studentëve të këtyre disiplinave: Metodat e studimit empirik social dhe statistika. Gijotina e tyre! Aty e pakta mëson si lexohet një pasqyrë statistikore, respektin ndaj së vërtetës, kujdesin në përgjithësimin e pohimeve, raportet shkak-pasojë, tezat e hipotezat, kushtet shkencore… Aty njihen kurthet nga të cilat janë të rrezikuar përfaqësuesit e shkencave humane dhe atyre sociale, por jo vetëm.
Ka një anekdotë interesante. Një sociolog, një fizikan dhe një matematikan në luadhin e një fshati shohin tri dele të zeza. Sociologu, si më komunikativ, pohon: «Ky vend paska vetëm tri dele, dhe të gjitha të zeza». Fizikani e korrigjon sakaq me gjykimin më të mprehtë të disiplinës së tij: «Ne shohim vetëm tri dele të zeza…». Matematikani nuk duron më, dhe me logjikën e tij të hekurt vëren: «Ne shohim vetëm tri dele, të cilat nga njëra anë janë të zeza».
Filozofi popullor Bertrand Russell në librin e tij “Vëzhgime jopopullore” bën një hierarki të njohjeve vrojtuar nga këndi i sigurisë së tyre. Dhe në fillim i rendit ato matematikore, kurse në fund ato metafizike. Ndërsa dishepulli i Karl Popperit, atij që i ka vendosur standardet e studimeve empirike, Thomas Kuhn, flet për njohje të maturuara, paradigma, dhe njohje të pamaturuara, paraparadigma. Tek të parat bëjnë pjesë ato matematikore, kurse njohjet sociale kualifikohen si të papjekura.
Revita “Literary Digest” me 2,4 milionë të intervistuar ia kishte huqur për 19 për qind në parashikimin e rezulatit të zgjedhjeve për president ndërmjet Roosveltit dhe Landonit më 1936. Kurse George Gallup ia kishte qëlluar me hulumtimet e tij me vetëm disa mijëra të intervistuar. Nga ky moment revista fundoset dhe ngrihet Gallupi, i cili ka ende nam në këtë fushë. Për ironi, ky i fundit ia huq më 1948 me parshikimin në zgjedhjet ndërmjet Deweyt dhe Trumanit. Sekreti i (mos)suksesit: reprezentativiteti i kampionit, mostrës.
Lajthitjet e sondazheve në debatet televizive të kanaleve tona nga njëra anë janë shfaqje të mosnjohjes së një dicipline sa interesante, aq edhe të specializuar. Pa një ligjërim para apo prapavajtës për metodologjinë e sondazhit, “përzgjedhjen” e respondentëve, margjinën e gabimit etj. ato rrëfejnë për joprofesionalizmin e punës së tyre. Ky identifikohet që në formulimin e çështjeve, të cilat ndodh të jenë të caktuara me ligj dhe opinionet janë të pakuptimta.
Këto sondazhe plasohen pa paralajmëruar auditorin për natyrën e tyre joprofesionale dhe eksperimentale… Sigurisht! Për më tepër, edhe pa garancitë teknike kundër falsifikimit të rezultateve. Për shembull, nga votimi i organizuar. Një punë gjysmë e lavdëruar: Para pak muajsh në një sondazh të tillë mbi performansën e ministrave të Qeverisë së Shipërisë, stafi teknik i emisionit kishte indentifikuar se pjesa më e madhe e mijëra votave kishin ardhur nga selia e partisë në pushtet.
Ideja është të merret mendimi i të gjithë shoqërisë së një vendi. Ndërsa këto anketime na rrëfejnë vetëm mendimin e këtyre personave që kanë votuar, sado qofshin ato në numër. Për një ide të mirëfilltë të pulsit të opinionit publik për një çështje të nxehtë, del më mirë që në vend të vjeljes së mijëra klikimeve nga publiku, të thirren – me sistem – vetëm 100 qytetarë nga ana e medies.
Një shpjegim tjetër, i cili duhet të konsiderohet në këtë gjurmim, është afirmimi i politikës redaksionale të medies përmes plasimit të sondazheve të pakontrolluara, përkatësisht të kontrolluara. Një element më shumë për t’i sugjestionuar publikut opinionin e vet për proceset dhe aktorët. Nuk është e panjohur, që mediet t’i shërbejnë një ideologjie, partie, biznesi, presidenti, kryeministri, kryebashkiaku, kandidati për këto dhe akoma më keq se kaq.
Portali “Partia sot” para pak ditësh i raportoi të dhënat e një studimi të dy instituteve lidhur me disponimin politik të popullatës në Maqedoninë e Veriut, “Anketë: Ahmeti më i besueshëm te shqiptarët ndërsa Zaevi te Maqedonasit”. Në raport jepen gjetjet për besueshmërinë e partive dhe të institucioneve. Madje me shënimin për margjinën e gabueshmërisë së hulumtimit. Por, nuk gjindet asnjë shënim për besueshmërinë në aktorët politikë, sikurse e thotë titulli!


















