Abdullah Prapashtica (kujtime…)
Ishte fundi vitit 1981. Ne kishim një muaj që gjendeshim në Turqi. Gjatë nëntorit 1981, unë së pari mora kontakt me Konsulatën e Shqipërisë në Stamboll dhe pastaj pasi që ne u vendosëm në Ankara ne morëm kontakt me Prof. Bujar Hoxha që gjendej në Ambasadën e Shqipërisë në Ankara!
Prof. Bujar Hoxha, asokohe ishte në detyrën e diplomatit në Ankara dhe kishte funksion të dyfishtë: si Këshilltar i Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës dhe njëheraz i dërguar si Këshilltar i Ambasadës në Ankara me një mision të veçantë që të kontaktonte shqiptarët që vinin nga Kosova për të mësuar edhe nga ta më shumë mbi gjendjen pas demonstratave të Pranverës së vitit 1981 dhe situatën pas vendosjes së Kosovës nën Administratën Ushtarake të Jugosllavisë.
Me Prof. Bujar Hoxha u miqësuam shpejtë, sepse ai ishte një njëri i dashur që shpejtë të bënte për vehte! Në gjysmën dytë të dhjetorit 1981, Prof. Bujar Hoxha na ftoi në një drekë. Por, dreka si e tillë nuk u realizua, për shkaqe të pa njohura për ne. Nga Ambasada na thanë vetëm se Prof. Bujar Hoxhës iu ishte dashur të udhëtojë urgjent për në Tiranë.
Në mbrëmje ishim të ftuar në një darkë te një bashkatdhetar nga Prishtina që jetonte në Turqi. Gjatë darkës erdhi djali i dajës tim Hamdiu dhe me tha se po me kërkonte dikush nga Ambasada e Shqipërisë. Ishte rreth orës 21 në mbrëmje dhe kjo më befasoi. Kur dola pash se ishte shoferi i Ambasadës dhe një Atashe. Më njoftuan se Prof. Bujar Hoxha ka udhëtuar urgjent për në Tiranë për disa ditë dhe se e ka lanë një zarf të mbyllur për mua. Unë e morra zarfin dhe pa e hapur e futa në xhepin e sakos, iu falënderova dhe u përshëndeta me ta!
Të nesërmen të gjitha agjencitë e lajmeve dhanë lajmin mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut!
Pas disa ditësh erdhi Prof. Bujar Hoxha nga Tirana dhe na ftoi në Ambasadë. Na përshkroi ngjarjen mbi Mehmet Shehun, ashtu si ishte dhënë lajmi edhe përmes Radio Tiranës. Natyrisht se ky lajmë na tronditi edhe neve. Me kujtohet se në Kongresin e 8-të të PPSH-së kishte nje dallim mes fjalimeve të Enver Hoxhës dhe atij të Mehmet Shehut.
Po përpiqem ti citoi, edhe pse mund të mos jam krejtësisht i saktë, ngase që atëherë kanë kaluar pothuajse 4 dekada!
Enver Hoxha në fjalimin e vet ndër të tjera pati deklaruar se:
“… Shqipëria do ti përkrahë vëllezërit shqiptarë të Kosovës me të tëra forcat e mendjes dhe të zemrës…”!
Ndërsa, Mehmet Shehu në fjalimin e vet ndër të tjera pati deklaruar se:
“…Shqipëria do ti përkrah vëllezërit shqiptarë të Kosovës me të tëra forcat që i ka shteti shqiptar…”!
Këtij dallimi ne nuk i dhamë shumë rëndësi në atë kohë, por më vonë u kuptua se dallimet ishin esenciale!
Kaloi disa kohë dhe, nëse nuk gaboj, në ditën e Republikës se Shqipërisë, me 11 janar 1982, ishte hera e parë që kjo festë nuk u përcoll me manifestime të zakonshme si më parë dhe kishte vetem disa deklarata te zbehta! Por, rreth vetëvrasjes së Mehmet Shehut ende nuk u tha hapur ajo që me vonë doli si një senzacion, kur ai u akuzua si “poli-agjent”…
Ende pa kalua tronditja nga vetëvrasja e Mehmet Shehut, në krye të muajit, një lajm tjetër tronditës për ne erdhi në vizitën e radhës në Ambasadën e Shqipërisë nga Prof. Bujar Hoxha:
Ishte ky lajmi mbi atentatin UDB-së në Gjermani ku ishin vrarë Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla me 17 janar 1982, që na e kumtoi Prof. Bujar Hoxha. Unë e pyeta profesorin se kur ka ndodhur atentati, ai tha se atentati ka ndodh mbrëmë në orët e natës!
Tronditja ishte e dyfishtë edhe për humbjen e këtyre patriotëve, por edhe pse kjo do të shkaktonte edhe vështirësi në përpjekjet tona për bashkimin e Organizatave Ilegale.
Ishim shumë të pikëlluar për humbjen e shokëve të idealit, por edhe shumë të brengosur edhe për fatin e Bisedimeve për Bashkimin e Organizatave tona Ilegale që i kishim filluar me 20 Nëntor 1981.
Ne e dinim se UDB-a me këtë atentat po mundohej të ndalte procesin e bashkimit të Organizatave tona ilegale me një Lëvizje të përbashkët. Por, falë edhe angazhimit të shokëve të Jusuf Gërvalles, që në atë kohe kishin qëndrime shumë korrekte, në krye të muajit, më 17 shkurt 1982, mbas atentatit të UDB-ës në Gjermani, ku vranë Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, u mbajt Mbledhja e Bashkimit mes përfaqësuesve të PKMLSHJ dhe LNÇKVSHJ ku u vendos bashkimi i Organizatave tona ilegale në LPK (që fillimisht u emërtua si LRSSHJ)!
Me 15 maj 1982 Lëvizjes sonë iu bashkua edhe OMLK!
LPK-ja u themelua 1 muaj pas vdekjes së tyre, por te ne fryma e veprimtarëve të vrarë nga armiku pushtues jugoslllav ishte gjallë dhe ajo na frymëzonte që Vendimet e morra ti qonim deri në fund!
Lëvizja jonë nga ajo kohe u rrite dhe u zhvillua në përmasa gjigante në krahasim e organizatat tjera ilegale të mëparshme. Epilogun e saj, prej themelimit e deri te lufta e UÇK-ës e dimi të gjithë!
Ka pas dhe ka përpjekje për manipulime nga disa matrapaz me data historike, 30 vite mbas themelimit te LPK, por historia është shkence e saktë që nuk duron shtrembërime, falsifikime dhe të pavërteta! Ngjarjet dhe datat historike të përcjella edhe me fakte dokumentuese e dëshmitar nuk mund të ndryshohen pse nuk i përshtaten e pëlqejnë ato dikujt! Ato nuk janë objekte që mund të zaptohen e të tjetërsohen sipas komplekseve e tekave të kujtdoqoftë, e a as nuk janë plaçke që mund të vidhen e përvetësohen nga hajna me përvojë të çfarëdo kategorie që ata mund të të jenë.
Roli i dëshmorëve të janarit në historinë tonë kombëtare është kolosal, prandaj ai nuk ka nevojë as të stërmadhohet jashtë përmasave reale, as të minimizohet, sepse ashtu e humbë seriozitetin dhe vlerën e vet reale!
Ata do të mbesin përherë frymëzim dhe udhëzim për brezat e ri se si duhet atdheu dhe se si dueht vepruar për te!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Rroftë Shqipëria e bashkuar!
Rroftë Flamuri i saj!