Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në rrethin e
Shkodrës të Shqipërisë. Pas reformës së qeverisjes lokale të vitit 2015, ajo u bë pjesë e rrethit Shkodër dhe u shpall Qendër e Mbrojtur Historike nga Qeveria Shqiptare. Fshati është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit, një zonë me bukuri natyrore të dalluara.
Fshati ndodhet më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve me një bukuri të rallë, në
Veri të Shqipërisë. Shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre
malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit, shtrihet lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre Alpeve, 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.
Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha.
Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Mbështetur në të dhënat historike te grumbulluar, në toponimet që janë në këtë fshat
dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë :
Nga emri “thep” Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e te tjera, shpreheshin : “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Në këtë fshat ka shumë vende që emërtohen dhe rreth fjalës “thep-a, -i, -at” si: “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Në kuptimin që emërton fjala “kuj”
(kunj) pothuaj është shumë e përafërt me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka
më shumicë, p.sh. “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj.
Krahas këtyre, malet e larta dhe të mprehta si “thika” që njerëzit në mënyrë të
zakonshme e përdorin shprehjen “…në thika të majave…”, “…në thika…”, “…prapa
atyre thikave që duken…”, e te tjera, mund të shkojnë në favor të prejardhjes së
emrit Theth nga fjala “thep” i cili ka përparësi me emrat “kunj” dhe “thika” në kuptimine vendit që emërtojnë.
Nga emri “thekër”
Duke zhvilluar një bujqësi ekstensive, duke prerë e djegur pyjet, banorët mbillnin
thekër. Atëherë nga përdorimi i shprehjes “në thekën”, në të folurën krahinore, “…po
shkoj në thekën”, “…isha në thekën…”, “…thekën”, “Thekna”, rrugës deri në fiksimin e emrit, evoluoi dhe na erdhi “Theth”. Toponime me emrin “thekën” ka disa në Theth si
“Theknat” disa : “Thekna e Hasës”, “Zhari i Theknës” e të tjera.
Nga fjala “thellë”
Thethi është një gropë e thellë në krahasim me malet që e rrethojnë. Edhe si luginë
është mjaftë e thellë në drejtim të burimit të lumit të Shalës, sa që edhe banorët më
të afërt janë mbi një orë larg. Gjatë veprimtarisë së tyre, njerëzit mund të kenë
përdorur shprehjet : “…isha atje thellë…”, “…në thellësi…”, “…thellë…” e kështu me
kalimin e kohës u formua emri “Theth”.
Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që
kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj,
janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë
interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë
bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri
natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e
Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës,
formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës
është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në
3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që
shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.
(Reference në shkrim Wikipedia, foto të realizuara nga Lum Limani, instagram: hectrips)