“Teuta” nga Lozana, shoqëri artistike e profilizuar në numër e cilësi

Në vazhdën e prezantimeve të grupeve artistike shqiptare në trojet etnike e në mërgatë në këtë fund javë portali ynë prointegra.ch ,  ju njofton me Shoqërinë Kulturo Artistike “Teuta nga Lozana që në skenë për herë të parë ka dalë më 21 prill 2005, por që tash ka krijuar një numër solid anëtarësh grup moshash të ndryshme, duke e prezantuar kulturën shqiptare jo vetëm në mesin e mërgimtarëve tanë në Zvicër por edhe në mesin e vendaseve përmes pjesëmarrjes në festivale të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë shtetit helvetik.

Nga Rexhep Rifati

Me këtë rast po kthehem prapa në kohë, kur në trevjetorin e themelimit bëra një shkrim për këtë shoqëri që sapo kishte bërë hapat e parë nga edhe po sjelli disa foto të asaj kohe, duke huazuar edhe foto të ma vonshme nga vat aktivitetet e “Teutës” ndër vite:

Në vazhdën e prezantimeve të ansambleve muzikore në Zvicër kësaj radhe prezantojmë SHKA“ Teuta“ të Lozanës, një shoqëri tejet aktive e cila tashmë është afirmuar jo vetëm në regjionin ku vepron por edhe më gjer. Gjatë një vizite gjatë vikendit të posa kaluar që i bëmë kësaj shoqërie vërejtëm se në mesin e saj vërtet mbretëron një atmosferë pune e kolegjialiteti, veçori kjo e ansambleve mjaft të konsoluduara. . Edhe atë për shumë arsye jo vetëm pse sheh e dëgjon tërë atë entuziazëm rinor të valltarëve e këngëtarëve të zellshëm e të talentuar, por edhe pse përjeton një ngrohtësi të veçantë ne mesin e drejtuesve të kësaj shoqërie ku mbretëron një atmosferë më se familjare. Këtë përshtypje e fituam në të parë gjatë një vikendi derisa për disa orë qëndruam në lokalet ku ushtronte kjo shoqëri diku në periferi të njërit nga qytetet më të bukura që ka Zvicra. Në atë ambient përplot tinguj muzikor e gjallëri rinore, nuk kishte njeriu si të mos ndihej i disponuar e relaksuar..

Aktualisht pra, Lozana, ku jeton një komunitet të dendur shqiptarësh dhe varg shoqërish, asociacione e grupe kulturore shquhet edhe me dy shoqëri artistike “Ilirët” të themeluar më herët dhe “Teutën” që në skenë ka dalë pas themelimit të saj më 21 prill 2005.

Nga bashkëbisedimi me drejtuesit e SHKA”Teuta”, Meta Ramadanin, koreografin Florim Krasniqin (një valltar veteran nga Shoqëritë “Bajram Curri” e “Ramiz Sadiku” që nga vitet e 80-ta) dhe Gani Fazliun, njërin nga shtyllat kryesore të shoqërisë, i cili kryen rolin e udhëheqësit artistik , ata sikur kanë më tepër dëshirë të flasin për vetë anëtarët dhe gatishmërinë e prindërve e në veçanti të sponsorit kryesor të “Teutës” z. Muhamet Delijaj, pronar i lokalit “Burimi”i cili pos që ua ka lanë falas lokalin në dispozicion i mbështet edhe financiarisht gjatë pagesës së sallave për koncerte. Po të mos ishin bamirësit e tillë vështirë e ka amatorizmi të qëndrojë në k¨mbë në mërgatë.  Këtë shoqëri, siç mësuam, e mbështesin edhe  Burim Muçaj, Feim Jemini, Asllan Karaj, Isni Jemini , Njazi Hulaj e të tjerë.

Karakteristike e “Teutës” është se ajo në gjirin e vet përfshin fëmijë  e të rinj deri në moshën 18- vjeçare që kanë lindur në Zvicër, por që përmes valleve e këngëve ruajnë forcojnë edhe më tepër traditën dhe gjuhën amtare. Po te kjo shoqëri bie në sy edhe një orkestër i konsoliduar mjaft mirë e që drejtohet me sukses nga e reja Shqipe Fazliu, e cila siç mësuam që nga mosha 3- vjeçare ka filluar të këndojë shqip ndaj edhe për Shqipen thonë se ka lindur bashkë me këngën.

Shoqëria “Teuta” me programin e vet tejet të suksesshëm” deri më tash ka bërë rreth 40 prezantime edhe atë shumicën para vendasve, miqve zviceran që janë mjaft të pasionuar edhe pas artit shqiptar. SHKA”Teuta” sidomos ka qenë aktive në ditët e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke pasur brenda një muaji 4 paraqitje edhe atë në qendrat më të mëdha në Zvicër si në Bernë, Lozanë, Friburg e gjetiu.

Por edhe kjo shoqëri përballet me disa vështirësi sidomos kur ka të bëjë me pajisjen e anëtarëve me kostume dhe instrumente, kështu që deri tash vetë amatorët janë përpjek që ato ti sigurojnë me mjetet e veta. Por ajo që e mban këtë shoqëri në skenë është gjithsesi vullneti dhe entuziazmi si i anëtarëve ashtu edhe udhëheqjes së saj.

Të shpresojmë se shoqëritë si “Teuta” e shumë të tjera në Lozanë e përgjithësisht Zvicër, do ta begatojnë edhe më tej jetën tonë kulturore dhe do të ndikojnë edhe në përmirësimin e imazhit tonë në këtë vend mikë perëndimor,  ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh.

Nga ajo kohë kur u bë ky shkrim kjo shoqëri ka bërë hapa të konsiderueshëm konsolidimi, ndaj edhe shpresojmë se me stabilizimin e gjendjes pas situatës pandemike se do të kemi rastin të shohim në skenë këtë dhe shumë shoqëri e ansamble shqiptare në Zvicër e në mërgatë në përgjithësi.