Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti, ka thënë se krimi dhe kontrabanda në very të vendit nuk ndodhë një herë në vit, por ka vazhduar për aq sa ka vazhduar edhe zhvatja dhe hajnia e pjesës tjetër të vendit.
Kurti ka thënë se sigurisht që policia e ka mundësinë dhe aftësinë, drejtësia e ka detyrën dhe nevojën, kurse populli ynë e ka dëshirën dhe interesin për luftimin e krimit e të korrupsionit.
“Mirëpo, nuk mund të jemi të sigurt se për çka bëhet fjalë, kur në krye të një aksioni kundër krimit e korrupsionit ndodhet prokurori famëkeq Sylë Hoxha dhe presidenti aktual po ashtu famëkeq (me krahun e tij të djathtë, kryetarin e Kuvendit, dhe, krahun e tij të majtë, kryeministrin e vendit).
Këta po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po e vjedhin atë dhe duan t’i mbulojnë skandalet e fajdeve të tyre në paqe e të fotografive të tyre për luftë. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, shtiret se do ta sulmojë Kosovën, gjersa synon ta përforcojë pushtetin e tij. Serbisë i konvenon ky regjim i korruptuar në Kosovë dhe nuk i konvenon konflikti me KFOR-in.
Prandaj, ky sot ishte veçse edhe një tensionim i kontrolluar për të mbuluar skandalet e regjimit. Asnjë nga top 20 zyrtarët e korruptuar në vendin tonë nuk besoj të jenë arrestuar sot. Çerdhja e korrupsionit dhe krimit në Kosovë, është te prokurimi dhe liçensat e shtetit, te prokuroria dhe gjyqësia e shtetit, te presidenti i shtetit.
Korrupsioni dhe krimi duhen luftuar çdo ditë, por më mirë është t’i ndalojmë e parandalojmë duke i hequr këta që i kultivojnë dhe i shtojnë ato secilën ditë”, ka thënë Albin Kurti.