“Tearca” e Zvicrës, kultivuese e denjë e vlerave kulturore e humanitare

Me nismat kardiologut të famshëm, Doc. Dr. Omer Xhemailit dhe mbështetjen e bashkëvendëseve në Zvicër,  shoqata ka tubuar mbi 80 mijë franga për të ia kthyer sytë një fëmije 4 vjeçar.- Kësaj veprimtarie bamirësie me një program iu bashkua edhe tenori i shquar Kastriot Tusha dhe disa grupe artistike.

Rexhep Rifati

Ajo që e shquan shoqatën “Tearca”, të themeluar në vitin 2001, e bënë shpirti i madh sa humanitar aq edhe atdhetarë i bashkëvendëseve në mërgatë. Tearcasit në Zvicër, krahas mirëqenies familjare nuk i harrojnë as skamnorët e në vendlindje si dhe ata  që kanë nevojë për shërim brenda e jashtë vendit, siç ishte rasti i një vogëlushi 4 vjeçar, për të cilin grumbulluan një shumë prej 80 e sa mijë frangash për të ia kthyer shikimin .

Në kuadër të këtij misioni humanitar, por edhe arsimor e kulturor u mbajt një mbrëmja e shoqatës më 21 shtator në Fahrweid, ku pos mërgimtarëve të Tearcës merrnin pjesë edhe tre ambasadorët shqiptarë në Zvicër, Mehmet Elezi (Shqipëri),  Naim Malaj (Kosovë) dhe Ekrem Ebibi (Maqedoni), nga të cilët përshëndeti ambasadori i Shqipërisë, i cili vlerësoi lartë angazhimin dhe shpirtin human të këtyre mërgimtarëve dhe vet shtetin zviceran që ofron kushte për prosperitet dhe integrim të mirëfilltë. Vulë  të veçantë kësaj mbrëmje i dhanë dy emra eminent të mjekësisë së fushës së kardiokirurgjisë: Prof. Dr. Michele Genonni, shef i klinikës së zemrës në Triemlispital të Cyrihut, dhe Doc. Dr. Omer Xhemailit, kardiokirurgu i parë shqiptar që deri më tash bëri disa transplantime zemre. Në prezantimet e tyre ata folën edhe për metodat më të reja të operacioneve në zemër të hapur që bëhen në spitalin Triemli të Cyrihut. Po ashtu shprehen gatishmërinë që brenda çdo viti tu ofrojnë ndihmë rreth 80 klientëve shqiptarë me sëmundje kardiake.

Përshëndetën  edhe kryetari  i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Mr. Rejhan Neziri, me prejardhje po nga Tearca, i cili apeloi për vazhdimin e ndihmave humanitare , si dhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tearcës, Muharrem Osmani, i cili falënderojë bashkëfshatarët e tij në mërgatë për kontributet në ngritjen e infrastrukturës së fshatit.

Nuk mungoi as ana artistike. Përplot simbolik e ngrohtësi ishte akti i ndarjes së abetareve për vogëlushët, të cilat ua ndau kryetari i shoqatës, Rexhep Laçi. Ndërsa tenori i shquar Kastriot Tusha, këtyre vogëlushëve ua dhuroi disa këngë, duke krijuar një atmosferë më se ngazëlluese.  Pjesës artistike iu bashkuan edhe këngëtarja Arjeta Zhuta, Alim Dauti dhe Blerim Gashi,  si dhe shoqëritë “Valët e liqenit” nga fshati Ladorishtë  i Strugës dhe “Teuta” nga fshati Tearcë. Programi u përshkua edhe me disa poezi të krijuesve të letrave tona, Remzi Murati dhe Musa Osmani. Ishte kjo një mbrëmje përplot bamirësi, nostalgji e ngrohtësi që ia vlen të mbahet mend.