Të punohet me intensitet të shtuar për të dokumentuar krimin e gjenocidit serb në Kosovë

 

 

-Potencoi Adnan Asllani, nënkryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, në tubimin e mbajtur në Birr të kantonit të Argaut në Zvicër, ku përmes qirinjve dhe një programi foljor e muzikor u nderuan viktimat e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në periudha të ndryshme kohore, e në veçanti në luftën e fundit  

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Mbrëmë në qytetin Birr, të kantonit të Argaut, mërgimtarë nga anë të ndryshme të Zvicrës u tubuan për të kujtuar e nderuar viktimat e shumta të gjenocidit serbë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, por edhe për të shpreh revoltën pse shteti serb deri më tash nuk hasi në një dënim të merituar ndërkombëtar për gjithë ato krime të bëra gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Tubimi përkujtimor, në një ambient, me qirinj të ndezur në nderim të viktimave, filloi me himnin kombëtar dhe  himnin e shtetit të Kosovës dhe vazhdoi me fjalë rasti e pika muzikore, moderuar nga aktori Ramadan Morina. Në mesin e të pranishmëve, ishte edhe ambasadori i Kosovës së Kosovës në Bernë, Mentor Latifi, i cili edhe mbajti një fjalë rasti. Gjithashtu merrte pjesë edhe shefi i misionit konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih Vigan Berisha.

I pari me një fjalë përshëndetëse dhe fjalë kryesore në këtë tubim u paraqit, Adnan Asllani, nënkryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” i duke iu drejtuar mysafirëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe të mbijetuarëve të gjenocidit në Kosovë, përkujtoi se :

Vrasja e më shumë se 10’000 civilëve, dëbimi i shumicës së popullsisë nga Kosova, dhunimi i rreth 20’000 femrave shqiptare, shkatërrimi i objekteve të banimit, të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare janë dëshmi e pakontestueshme për zbatimin e projektit gjenocidal të shtetit serb, gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998, 1999.

Sot, ndërsa ne shënojmë 15 janarin dhe nderojmë viktimat e gjenocidit në Kosovë, drejtësia ende nuk është vendosur. Akoma më keq, Serbia vazhdon të fshehë krimet, duke mohuar ato e duke përhapur gënjeshtra, duke gërryer kështu plagën që ajo na e ka shkaktuar duke na fyer ne e familjarët e vrarë, të përdhunuar e të zhdukur; duke na poshtëruar ne të mbijetuarve të këtij gjenocidi.

Më tej Asllani, potencoi se 26 vjet nga krimi i gjenocidit në Reçak e aktet tjera gjenocidale në gjithë Kosovën, historia e luftës së Kosovës në skenën ndërkombëtare është mjegulluar, përmes gënjeshtrave që ka përhapur shteti serb. Për të shtuar se: Sot, në vend të kriminelëve serb të cilët do të duhej të vendoseshin para drejtësisë ndërkombëtare, për të dhënë llogari për krimet e kryera, në vend se shteti Serb të marrë dënimin për planifikimin e zbatimin e planit të gjenocidit kundër shqiptarëve, sot në të ashtuquajturën Gjykatë Speciale po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Po gjykohet pikërisht ajo ushtri që ka bërë përpjekjet titanike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga agresori gjenocidal – shteti serb.

Duhet ta themi haptas e pa lënë as më të voglën dilemë se shqiptarët janë tejet të pakënaqur me këtë zhvillim, sa të padrejtë e në kundërshtim me çdo normë të drejtësisë ndërkombëtare, po aq edhe johuman, racist e antihistorik.

Ajo që shqetëson është se as sot : Shteti Serb është ai i cili as përmbajtësisht e as formalisht nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj shqiptarëve. Atje janë në pushtet pikërisht ata që ishin pjesë e strukturave të planifikimit, zbatimit e fshehjes së krimit të gjenocidit. Duke u nisur në radhë të parë nga presidenti i saj, Aleksandar Vuçiç i cili gjatë luftës në Kosovë ishte Ministër për Informata, një post ky ekuivalent me atë që kishte Goebbelsi në Gjermaninë naziste.

Ishte po ky Aleksandar Vuçiç ai i cili dëboi gazetarët e mediumeve të huaja nga Kosova dhe kështu mbylli dyert për opinionin publik që teatri tragjik që ata kishin përgatitur, të luhej me dyer të mbyllura.

Pavarësisht nga e gjithë kjo , Adnan Asllani shprehi vendosmërinë e qendrës se:

“Ju siguroj se Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm për sensibilizimin e opinionit publik për krimin e gjenocidit në Kosovë. Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të arrihet e shteti serb të dënohet për plagën që na e ke shkaktuar.

Ne e kemi bërë edhe në të kaluarën duke botuar libra, artikuj e shpërndarë fotografi dhe materiale të tjera, nëpërmjet të cilave kemi përçuar mesazhin për nevojën e arritjes së drejtësisë për plagët tona të hapura.

Dua të veçoj këtu sidomos botimin e shpërndarjen e librit “Mashtrimi i Madh” dhe romanit “Eskadronët e Vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti të cilat janë përkthyer në disa gjuhë për të vazhduar me projektin  “Krimi i Gjenocidit – aspekte teorike dhe studime rastesh” nga i njëjti autor.

Krahas punës dhe angazhimit të qendrës, Adnan Asllani shtoi se: Në rend të parë do t’i takonte shtetit të Kosovës i cili duhet të ketë një ndjeshmëri më të madhe dhe ta marrë më seriozisht të kaluarën e të ardhmen e popullit të tij. Sepse: Çështja e gjenocidit në Kosovë, nuk na përket vetëm ne si organizatë që të botojmë literaturë me mjetet e grumbulluara nga njerëz vullnetmirë të cilët e ndiejnë peshën e përgjegjësisë për të bërë diçka për këtë çështje. Dhe se: Motoja jonë, NE NUK HARROJMË duhet të përqafohet nga secili shqiptar kudo që ndodhet, nga secila shoqatë kulturore ose politike, nga secili organizim, që së paku më 15 janar të shënojmë këtë ditë në mënyrën sa më dinjitoze.

Sepse derisa : Serbia thirret në të drejtën historike mbi Kosovën, të cilën ne të gjithë e dimë se atë të drejtë ajo nuk e ka. Ajo thirret në të drejtën kushtetuese e ndërkombëtare, të cilën ne të gjithë e dimë se as atë nuk e ka e as e ka pasur ndonjëherë. Ajo thirret në të drejtën e trashëgimisë kulturore, të cilën ne e dimë të gjithë se ajo as këtë nuk e ka. Por, edhe sikur ti kishte të gjitha këto të drejta, e t’ia shtojmë edhe disa të tjera, nga fakti se shteti serb ka kryer gjenocid mbi popullin e Kosovës, ajo e i ka humbur të gjitha ato të drejta të supozuara në cilat ajo thirret. Prandaj, në themelet e lirisë sonë janë gjaku i të rënëve, janë lotët e nënave, baballarëve, vëllezërve e motrave tona.

Duke u kthyer në të kaluarën Asllani, përkujtoi se : Historia e gjenocidit në Kosovë nuk fillon në vitin 1998-1999. Shteti serb ka kryer gjenocid edhe më 1878-1881 duke vrarë, masakruar e dëbuar dhunshëm nga vatrat e veta, shqiptarët në trevat e Nishit, Toplicës e Leskocit. Serbia ka planifikuar e zbatuar projektin e gjenocidit edhe gjatë luftërave ballkanike në fillim të shekullit XX. Gjatë luftës së parë e të dytë botërore. Deri në vitin 1998-1999. Gjenocid është bërë edhe nga shteti grek kundër shqiptarëve të Çamërisë.Politika gjenocidale serbe nuk është ndërprerë as sot e kësaj dite. Të kujtojmë vetëm shqiptarët e Luginës së Preshevës ndaj të cilëve zbatohet një politikë e spastrimit etnik përmes formave më perfide administrative.

Duke pasur parasysh këto, është shumë e rëndësishme që plaga jonë e hapur të mbyllet duke u arritur drejtësia, sepse vetëm kështu ne do të mund të sigurohemi se kjo nuk do të përsëritet më.

Që drejtësia të vendoset njëherë e përgjithmonë, ne të gjithë duhet të vihemi në shërbim të saj, sepse ajo nuk vjen vetvetiu.

Po ashtu Asllani shtoi se: Dua të inkurajoj shtetin shqiptar, i cili duhet të gjejë mundësinë e miratimit të një rezolute në parlament për gjenocidin në Kosovë. Shteti shqiptar, fundja, përveç obligimeve kushtetuese që ka, është dëshmitar i spastrimit etnik më 1998-1999.

Po ashtu dua të inkurajoj forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut që të kërkojnë miratimin e një rezolute për gjenocidin në Kosovë nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Edhe Maqedonia e Veriut është dëshmitare e spastrimit etnik në Kosovë më 1998-1999.

Nevoja e ngadhënjimit të drejtësisë për gjenocidin në Kosovë duhet të ndihet gjithkund në botë. Për këtë ne duhet të punojmë pa u ndalur e pa dallime politike dhe ideologjike, përfundoi Asllani.

Me një fjalë të pranishmëve iu drejtua edhe Bardhyl Mahmuti, kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti, njëherësh edhe autor i veprave në disa gjuhë dhe me peshë të veçantë kundrejt gjenocidit shfarosës serb në Kosovë.  Me një fjalë u paraqit edhe studiuesja e muzikës, Edlira Dedja,  që lexoi një letër dëshmi të vëllait të saj, Taulant Dedja, ku ai përshkruan pritjen e refugjatëve nga Kosova në Shqipëri.

Ambienti u pasurua dhe plotësua edhe me disa pika artistike, poezi nga Dan Kasumi e Isuf Sherifi dhe këngëtarja talentuar Lirona Sadriu e cila ekzekutoi dy këngë me kitarë për çka shpërblye me duartrokitje nga të pranishmit.