Të kthyerit e Kosovës mund të llogarisin në pension

312

Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore

Nga Peter Siegenthaler, swissinfo.ch, 21 mars 2019

Kosova është shteti i vetëm pasues i ish- Jugosllavisë, me të cilat Zvicra nuk ka Marrëveshje nga fusha e sigurimeve shoqërore. Në dëm të shumë të kthyerve në Kosovë, të cilët edhe humbën të drejtën për një pension. Kjo duhet të ndryshojë tani. Dhoma e vogël e parlamentit thotë pothuajse unanimisht po për një marrëveshje.

Ata punuan për vite në Zvicër dhe paguan kontributet në sigurimet e detyrueshme shoqërore, por kur erdhi radha e tyre për të marrë një pension të pleqërisë ose invaliditeti për të kaluar moshën e tyre të pensionimit në vendin e tyre, ata mbetën duarbosh.

Fjala është për mijëra kosovarë, të cilët në gati 10 vitet e fundit u diskriminuan financiarisht për shkak se Zvicra në vitin 2010 vendosi të mos për të vazhduar Marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me ish- Jugosllavinë në raport vetëm me Kosovën.

Këshilli Federal në atë kohë pat justifikuar këtë hap si në vijim: “Marrëveshja e sigurimeve shoqërore shërben për koordinim të sistemeve shtetërore. Kontraktimi i tyre ka si parakusht sistemet funksionale të dy Shteteve Kontraktuese.” Me çka donin të thoshin se: në Kosovë nuk funksionin një sistem i tillë.

Pension vetëm në rast vendbanimi në Zvicër

Shtysa për prishjen e marrëveshjes ka qenë një mocion parlamentar i Partisë Popullore Zvicerane (SVP), e cila donte të udhëzonte Këshillin Federal që „të prishë të gjitha marrëveshjet për sigurimet shoqërore me shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë, përkatësisht për të mos i rinegociuar ato.” Gjë që qeveria federale, përveç në rastin e Kosovës, e refuzoi.

Për kosovarët, vendimi nënkuptonte se ata do të merrnin pensionet e tyre vetëm nëse ata kishin vendbanim në Zvicër. Mirëpo, shumë prej tyre kishin ndjekur apelet e autoriteteve zvicerane, të cilët pas luftës sugjeruan kthimin në atdhe madje edhe duke mbështetur ata.

“Kjo ishte një diskriminim selektiv”, thotë Osman Osmani nga sindikata UNIA, e cila në bashkëpunim me diasporën kosovare kërkonin vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes ekzistuese deri në përfundimin e një të reje.

“Ndërkohë që disa të prekur kanë vdekur, gratë e tyre të veja që kanë rritur fëmijët, bashkë me jetimët kanë mbetur gjithashtu duarbosh. Edhe fëmijët e të rinjtë që vijonin shkollimin ishin në mesin e viktimave, për shkak se ata nuk vazhduan të merrnin shtesat për fëmijë apo ato të arsimimit,” venë në pah sekretari sindikal.

Argumentet e Këshillit Federal të atëhershëm nuk janë të vlefshme për të. “Për dallim nga Marrëveshja e sigurimeve shoqërore, Zvicra po në vitin 2010 ka lidhur marrëveshje të tjera me Kosovën, për shembull atë kthimit dhe atë mbi partneritetin e migracionit”.

Pse jo si Gjermania?

Sikur të kishte ekzistuar një vullnet i mirë, do të mund të gjendej mënyra për të përfituar pensionet edhe të siguruarit në Kosovë, thotë Osmani, duke pasur parasysh vende tjera evropiane. Për shembull, Gjermania gjatë gjithë këtyre viteve ka vazhduar tu paguaj më tej kosovarëve të kthyer pensionet e tyre legjitime dhe madje u ka dhënë mbështetje financiare autoriteteve zbatuese atje.

Osmani nuk pranon arsyetimin se personat gëzonin të drejtën të kërkonin kthimin e kontributeve të tyre të paguara. “Ky nuk është qëllimi i sigurimeve shoqërore, pasi kontributet janë ndalur për të siguruar një jetë me dinjitet me rastin e daljes në pension të pleqërisë ose paaftësi, andaj për ketë arsye shumë kosovarë të pensionuar edhe kanë refuzuar të kthehen ne vendin e tyre të origjinës”.

Diaspora kosovare është e konsiderueshme. Sot, më shumë se 200,000 njerëz me rrënjë nga Kosova jetojnë në Zvicër. 110,000 janë kthyer në vitet e fundit në shtëpi. Privimi nga e drejta e përfitimit prek disa mijëra njerëz, vlerëson Osmani. “Nga viti 2010 deri më sot, shtetasit e Kosovës për shkak të shqetësimit ekzistencial, pra 6,000 shtetas të Kosovës, kanë tërhequr kontributet e tyre nga sigurimi i pleqërisë (AHV/AVS), ndërsa të tjerët që kanë të drejtë në përfitime ka 9 vite që janë duke pritur për pensionet e tyre të merituara”.

Aprovimi pothuajse i padiskutueshëm

Tani Zvicra ka negociuar një marrëveshje të re të sigurimeve shoqërore me Kosovën. Dhoma e vogël e Parlamentit (Ständerat) të enjten e 21 marsit 2019 e miratoi atë me 38 vota për 1 votë kundër dhe 0 abstenime.

Një raport mbi gjendjen e sundimit të ligjit dhe korrupsionit ka treguar se tani kushtet në Kosovë janë përmbushur përsëri për të hyrë në këto marrëdhënie, tha Pirmin Bischof, zëdhënës i komisionit përgjegjës.

Edhe pothuajse të gjithë këshilltarët e SVP-së, partia e të cilëve në vitin 2009 kishte bërë thirrje për përfundimin e marrëveshjes së vjetër me referenca për abuzime të supozuara u pajtuan që marrëveshja të miratohet.

“Unë jam i mendimit dhe besoj se punëtoret dhe punëtorët i meritojnë përfitimet nga rrafshi i sigurimeve shoqërore dhe nëse u lejohet të marrin këto para në atdhe, ata/o me pensionin nga Zvicra do të kenë një jetë të mirë në Kosovë”, thotë për swissinfo.ch këshilltari i SVP Roland Eberle.

Zvicra madje përfiton financiarisht nga kjo: “Nëse nuk u jepet kjo mundësi dhe ata duhet të qëndrojnë në Zvicër dhe pensionet e tyre janë tepër të ulëta për të mbuluar koston e jetesës, ata do të kenë nevojë për shërbime publike shtesë.”

Kthesën e partisë së tij, Eberle e shpjegon me arsyetimin se strukturat administrative në Kosovë sot punojnë më mirë. “Ne, administrata federale e cila ka negociuar Marrëveshjen ndërshtetërore, na ka siguruar besueshëm, që pensionet në Kosovë do të arrijnë tek përfituesit”. Kjo më parë ishte testuar përmes një pilot projekti në dhjetëra raste.

Nëse në seancën e verës, edhe dhoma e madhe parlamentare (Nationalrat) gjithashtu i thotë po Marrëveshjes, ajo mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2020. Atëherë gjithçka për mrekulli? Jo krejtësisht: Kush nuk ka marrë një pension në dhjetë vitet e fundit, nuk do të kompensohet për këto vite të shkuara. Nuk është parashikuar një kompensim retroaktiv i përfitimit. “Për ata që janë të prekur është një “fat i keq”, thotë Eberle.

Sindikalisti i Unia, Osmani nga ana tjetër, bënë thirrje për një zgjidhje e cila mundëson të drejtën e përfitimin edhe për periudhën kohore që nuk është zbatuar Marrëveshja. “Përndryshe, edhe përkundër korrigjimit, do të mbetet një njollë të errët në këtë çështje.”

swissinfo.ch

Diaspora e dytë më e madhe
Zvicra ka diasporën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës pas Gjermanisë. Në Zvicër jetojnë rreth 112,000 njerëz me shtetësi kosovare. Megjithatë, numri i njerëzve që vijnë nga shteti më i ri i Evropës është shumë më i madh. Sipas një studimi nga Zyra Federale e Statistikave në vitin 2015, gati 250,000 njerëz e deklaruan gjuhën shqipe si gjuhë të tyre kryesore – shumica prej tyre nga Kosova.

Zvicra njohu Republikën e re të Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe krijoi marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore me Kosovën. Që atëherë, Zvicra dhe Kosova kanë lidhur marrëveshje dypalëshe në fushën e bashkëpunimit teknik dhe financiar, aviacionit civil, transportit të udhëtarëve dhe mallrave përmes mbrojtjes së rrugëve, tregtisë dhe investimeve.

Artikullin mund ta lexoni në origjinalin gjermnaisht si dhe në frëngjisht dhe italisht   

Përktheu O. Osmani