Të fala nga Toka

1.

Frika nga fundi i jetës në Tokë nuk zë fill me përhapjen e pandemisë së virusit Corona. Tani që po përhapen me të madhe këshilla për mënyrën si t’i shpëtosh mbarimit të të gjithave dhe çfarë duhet të marrësh në limerin e shpëtimit. Në vise të ndryshme të botës prej kohësh po punohet me kujdes për bunkere strehimi nga një sulm eventual bërthamor, a ndonjë goditje tjetër e madhe, e cila do t’i jepte dërrmën qytetërimit tonë.

Ndër meraqet e njerëzve është sigurimi i informacionit, mbi të cilin ata që do të mbijetojnë, a kushdoqoftë, do ta ringrisnin sërish civilizimin. Një medie gjermane – ingenieur.de – raportonte para katër vitesh për një ndërmarrje interesante. Në ishujt Spitzbergen në Detin Polar të Norvegjisë është themeluar Arctic World Archive. Një firmë elektonike – Piql – u ofron shteteve të interesuara arkivimin e dokumentave si tekst, a fotografi, të cilat do të qëndronin mijëra vjet. Arkivi gjindet në një minierë të braktisur afër Global Seed Vault, një hambar-bunker-arkivi farërash bimore nga e tërë bota. Fort me mend: Buka dhe libri aty-aty!

Nuk e di si ka shkuar puna e asaj që konsiderohej biblioteka më e madhe nëntokësore. Brazili, ndër klientët e parë, kishte autorizuar që atëhrë depozitimin e kushtetutës së tij dhe diçka nga historia. Një psecialist i teknologjive të sofistikuara citohet në një artikull tjetër të medies se dokumente si Deklarata për të Drejtat e Njeriut, a Bibla duhet të nisen për t’u ruajtur në stacione hapësirore. Dhe jepet imazhi i një super-pajisjeje sa një monedhë dyeuroshe ku janë nxënë ato dhe mund të qëndrojnë me miliarda vjet.

2.

E kam ndjekur njëherë një reportazh për një arkiv bunker. Nëse nuk lajthis, ishte në Amerikë. Mund të kishte qenë edhe ky i mësipërmi. S’e mendova se nuk do të mund të gjeja më ndonjë shënim për të, prandaj uroj të mos jetë pjellë e imagjinatës time kjo që po them: Në regjistrin e tij, mes gjërash të tjera të domosdoshme, ishte përfshirë së fundmi vepra e Shakespearit, që të ruhej nga ditë e zezë. Si një dëshmi e rrallë e qytetërimit tonë, kur në Tokë do të duhej filluar jeta nga e para.

Ajo për çfarë ju siguroj se qëndron fiks, është raporti i Euro Newsit i datës 27 të këtij muaji, asnjë javë pra!, me titull „Vepra e Dantes në hapësirë“. Një shënim që nuk e ndesha në asnjë log të komunikimit në gjuhën shqipe: „Komedia hyjnore“ e Alighierit do të niset për në yje! Kështu i ka shkrepur një shtëpie të vogël botuese në Bolonjë – Scripta Maneant – ta kujtojë poetin në 700-vjetorin e vdekjes së tij.

Komplet kryevepra e Dantes do të skalitet me një madhësi shkronjash prej 3-4 të dhjetave të milimetrit në pllaka titani, të cilat u qëndrojnë temperaturave të skajshme të hapësirës. Dhe nga stacioni ndërkombëtar i hapësirës ISS ajo do të hidhet në Gjithësinë e pafund. Si një dëftesë e imagjinatës krijuese njerëzore, që kur ta takojë ndonjë jashtëtokësor ta kuptojë qenien e tij, shprehet botuesi Raffaele Martena. „Duhet t’i falim Dantes dritën e Universit“.

3.

Kush duhet të akrivohet në bunkere të sigurta, kush duhet të niset në hapësirë, pas Shakespearit dhe Dante Alighierit? Kush janë fryma dhe germa e qytetërimit tonë? Kë duhet lexuar trashëgimtarët e Tokës dhe jashtëtokësorët? Kë duhet ta lexojnë tokësorët? Këtë na e rrëfejnë tri lista të dalluara. Në hapësirën gjermanofone, për shembull, shquan ajo e gazetës Die Zeit. Aty spikatin veprat e autorëve Thomas Mann, Bertolt Brecht, Heinrich Böll, Günter Grass, gjermano-zviceranit Hermann Hesse, zviceranit Max Frisch, austriakëve Franz Kafka e Robert Musil e të tjerë.

Në listat pa kufizime kohore, si kjo, pos Dante Alighierit dhe William Shakespearet, nuk mungojnë Homeri, Miguel de Cervantes Saavedra, Goethe, Gogoli, Leo Tolstoi, Fjodor Dostojevski, Charles Dickensi, Honoré de Balzacu, Stendhali, Gustav Flauberti, Heinrich Heine, Friedrich Nietzsche etj. Aty gjen edhe emra të tjerë përveç shkrimtarëve: Platonin, Kantin, Voltairen, por edhe Leo Trotzkin. Kurse Joanne K. Rowlingu i Harry Potterit duket si një risi në listën e BBC-së, e cila i vë akcentet te autorë të letërsisë angleze, si Virginia Woolf dhe çifti i saj, por pa i shpërfillur letërsitë tjera. Jo vetëm këtu e gjen edhe Salman Rushdien.

Lexuesit shqiptar mund t’i interesonte lista e gazetës së dëgjuar Le Monde për shekullin e XX. Këtu spikatin Marcel Proust, André Gide, Albert Camus, Jean-Paul Sartre, Giullaume Apollinaire e të tjerë. Përkrah disave nga autorët gjermanë të mësipërm, i gjen edhe zviceranin Blaise Cendrars, pastaj Willian Faulknerin, Jack Londonin, Ernest Hemingwayn, Federico García Lorcan, George Orwellin, James Joycen, Alexander Solshenyzinin, Vladimir Nabokovin, Gabriel García Márquezin, Umberto Econ, Milan Kunderan e të tjerë. Por, edhe Ismail Kadarenë me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. E kanë thënë sidomos të huajt, ai në veprën e tij e prezenton më së miri shqiptarin dhe vendin e tij.