Çdo takim me shkrimtarin, Arbër Ahmetaj në Zvicër, pos që sjellë dromca arti nga letrat e tij që jo rrallë herë fascinojnë, por edhe një komunikim tejet të afërt e njerëzor, që të bën ta duash jo vetëm veprën e tij, por ambientin që krijon me prezencën e tij. Kështu ishte edhe në mbrëmjen e sotme në Bibliotekën “Pestaloci”, në qytetin e Cyrihut, ku u promovua libri i tij “69 gra”, por edhe opusi i tij letrar.
Teksti Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi
Vjeshta e sivjetme ka filluar të jetë mjaft e begatë sa i përket organizimeve të ndryshme letrare e sidomos ato letrare. Këtë në Cyrih gjatë shtatorit e ka intensifikuar sidomos Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës, që drejtohet nga poeti Bujar Saliuhu, ndërsa që kësaj radhe organizimit i ishte bashkuar edhe Lidhja e Shqiptarëve në Botë, që udhëhiqet nga Nazmi Jakurti. Por në gjithë këto organizime letrare ka dotë edhe drejtoresha e bibliotekës “Pestaloci” në Cyrih, Suela Jorganqi e cila institucionin që udhëheq e ka kthyer në një vatër të ngrohtë jo vetëm për leximin e librit por edhe të promovimit të tij.
Por ti kthehemi takimit të sotëm krijuesin, Arbër Ahmetaj, autorin e disa librave në prozë e poezi, ndonëse profesion jetësor ka atë prej farmacisti, por që kohën e tij e ka ndarë në dysh duke bërë punë të mirë në të dy binarët. Veprat e tij si për nga stili, e edhe përmbajtja kanë diç të veçantë: që të tërheqë e magjeps, ndaj edhe ngjallin jo vetëm interesimin e lexuesit por edhe të kritikës letrare.
Në mbrëmjen e sotme qe iu kushtua opusit të tij letrar, pas një përshëndetje të poetit Bujar Salihut e të nikoqires, Suela Jorgaqi, qoftë me lexime apo edhe me bashkëbisedime, Ahmetaj i dha mbrëmjes një dimension të veçantë, jo vetëm letrar, gjë që kësaj i kontribuoi edhe bashkëbiseduesi dhe njohësi i veprave të tij, poeti Sabit Gecaj, i cili përmes pyetjeve bëri që të pranishmit të njihen edhe më tepër jo vetëm me krijimtarinë artistike të Arbër Ahmetajn, por edhe me sa cilësi të karakterit të tij prej njeriu, shkrimtari e intelektuali.
Dy fjalë për jetën dhe veprën e Arbër Ahmetajt: u lind në Tropojë në vitin 1965 dhe është diplomuar në farmaci nga universiteti i Tiranës e me ardhjen e tij në Zvicër sërish i është përvesh studimeve në Univërsitetin e Gjenevës. Në 1993 specializohet për diplomaci në Oksford, Washington Gjenevë dhe Maltë e një kohë punon edhe në Ministrinë e Punëve të jashtme në Tiranë. Ka qenë edhe sekretar i parë në ambasadën shqiptare në Bukuresht. Në vitin 1997 vendoset në Sion të Zvicrës, ku vazhdon të ushtrojë detyrën prej farmacisti. Opusin e tij letrar e përbëjnë një sërë veprash në prozë e poezi, ku trajton motive të ndryshme nga jeta shqiptare në vendlindje e mërgatë, ndërsa që personazhe të temave të tij kanë qenë edha ca personalitete e figura të njohura kosovare, ndërsa që ka shkruar edhe një roman me këtë tematikë, siç është “I huaji, ai kosovari”, por shquhet edhe me veprat “Fletëhyrje për në varr”, “Varri i braktisur”, “Një natë te Luiza” dhe librat me tregime “Riva H.” dhe “69 gra”.
Gjatë këtij promovimi, Arbër Ahmetajt iu dorëzua nga Bujar Salihu çmimi “Martin Camaj”, të ndarë nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër.