Takim lamtumirës, në Ambasadën e Kosovës në Bernë, për ambasadorin Mehmet Elezi

Në këtë takim të ngrohtë e vëllazëror, ambasadorët vlerësuan lartë bashkëpunimin midis tyre, ndërsa që ambasadori Elezi shtoi se shqiptarët i detyrohen shumë Zvicrës për kushtet që u ka ofruar, ndërsa që  sa i përket atij tha se: e kam ndier veten si në shqiptari.  

Rexhep Rifati

Më 9 nëntor, në një ambient të ngrohtë e miqësor, në lokalet e Ambasadën së Kosovës në Bernë, Ambasadori Naim Malaj, organizoi pritje lamtumire në përfundim të mandatit të ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër z. Mehmet Elezi. Në pritje,  pos përfaqësuesve diplomatik, merrnin pjesë edhe bashkatdhetarë fushash të ndryshme.

Bashkëpunim i ngushtë midis ambasadorëve shqiptarë

Ambasadori i Kosovës, z. Naim Malaj pasi përshëndeti të pranishmit, duke e veçuar pranin e shkrimtarit arbëresh, Francesco Micieli, përkujtoi aktivitetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me ambasadorin Elezi , me atë  të Maqedonisë, Ramadan Nazifi, e në vazhdim edhe me Ekrem Ebibin, si dhe me ambasadorët shqiptarë të akredituar në misionin e OKB-së në Gjenevë, duke i përkujtuar edhe disa nga aktivitetet e përbashkëta.

Ambasadori Malaj vuri në pah edhe kahet e aspiratave tona kombëtare për tu ofruar sa më shumë me njëri tjetrin, duke e ilustrua me faktin se sot nga Prishtina për në Tiranë dhe anasjelltas mund  të udhëtohet për një vikend apo edhe për një kafe. “Meqenëse Mehmeti është edhe krijues, tash e tutje do të mund ti përkushtohet më tepër gjuhës e letërsisë, për ta begatuar me vepra të tjera artin , ndërkohë ka një lehtësi më tepër: se tash e tutje mund të flet pa protokoll (!), përfundoi Malaj.

Në emër të komunitetit, ambasadorin e Elezi e përshëndeti deputetja Ylfete Fanaj, duke ia dhuruar një brisk karakteristik zviceran, si simbol bashkëpunimi me vendin ku ai  për shumë vite, shërbeu me sukses në detyrën e diplomatit. Një falënderim ia dedikoj edhe drejtori i ISEAL-it, Driton M. Kajtazi, duke e falënderuar për angazhimin në kuadër të këtij instituti, ku ishte anëtar nderi. Veçoi po ashtu kontributin e z. Elezi në lëmin e gjuhës, pasi : “Para se të ishte ambasador i Shqipërisë, Mehmet Elezi ishte ambasador i gjuhës shqipe”.

Nëse na e ndanë trupin, jo edhe gjakun!

Ambasadori Elezi potencoi se kam qenë me fat, madje si ambasador i dyfishtë: ambasador i Shqipërisë në Zvicër dhe Ambasador i Shqipërisë në Shqiptari. Përkujtoi se me kryeministrin Berisha  vetëm 30 sekonda i ka zgjat takimi edhe atë me të vetmen porosi: duke e pas parasysh Zvicrën mike, do ta kesh edhe mërgatën tonë të madhe brenda saj.

Ndaj edhe potencoi se ne shqiptarët i detyrohemi shumë Zvicrës për kushtet që na ka ofruar, për punë e shkollim për qindra mija veta, madje më mirë se në vendet e prejardhjes, duke qenë njëherësh ndër shtetet e para për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Këtu nga të gjitha anët jam rrethuar nga shqiptaria, citoi vargjet: Dërgut Pasha me 100 mijë, Isa Begi me shqiptari…” . Në këtë kontekst çmoi lartë edhe bashkëpunimin me kolegët, ambasadorët shqiptarë në Zvicër.

Në këtë atmosferë shumë të çiltër e vëllazërore, me emocione shtoi e se: nëse na e ndanë trupin, jo edhe gjakun!. Edhe kur Shukrije Ramadani ia dhuroi librat e Agim Ramadanit, u ndje sa i mallëngjyer aq edhe i ngazëllyer, pasi mori vesh se nipi i porsalindur i heroit mban emrin e gjyshit të tij, Agimit.

Përkujtoi takimin në fillim të mandatit me ambasadorin grek, i cili i tregoi se si një qift grek që ishte pastrues në një spital të Gjenevës arriti të përjetoi gëzimin kur po në këtë spital i biri i tyre aru bë një mjek me renome, madje edhe shef reparti.

Arritje brilante: Ekspertë e doktorë shkencash dhe biznesmenë të shkëlqyeshëm

“Sot ngjashëm është edhe me ne shqiptarët, këtu kemi mjekë, inxhinierë, e sot edhe në këtë takim doktorë shkencash e biznesmen të shkëlqyeshëm, që punësojnë deri në 500 veta, pa rënë në sy , si me qenë fukaraja  zotit!”…Kur e tha këtë pati parasysh firmën “Orllati”,  (drejtuesit e së cilës ishin në këtë takim), që e kishte vizituar së fundi, duke mbetur i fascinuar me atë që kishte pa. Përkujtoi se sot në nivel kantonal, kemi katër deputetë,  e nesër me siguri ndonjë edhe nacional.

Për tërë këtë punë të tij prej tetë vitesh në mision një fjalë falënderimi z. Elezi ia dedikoj edhe shoqes së tij Dashes, pa lanë pa përmend edhe zonjën Malaj, duke e vënë në spikamë sidomos babain e saj, Sulejman Krasniqi, jo vetëm si shkrimtar , e historian, por edhe si atdhetar të spikatur.

Gjatë kësaj mbrëmje, Francesco Micieli, shkrimtar i shquar arbëresh, me qëndrim në Zvicër, i dhuroi ambasadorit Elezi një nga botimet e tij të fundit, ndërsa Rexhep Rifati librin : “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”, ku pasqyrohet edhe aktiviteti i z. Elezi, në rolin e ambasadori dhe shkrimtarit. Po një ekzemplar të këtij libri, ambasadorit Malaj ia dorëzoi, Skënder Hajdari, i cili ka bërë përgatitjen teknike të librit.