Tahiri thotë se nuk ka buxhet nëse vendi shkon në zgjedhje

Në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, është folur për situatën politike dhe cështjen e zgjedhjeve që do të mund të jenë së shpejti.

Por, ministri i drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se nuk ka buxhet për organizimin e zgjedhjeve.

“Viti 2019 nuk ka qenë vit kalendarik i zgjedhjeve, si rrjedhojë edhe nuk janë paraparë edhe mjete të ndara për KQZ-në. Rrjedhimisht nuk kemi pasur dhe nuk kemi buxhet të ndarë për KQZ-në, pra s’kemi mjete të mjaftueshme nëse shkojmë në zgjedhje. Kemi ardhur në një situatë si Qeverisë që kemi me pas obligim me i nda mjetet financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor, qysh kemi ndarë gjithë, sepse nuk është vit kalendarik siç kanë qenë të planifikuara zgjedhjet, pas dy vitesh”, ka thënë Tahiri.

Tahiri, i është drejtuar ministrit të Financave, Bedri Hamza, që të sqarojë çështjen e buxhetit për KQZ-në.

Edhe Hamza, e ka mbështetur deklaratën e Tahirit.

“Ky nuk ka qenë vit zgjedhor dhe brenda KQZ-së nuk ka fonde për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Hamza.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe dy ministrat e lartcekur kanë kërkuar që partnerët e koalicionit të ulen të bisedojnë dhe të marrin një vendim për shmangien e zgjedhjeve.