Sot në ditëlindjen e Naimit, si e pash shtëpinë vëllezërve Frashëri ?!

Pikërisht sot ishte ditëlindja Bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit (Frashër, 25 maj 1846), ndaj edhe me këtë rast kur kemi  veprën madhore të poetit, me pak rreshta për një vizitë time në katundin dhe shtëpinë që lindi tre kolosët e shqiptarisë, e që të arrish atje duhet të kesh një lloj autoblindë, sepse rruga është në gjendje të mjerueshme, ndërsa që qeveria aktuale fare nuk e ka shti Frashërin në mesin e 100 fshatrave turistike!

Teksti: Rexhep Rifati & fotot Shkëlzen Rexha

Ëndrra ime e kamotshme për të vizituar vendlindjen e kolosëve të shqiptarisë: Abdylit, Naimit e Samiut m’u përmbush vetëm pas tentimit të tretë, më 11 qershor 2016, shoqëruar nga Jakup Reka e Shkëlzen Rexha. Pengesë serioze ishte rruga në një gjendje të mjerueshme, edhe pse në të hyrë të saj, afër Përmetit shkruan:  “Frashër – Meka e Shqipërisë” e në të hyrë të zonës : “Bredhi i Hotovës-Dangëllisë, mushkëria e Ballkanit”.

Që të dyja këto emërtime qëndrojnë dhe arsyetohen plotësisht, por vetëm pas një udhëtimi të mundimshëm prej mbi 30 kilometrash, pasi ta lëshosh asfaltin. Derisa në vargjet e Naimit përmenden “lisat e gjatë”, aty gjetëm një pishnajë të mrekullueshme me mbi njëmijë hektarë bredh. E sa për njerëz, taksisti me të cilin udhëtonim, Bardhyl Hyseni nga Përmeti, na tha: “Këtu vetëm arushat shtohen e njerëzit pakësohen!” Ai na tregoi se njëherë i është dashur të presë derisa ia ka lëshuar rrugën një ari, ndërsa vetëm një ditë më parë ishte kthyer në gjysmë të rrugës me tre studiues nga Izraeli, pasi kishte rënë një shi i rrëmbyeshëm e rruga ishte bërë e pakalueshme. Të besueshme plotësisht këto rrëfime, pasi ne po ashtu nuk e patëm lehtë të arrinim në cak.

Zhgënjimi tjetër, kur pas dy orë udhëtimi në shtegun prej 30 e sa kilometrash, gjetëm shtëpinë e Frashërve të mbyllur. Fqinjët që kujdeseshin për të, na thanë se ajo mund të hapej vetëm me urdhrin e kryetarit të Bashkisë së Përmetit. Ky urdhër ishte dhënë për shkak se nga aty ishin plaçkitur disa herë gjëra me vlerë. Bisedova me telefon dhe hasa në mirëkuptim nga kryetari i Përmetit. Frashëri, ndonëse ishte qendër e Komunës Dangëlli, thuaja se ishte  zbrazur plotësisht, dhe kishte vetëm edhe 4 – 5 shtëpi të banuara.

Ndonëse përmendet dhe shkruhet për një lloj pelegrinazhi në Shtëpinë-Muze të vëllezërve Frashëri, ku tradicionalisht më 25 maj mbahen “Takimet e Naimit”, dhe vetë Frashëri cilësohet vatër e pavdekshme e atdhetarizmit në Shqipëri, këto takime nuk mund t’i ndjekin shumë nga ata që dëshirojnë për mungesë të një rruge. Udhëtimi deri atje bëhet shumë i vështirë për shkak të infrastrukturës së lënë pas dore. Ndërkaq, udhëheqësit e shtetit ndodh të vijnë edhe me helikopter! Nga e gjithë ajo që pashë në muze, m’u ngulit në kujtesë kjo strofë e një kënge popullore:

“Për mua është Frashëri

Katund`i Perëndisë ,

ka lindur Naim Beu

Zemër e Shqipërisë”

E popullit