Sot dhjetë vjet në Zvicër: U promovua fjalori i Mehmet Elezit me prani të Vaçe Zelës

SONY DSC

Unë nuk jam për përmbysjen e gjuhës aktuale letrare, sikur që nuk jam as përkrahës i idesë: që ta ndërtojmë një identitet të Shqipërisë, një identitet të Kosovës, një identitet të Shkodrës etj, sepse ne kemi, një identitet shqiptar, kombëtar, gjithëshqiptar, theksoi z. Mehmet Elezi në Langenthal të Zvicrës me rastin e promovimit të fjalorit të tij, ”Fjalori i Gjuhës Shqipe“, me mbi 41 mijë fjalë e ku ishte e pranishme edhe e madhja Vaçe Zela

Foto e teksti: Rexhep Rifati

Langethal, 16 Maj 2009

“Unë nuk jam si ambasador sot këtu, por si Mehmet Elezi që ka përgatitur një fjalor. Jo, jo tjetër. Unë nuk jam për përmbysjen e gjuhës aktuale letrare. Tjetër është gjuha standarde e tjetër është gjuha letrare. Pra nuk jam për përmbysje. Nuk jam për të bërë si në mitin e Sizifit për të fillua shemb e ndërto. Pra nuk jam që të bëjmë gabime të kësaj natyre si në kohën e ndërtimit të kalasë se Rozofës,  kur ajo që ndërtohej ditën , rrënohej natën!

Pra nuk jam për të përmbysur por jam për të rindërtuar , rikonceptuar e reformuar. Nuk jam as përkrahës i idesë që thonë ta ndërtojmë një identitet të Shqipërisë, një identitet të Kosovës , një të Shkodrës. Sepse ne kemi një identitet shqiptar, kombëtar gjithëshqiptar”,

Me këto fjalë gjuhëtari dhe publicisti Mehmet Elezi e nisi promovimin e fjalorit të tij:”Fjalori i Gjuhës Shqipe“ në takimin  e organizuar në Langenthal të Zvicrës, organizuar nga LSHB për Zvicër, drejtuar nga mr. Nazmi Jakurti.

Me dy -tri fjalë mund të japim edhe një konstatim:  se ky ishte një nga organizimet më të mira viteve të fundit që i kushtohej promovimit të një libri, jo vetëm nga fakti se ai organizohej në një lokal reprezentativ, por edhe nga fakti se në te merrnin pjesë figura të artit, kulturës e jetës shoqërore të shqiptarëve ( në mesin e tyre edhe epokalja e këngës shqipe, Vaçe Zela) edhe nga pjesët më të largëta të Zvicrës, duke dhënë edhe një  kontribut të çmueshëm me diskutimet e tyre , rreth një teme gjithnjë aktuale e sfiduese siç është : gjuha shqipe. Po ashtu pati edhe mysafirë nga radhët e miqve zviceranë.

Edhe fjala shumë përmbajtëse e Driton Kajtazit, mësimdhënës në kolegjin, « Léon-Michaud » në Zvicër, i dha një dimension plotësues këtij evenimenti kulturor. Edhe një përputhje rasti, ndodhi po këtë ditë : z. Mehmet Elezi, po këtë ditë kishte mbushur 60 vite ( u lind më 16 maj 1949 në Tropojë), ndaj edhe me të kumtuar të këtij lajmi nga Nazmi Jakurti, ngjau edhe një befasi: në një kënd të sallës artistët Arijeta dhe Hil Thaqi të përcjell në piano nga Agim Kadriu kënduan këngën „Shumë urime për Ty…“, kështu që të gjithë të pranishmit në sallë u ngrihen në këmbë dhe kënduan së bashku. Ishte një moment prekës për vet Mehmet Elezin i cili mezi i mbajti lotët nga emocione dhe atmosfera shumë ngazëlluese e krijuar në sallë.

Ishte ky rast i mirë edhe për njohjen e krijuesve tanë të artit e të kulturës në Zvicër. Pos këmbimit të përvojave pati edhe këmbim veprash arti, ndër të cilat edhe këmbim librash. Me këtë rast shënuam edhe një moment kur shkrimtari ynë Muarrem Blakaj i dhuroi një nga romanet e tij zonjës Vaçe Zela, e që ky gjest e gëzoi artisten tonë të madhe pa masë, pasi që ajo është adhuruese e madhe e librit dhe luleve.

Krijimtaria letrare e Mehmet Elezit

Poezi: -Zhurmojnë ujvarat, 1970 / Kurrë s´jam ndalur, 1996 dhe Nën një flok të përlotur bore, 2005

Prozë: -24 orë me të vdekurit (tregime), 1997/  Varri i Fatit (roman),  Tiranë 1998; Paris 2002  (“Le tombeau du destin”); Dita e tetë e javës (roman) 1998; (Pa)koka (roman), 1998; Kalendari i Noes (roman), 2000 dhe Ujdhesa e askujt (roman), 2006

Publicistikë dhe sprova: Ajo që më ndjek pas, 1990 (shënime udhëtimi); -Shansi i tretë, 1993; Gjeostrategjia tjetër, 1996 dhe Kosova midis politikës e realpolitikës, 1999

Gjuhësi: Gjuha shqipe në bunker, 2005 dhe Fjalor i Gjuhës Shqipe me 41000 fjalë që nuk gjinden në FGJSSH, 2006