Skulptori Bashkim Beqiri edhe me një shtatore të Nenës Terezë në Panama

Pas punimit dhe inaugurimit të shtatores së Nënë Terezës në qytetit e Winterthurit, skulptori i mirënjohur Bashkim Beqiri është në përfundim të një shtatore të nënës së përbotshme në guri të bardhë, në peshë prej mbi 500 kilogramësh që do stolisë kryeqytetin e Panamasë

Teksti dhe fotot : Rexhep RIFATI

Winterthur, 30 Nëntor 2018:  Prej rreth tri dekadash, skulptori Bashkim Beqiri, është i vetmi shqiptar në Zvicër që siguron bukën nga gurë gdhendje e punimesh sakrale, por edhe veprave të shquara  arti që zbukurojnë qytete të ndryshme, përfshi edhe Cyrihun dhe Winterthurin në Zvicër, ku edhe jeton e punon.

Dje vizitova këtë skulptor në atelienë e tij, aty ku Bashkimi me shumë shkathtësi, afinitet e talent i gdhend  veprat e tij mahnitëse, të punuara kryesisht në gurë, granit apo mermerë. Emri i Bashkim Beqirit tashmë nuk është e panjohur në Zvicër, si në mesin e komunitetit tonë ashtu edhe të atij vendas, ku ai çmohet e vlerësohet për punimet e tij.

Gjatë vizitës së djeshme atë e gjetëm duke përfunduar një vepër grandioze, shtatoren e Nënës Terezë, punuar në guri të bardhë dhe që peshon diku mbi 500 kilogramë. Kjo shtatore së shpejti do të udhëtojë për në kryeqytetin e Panamasë ku do të stolis ndonjërin nga sheshet apo parqe e atjeshme. Ja kështu veprat e skulptorit tonë , tash e tutje do ta kalojnë edhe Atlantikun.

Cili është piktori Bashkim Beqiri?!

Skulptori Bashkim Beqiri, ( i lindur më 1967 në fshatin Pemishte të Skenderajt), për tri dekada jeton nga puna kreative në mërgatë (më parë në Gjermani e tash në Zvicër). Ekzistencën e siguron si gurgdhendës i punimeve sakrale, apo gdhendjeve të tjera në gurë, mermer apo granit. Një pjesë të kohës ia kushton edhe krijimeve të artit, kryesisht në skulpturë.

Punime brilante me daltë e çekan druri

Bashkimi ka në Winterthur një punëtori për gdhendjen e gurëve të varrezave, punë kjo që paguhet mirë në Zvicër. Bashkimi, mesa duket është i vetmi skulptorë shqiptarë që punë prej disa vitesh merret me këtë punë. Madje me një shpejtësi marramendëse, pa përdor farë makinash gdhendëse. Punon kryesisht me daltë e çekan druri.

Gjatë vizitave, në atelienë e tij, që i shërben edhe si punëtori për gdhendjen dhe përpunimin e gurëve të varrezave, shihen punime të ndryshme arti në faza të ndryshme realizimi. Brenda vitit Bashkimi, me talentin dhe shkathtësinë e tij, me dhjetëra e dhjetëra blloqe, graniti e mermeri i shndërron në gurë varrezash. Mjaft  nga të cilat kanë edhe vlera arti. Ndaj edhe është shumë i kërkuar në tregun zviceran për punime sakrale. Punon në përputhje me kërkesat e blerësve nga vise të ndryshme të Zvicrës.

Trëndafilat e gdhendur në gur.

Aty ka motive nga më të ndryshmet, tejet interesante që stolisin gurët në atelie. Një motiv që e ka bërë atë të dallohet nga moria e gurgdhendësve zviceranë, gjermanë e italianë është motivi i trëndafilave të gdhendur në gur. «Motivi i trëndafilave nuk është i panjohur në këtë zanat, por puna në gdhendje të thellë, nxjerrja e gjithë formës së luleve në gur, ka ngjallur interesim të madh te klientët e mi», shpjegon Bashkimi.

Mësojmë se këtë rrugëtim paksa të pazakonshme në rrugën e  artit, Bashkimi e trashëguar që nga ditët e fëmijërisë dhe se atë e ka perfeksionuar , këtu në Zvicër, deri në përsosje. Ai qysh si fëmijë e donte dhe pikturën, madje ai pat fituar edhe në një konkurs arti të «Rilindjes» . Kështu, pas mbarimit të shkollimit fillor me jo pak sakrifica u regjistrua në shkollën e mesme të artit. Ku mendon se u përcaktua edhe rruga tij e mëtejme jetësore. Pohon se dashurinë për skulpturën e ka nga profesori i tij, në shkollën e arteve, Mal Myrtaj, skulptor akademik që tash jeton dhe krijon në Gjermani. Shton se atëbotë nuk kishte mundësi që talentin dhe zellin e tij sprovonte në gdhendje guri. Për këtë i mungonin kushtet, siç i munguan që të regjistrohem edhe në akademinë e arteve në Prishtinë.

Buka e nxjerr nga guri

Pasi kishte punuar në Gjermani për një kohë, në vitin 1990 përmes një konkursi të një firmë që merrej me punime sakrale në Zvicër (Brig të Valisit), kalon në Zvicër. Këtu kërkohej një skulptor-gurgdhendës dhe pasi i nënshtrohet provimit edhe pranohet.

Bashkimi, zakonisht e përmend se më shumë i fle në shpirt pasioni që ka për skulpturën, porse ekzistenca e detyron të merret si gurgdhendës varrezash. Aq më parë, që në këtë punë e dinë brenda dite se sa fiton, e veprat e artit nuk dihet të presin më gjatë shitjen.

Krejt në fund, gjatë vizitës në atelienë e tij ai shtoi se : «Ajo që më fle në shpirt është pasioni im për të krijuar qoftë edhe në gurë, pasi që i tërë ky rrugëtim i imi nuk ka qenë i lehtë. Meqë edhe bukën e gojës është dashur ta nxjerri nga guri».

Dy shtatoret e Nënës Terezë

Dje, gjatë vizitës pamë dje gjatë vizitës, pash se Bashkimi, tash ka një atelie shumë të kompletuar  dhe se punon kryesisht për firmën e  tij , ku ka angazhua pas antarëve të familjes edhe punëtorë të tjerë. Por ajo që e gëzon është se brenda një viti ka arritur ti gdhend dy shtatore të Nënës Terezë, një në Winterthur në qytetin e Winterthurit kontributet dhe organizimet e SHKA “Dardania” që udhëhiqet nga Shefqet Cakolli, e që qe inauguruar përmes një ceremonie madhështore dhe tash këtë shtatore edhe më të madhe e me të veçantë në guri, që do të udhëtojë për Panama.

Gëzon fakti se tash vepra të tilla arti nga skuptorët shqiptarë po stolisin jo vetëm vendbanimet e etnike, por edhe qendra e metropole anëve të nbdryshme të globit, të cilave po u bashkohen edhe skulpturat e Bashkim Beqirit.

(Bashkë me fotot nga atelieja po jap edhe disa nga inaugurimi i skulpturës së piktorit Beqiri në Winterthur)