Skender Ibishi – emër i pavdekshëm i Shqiptarisë

Fjala e Nysret Hajdari, e mbajtur në tubimin përkujtimor me 3 nëntor 2018 në Schaffhausen të Zvicrës

Shpalosja e kujtimeve për shokët e idealit të cilët ma nuk janë në mesin tonë, janë kujtime shumë të dhimbshme por njëkohësish plot respekt dhe porosi për të ardhmen. Skender Ibishi, të cilin e përkujtojmë sot,  është pjesë e pavdekësisë së atdheut, të cilit ia përkushtoi gjithë jetën.

Libri i mbresave në tubimin përkujtimor të 3 nëntorit 2018 ne Schaffahusen të Zvicrës 

Skënder Ibishi lindi 1956. Familja atdhetare e prindërve të Skenderit, Hamdie Naile Ibishit kishin prejardhje nga Banja e Sjarinës, rrethi i Medvegjës,krahinë shqiptare e mbetur nën Serbi. Babanë, Hamdiun, pas Luftës së DytëBotërore, në vitin 1946 regjimi e kishte burgosur dhe dënuar me 12 vjet burg duke e akuzuar se kishte qenë aktiv në furnizimin me armë të luftëtarëve atdhetar shqiptarë.

Skender Ibishi shkollimin fillor e kreu në Prishtinë.Kujdestari i klasës, atdhetari Mustafa Arifi nga rrethi i Tetovës ishte motiv kryesor për Skenderin që ta vazhdonte shkollimin si oficer ushtarak, duke arsyetuar se populli ynë ka nevojë për kuadro ushtarake.

Pasie e kreu Gjimnazin Ushtarak u  regjistrua në Akademinë Ushtarake Tokësore në Beograd dhe diplomoi në vitin 1980.

Pamje gjatë tubimit përkujtimor për Skender Ibishin më 3 nëntor 2018 në Schaffhausen 

Këshilltar për çështje ushtarake në Lëvizjen atdhetare të kohës

Gjatë gjithë kohës së shkollimit të tij në mbante kontakte të rregullta me shokët e fëmijërisë dhe të shkollës fillore në Prishtinë. Kontakte të rregullta mbante me Osman Osmanin, Lekë Nikollën, Kadri Cakiqin, Bahtir Ahmetin, Ramiz Gashin e Hilmi Mehmetin dhe shumë të tjerë.

Kontaktet dhe bisedat me shokë kryesisht orientoheshin në trajtimin e situatës së vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë. Nga kjo situatë ata vijnë në përfundim se vetëm me avancimin e statusit politik të Kosovës mund të ndryshohej gjendja për të mirë. Prandaj, Skënder Ibishi propozimin për angazhim në Organizatë e pranoi me shumë dëshirë. Kjo ndodhi nga mesi i vitit 1978, kur merr pjesë edhe në mbledhjen themeluese të PKMLSHJ-së, në vjeshtë të këtij viti në shtëpinë e Abdullah dhe Adem Prapashticës, në Prishtinë.

Skënderi do të angazhohet në strukturat më të larta të Organizatës duke marrë përsipër edhe funksionin e këshilltarit përçështje ushtarake.

Në përfundim të Akademisë Ushtarake në vitin 1980, ishte caktuar për ta mbajtur një seminar para anëtarëve të Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave me temën “Bashkim –Vëllazërimi në ArmatënJugosllave”. Me këtë rast Skenderi duke u mbështetur në platformën e Organizatës ilegale që i takon, në një version të përshtatur për këtë manifestim, ai bashkërisht me Abdullah Prapashticën dhe Osman Osmanin, në referatin e tij kryesisht thekson qartas nevojën e barazisë politike, ekonomike, sociale e administrativo territoriale të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe krijimit të Republikës së shqiptarëve në ish RSFJ, gjë e cila më vonë gjatë hetimeve do të bëhet shkak për tortura shtesë ndaj tij.

Skender Ibishi në këtë organizatë ka vepruar aktivisht deri në maj të vitit 1982, kur edhe arrestohet dhe dërgohet në burgun famëkeq hetues të Beogradit.

Ftesa e tubimit përkujtimor për Skender Ibishin 

Armata jugosllave asnjëherë nuk ka qenë popullore

Në shqyrtimin kryesor në Gjyqin Ushtarak në Beograd, Skënder Ibishit i dolën dëshmitarë eprorë ushtarak shqiptarë, ca prejtë cilëve ai as që i njihte. Ata flisnin për ta ngarkuar Skenderin sa më shumë, edhe pse ata asgjë konkrete nuk dinin për te, e aq më pak për veprimtarinë e tij politike.

Pjesën më të madhe të burgut, Skënder Ibishi e ka vuajtur në burgun famëkeq të Pozharevcit ku pati rast të takohet me shumë të burgosur politik shqiptar në mesin e ty re edhe me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Halil Alidemën e shumë të tjerë që asokohe vuanin dënimin në at burg.

Prioritet përmbushja e detyrave ushtarake

Pas përfundimit të burgut famëkeq të Pozharevcit, veprimtaria kombëtare e Skënder Ibishit do të vazhdojë aktivisht në kuadër të subjekteve posa të krijuara. Bashkë me Mr. Halil Alidemën, Skënder Kastratin, Skënder Hajdarin, Muhamet Mjekun e shumë të tjerë, ishte anëtar i kryesisë së Degës së III-të LDK dhe kryetar i komisionit për informim dhe komisionit për luftimin e huliganizmit dhe delikuencës. Është me rëndësi të theksohet se me iniciativën e Skender Ibishit u formuan këto komisione të cilat Skënderi i kultivoi aktivisht gjatë vitit 1990-1993, me qëllim kryesor përmbushjen e detyrave ushtarake. Aktiviteti politik dhe ushtarak i Skenderit bie ne sy të policisë serbe dhe detyrohet ta braktis Kosovë.

Ai largohet ilegalisht duke kaluar përmes Maqedonisë deri në Shqipëri, fillimisht me mendimin vetëm për përkohësisht derisa nuk qetësohej situata. Mirëpo, situata dhe rreziku për te nuk kaluan, kështuqe ai nga Shqipëria përmes Italisë kalon në Schaffhausen të Zvicrës, tek shokët me të cilët kishte filluar veprimtarinë atdhetare. Në Zvicër ka jetuar me statusin e refugjati politik.

Pas luftës vendos që lëshojë Zvicrën, ku si i arratisur politik kishte  të rregulluar lejen e përhershme të qëndrimit, dhe bashkë me familjen, bashkëshorten Selveten dhe trefëmijët Marigonën, Fjollën dhe Taulantin, kthehet përfundimisht në Kosovë.

Mbresat për Skender Ibishin vaazhdojnë edhe pas përfundimit të tubimit 

Pajtues e bashkues dhe i dashur për të gjithë 

Me tu kthyer në Kosovë ai aplikon në TMK duke ndjekur procedurat e vendosura nga ndërkombëtarët, por refuzohet pa asnjë arsyetim konkret.

Edhe pse të dy subjektet rivale në Kosovë (LDK e PDK) ishin në dijeni për veprimtarinë e mëhershme dhe gatishmërinë për të kontribuar si para, gjatë dhe pas luftës edhe në ndërtimin e sistemit të mekanizmave mbrojtës të Kosovës, ai u anashkalua pikërisht edhe nga vet ata që për tu ngritur në karrierën e tyre, janë ngjitur përmes Skënder Ibishit dhe shumë atdhetarëve tjerë.

Në mungesë të përkrahjen për vazhdim të karrierës ushtarake, pas kthimit nga Zvicra në Kosovën e pasluftës, Skënderi dhe familja e tij ballafaqohet me mbijetesë fizike dhe tek pas një kohe mjaft ë gjatë e të mundimshme me ndihmën e bashkëveprimtarëve dhe miqve të tij familjar, arrin të punësohet në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë. Aty punon për disa vite, deri edhe kur sëmuret rëndë dhe në moshën 61 vjeçare ndërron jetë.

Aftësia e tij analizuese, parashikimi i veprimeve dhe zhvillimeve jo vetëm në Kosovë e viset shqiptare por edhe në regjion e më gjerë, e bënte atë të jetë nga largpamës dhe krah i të gjithë shokëve bashkëveprimtarë. Skënder Ibishi, gjatë gjithë veprimtarisë së tij atdhetare, arriti të ruajë ekuilibrin njerëzor e raportet e shëndosha njerëzore, edhe kurtë tjerët nuk ishin korrekt. Skenderi megjithatë në çdo situatë ishte tolerant i urtë dhe plot respekt, veçoria këto që e dallonin nga të gjithë ne të tjerët. Bashkëpunonte pa paragjykuar pikëpamjet e shokëve dhe përkatësinë tyre organizative. Ky virtyt e ka bërë të dashur shumë për të gjithë ne.

Tubimin përkujtimor ndër të tjerë e nderuan edhe veprimtarë atdhetar e sindikalistë shqiptar të Zvicrës

Kështu të dashur, Skender Ibishin do ta kujtojmë gjithë jetën, ashtu siç do ti kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e atdheut tonë.