Sinjal i fuqishëm për progres të shpejtë për barazi

Dukshëm më shumë se 500’000 njerëz në grevën e grave 2019

Me 14 qershor 2019 u shkrua histori e Zvicrës. Disa qindra-mijëra gra (dhe burra solidar) morën pjesë në grevën e grave si në ndërmarrje ashtu edhe në rrugë . Kjo është marramendëse! Gjithandej nëpër Zvicër kishte pauza greve, demonstrata dhe në aksione të panumërta të vogla e të mëdha. Një shenjë me zë të lartë, e shumëllojshme dhe e fuqishme, që sa i përket barazisë në Zvicër më në fund duhen përparime dhe se gratë kanë merituar më shumë respekt, më shumë pagë dhe më shumë kohë.

Greva e grave në vitin 2019 tejkaloi në masë të gjitha pritjet. Mbi 500,000 pjesëmarrës janë përfshirë në këto aksione e veprime me rastin e grevës së grave për barazi, e si e tillë tejkalon shumëfish grevën e grave të vitit 1991. 14 qershori 2019 në historinë zvicerane paraqet dukshëm veprimin më të madh e më masiv politik që nga greva e përgjithshme e vitit 1918. Në këtë përfundim vjen një vlerësim nga Konfederata e Sindikatave të Zvicrës, bazuar në shifrat përfundimtare të pjesëmarrjes nga qytetet e mëdha, disa prej të cilave nuk u finalizuan deri në mbrëmjen e së premtes së kaluar.

Një pjesëmarrje jashtëzakonisht e fortë ishte e dukshme qysh në mëngjes të së premtes së 14 qershorit 2019. Rreth 100,000 veta morën pjesë deri në mesditë në aksionet e veprimet e para në rrugë ose në fabrika. Për shembull, në Bernë, 5000 njerëz morën pjesë në një marshutë me karroca përmes rrugicave të Bernës. Pa llogaritur në këtë shifër gratë e panumërta, të cilat në mënyra e veprime të ndryshme sinjalizuan mbështetjen e grevës së grave dhe kërkesat e saj. Gjithashtu nuk janë përfshirë edhe gratë e panumërta, të cilat në jetën e tyre private, përmes një veprimi të caktuar kanë ngritur zërin për më shumë barazi.

E pashembullt në Zvicër ishte pjesëmarrja në mitingjet përfundimtare. Vetëm në Cyrih, u shënua demonstrimi më i madh politik i veçantë në historinë qytetit me rreth 160,000 njerëz. Masat pjesëmarrëse gjithashtu paralizuan qendrat e qytetit në Lausanne me rreth 60,000 njerëz dhe në Bazel dhe Bernë secila me nga 40,000 njerëz. Në Gjenevë, ka pasur 20,000 dhe në qytetet më të vogla të tilla si Freiburg (12,000), Sion (12,000), Bellinzona (10,000), Neuchâtel (10,000), Winterthur (rreth 10.000) dhe si të tilla këto demonstrime kanë arritur dimensione historike për këto qytete.

Mobilizimi masiv, duke përfshirë gratë nga të gjitha sferat e jetës, tregon se barazia e grave në vendin e punës dhe në shoqëri duhet të lëvizë përpara dhe të përparojë. Një ritëm i shpejtë në paga është më se i nevojshëm. Në raundin e pagave të vjeshtës do t’iu kërkohet punëdhënësve. Ata deri në fund të vitit duhet të ofrojnë më në fund rritje të konsiderueshme të pagave reale për të gjithë. Në veçanti nga kjo duhet të përfitojnë gratë, veçanërisht ato në profesionet «tipike» të grave, të cilat karakterizohen nga paga të ulëta. Parimi i «Pagës së barabartë për punë me vlerë të barabartë» gjithashtu duhet të zbatohet shpejt. Është e papranueshme që gratë e reja që hyjnë në profesion të janë të pafavorizuara në pagat e tyre në krahasim me kolegët e tyre meshkuj. Nevojiten edhe analizat e pagave korrigjuese të përcjella me kontrolle dhe sanksione. Edhe mundësitë për gratë që të zhvillojnë karrierën e tyre duhet të përmirësohen. Ndër të tjera, kjo do të thotë se edhe pajtueshmëria mes familjes dhe punës duhet të përmirësohet. Investimi në kopshte, shkolla ditore, Spitex, dhe shërbimet e kujdesit për pacientët e rritur lehtëson presionin mbi gratë. Vendosmërisht kundër seksizmit edhe në botën e punës. Kjo kërkon ndër të tjera mbrojtje më të mirë kundër shkarkimit në rastin e lindjes dhe kujdesit për të afërmit si dhe masave efektive kundër ngacmimit seksual në vendin e punës.

Demonstrimi i fuqisë së grave nuk mund të anashkalohet nga ekonomia dhe politika. Falë rrjetëzimit midis organizatave të grave dhe sindikatave, e që është intensifikuar gjatë muajve të përgatitjeve, presioni ndaj vendimmarrësve do të mbetet i lartë për të arritur me vendosmëri barazinë gjinore.

Në sheshin pranë pallatit federal të Zvicrës në Bernë, aktivistja sindikaliste Emine Sariaslan flet për diskriminim e dyfishtë të mirganteve, e shoqëruar edhe nga gratë shqiptare me pankarta me kërkesa në shqip…

Kërkesat e grave migrante

Greva e grave, 14 qershor 2019: Jo diskriminimit të shumëfishtë si grua dhe si migrante

Migracioni është femëror! Rre gjysma e njerëzve migrues në gjithë botën janë gra. Më para migrantet në Zvicër vinin në kuadër të bashkimit familjar, ndërsa sot migracioni femëror është shumë më i pavarur. Ndërsa gratë nga hapësira e BE-së guxojnë të udhëtojnë dhe punojnë pa problem në Zvicër, gratë nga shtetet e treta praktikisht mund të hyjnë dhe qëndrojnë legalisht në Zvicër vetëm përmes bashkimit familjar. Statusi i tyre i qëndrimit është i ndërlidhur me “qëndrimin tek bashkëshorti”. Kjo është veçanërisht problematike për gratë, të cilat i nënshtrohen dhunës në bashkëshortësi.

Mirëpo edhe shumë gra nga hapësira e BE-së gjejnë një vend punë vetëm në veprimtaritë “tipike të grave” me pagë të keqe: Ato janë të mbi përfaqësuara në përkujdesje, gastronomi, pastrim, bujqësi, etj. Shumë të ashtuquajtura migrante lavjerrëse (lëvizëse) punojnë në amvisnit private, e që nuk i nënshtrohen ligjit të punën, andaj edhe me kushte të këqija pune.

Gratë migrojnë, pasi që ato duan të japin një kontribut për situatën financiare të familjes, ti ikin edhe papunësisë në vendin e tyre, të trajnohen më tej, apo pasi duan të çlirohen nga normat dhe detyrimet shoqërore të cilat zotërojnë në Atdheun e tyre. Por, shumë migrante këtu jetojnë e punojnë në kushte të rënda prekariteti (të pasigurta/paqëndrueshme). Arsimimet dhe diplomat e tyre shpesh nuk pranohen në Zvicër. Andaj shumë migrante duhet të pranojnë një vend pune, i cili është nën kualifikimin e tyre profesional. Siguria e pamjaftueshme financiare dhe sociale, statusi prekarizues (i paqëndrueshëm) apo ilegalizimi si “Sans-papiers” (pa letra) ua vështirëson atyre situatën , për tu mbrojtur nga shfrytëzimi dhe dhuna.

Ne shfrytëzojmë grevën e grave edhe për të tërhequr vëmendjen për diskriminimin e shumëfishtë ndaj migranteve dhe për të kërkuar dhënies fund të tij. Zvicra duhet të njeh diplomat, aftësitë dhe kompetencat e njerëzve me sfond migracioni. Ajo duhet të pranojë shkaqet specifike të arratisjes së grave dhe tu afrojë këtyre grave siguri e mbrojtje nga dhuna dhe shfrytëzimi- Këtu duhet përfshi edhe nënshtrimin ligjit të punës për punën në amvisnit private dhe për ti dhënë fund kushteve të punës pa dinjitet.

Hilmi Gashi, kryetar i komisionit për migracion në SGB/USS (Bashkimi i Sindikatave të Zvicrës)

Aktivistet shqiptare të sindikatë Unia nga regjioni Cyri-Shafhausen me pankarta kundër diskriminimit në shqip në Cyrih me 14 qershor 2019
Sindikalistet shqiptare të Unia të regjionit të Bernës me rrethinë në demonstratën madhështore të Bernës me rastin e grevës së grave me 14 qershor 2019

Pjesëmarrës aktiv të aksioneve veprimeve dhe në demonstrata nëpër qytete të ndryshme të Zvicër ishin edhe sindikalistet/ët shqiptaro-zvicerane/ë. Përfshi edhe fjalime rasti si dhe banderola e pankarta në gjuhën shqipe me kërkesa edhe specifike kundër diskriminimit të dyfishtë si gra dhe si migrante…

Vlerësimi i Bashkimit të Sindikatave të Zvicrës SGB/USS (përshtati dhe shqipëroi O. Osmani)