Për vizitë zyrtare në Kosovë, neser (e premte), do të qëndrojë presidenti i Letonisë. Temë e diskutimeve sipas Presidencës letoneze do të jetë siguria në Evropë.
Pas Maqedonisë së Veriut, ku sot (e enjte) ndodhet në vizitë zyrtare, presidenti i Letonisë, Egils Levits, do të qëndrojë edhe në Kosovë. Ai të premten do të pritet me nderimet më të larta shtetërore në Prishtinë.
Ai do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit kosovar. RTK ka siguruar agjenden e presidentit leton, sipas së cilës, ai do të mbërrijë në orën 10:00 në Prishtinë.
Në orën 11:00 do të mbjellin pemën që simbolizon miqësinë mes dy vendeve kurse në orën 11:40, do të mbajë një konferencë të përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa osmani.
Në orën 12:15, ai do të pritet në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kurse në orën 12:50 do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti.
Takimet e tjera të kreut të shtetit leton do të jenë me komandantin e KFOR-it, si dhe me trupat letoneze që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
Vizita e tij është e para në Kosovë, por jo edhe e vetmja e një zyrtari të lartë leton. Kjo pasi më parë, Prishtinën e kishte vozituar ministri i Mbrojtjes së këtij vendi, Artis Pabriks.
Ai kishte theksusar vullnetin e tij dhe qeverisë letoneze për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe ofrimin e kontributit nga kapacitetet e tyre në realizimin e synimeve strategjike të Republikës së Kosovës dhe qeverisë së saj për anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Ndërkohë, sot në Shkup, Egils Levits, takohet me nikoqirin e tij, presidentin Stevo Pendarovski.
Në kuadër të vizitës, në kishën “Shën Spasi” në Shkup, dy presidentët do të vendosin lule te varri i Goce Dellçevit.
Presidenti i Letonisë, dje ka realizuar takim me shefin e diplomacisë, Bujar Osmani, i cili e priti në aeroportin e Shkupit. Ata kanë biseduar për sfidat aktuale politike dhe të sigurisë, si pasojë e invazionit në Ukrainë, në aspekt të anëtarësimit të dy shteteve në NATO, ndërsa u riafirmua edhe përkrahja letoneze për eurointegrimet tona.