Shukrije Ramadani në ditëlindjen e hero Agimit

Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme! Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj.

Nga Shukrije Ramadani

Për ditëlindjen Tënde!

Si ta uroj ditëlindjen shpirti im?! Në lulen e rinisë me gjakun tënd lave ëndrrat tua për Shqipërinë e bashkuar. Shumë gjëra u bënë ndryshe qe 21 vite të mungesës sate! Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për cahektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj.
Po harrojnë se gjaku i derdhur ecë lirshëm damarëve të tokës së lashtë pellazge e cila nuk falet aq lehtë, se frymon dhembje. Ti prekësh ata damarë e prek shpirtin epokave të qëndresës. Ndoshta më mirë që na u mbyllën rrugët kah ju, e lulet u vyshkën në duar, se do të habiteshe me pamjen e përçudnuar të botës njerëzore që do të vizitonin. Njerëz pa fytyra veç me sy. Kishin ardhur aq shumë sy e ua kishim prishur qetësinë!
Ti ke ditur ti lexosh sytë e njerëzve, te zbulosh të fshehtat e tyre e thikat pas shpine që ti ruanin! Po tash janë shumuar thikat shpirti jem, në çdo anë secili ther secilin e fshihet pas maskës së liderit të vet. Ideali u shkel e harru si të zhdukurit e luftës. Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makth e të humburish që se gjejnë rrugën e dritës! Assesi s`po e gjejmë kush është Diogjeni, kujt t`ia besojmë shpirtin kur dreqërit me rroba engjëjsh po vishen e mbi kokat tona daullet e patriotizmit i rrahin në emër të dheut e atdheut. Çdo herë jam lutur ti çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave , sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon!
Pusho i qetë shpirti im, se ti vetëm ditëlindje ke ! Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme!

(Nga fb i zonjës Shukrije Ramadani, bashkëshortes së Agim Ramadanit, me rastin e ditëlindjes së heroit – më 3 maj të vitit 1963 në Zhegër të Gjilanit) .