Shtypi zviceran mbi zgjedhjen e Hilmi Gashit, kryetar i parlamentit bashkiak 2025

Gazeta e Muri-Gümligen dhe Allmendingen e ditës së enjte, më 30 janar 2025, ia kushton mbi një faqe e gjysmë shqitaro-zviceranit Hilmi Gashit, me rastin e të zgjedhjes së tij si kryetar i parlamentit bashkiak për vitin 2025. Në vijim po japim të shqipëruar të gjithë shkrimin në fjalë.

Në Muri-Gümligen në vend se në Angli – si luan jeta me njeriun

Këtë vit, Hilmi Gashi i të Gjelbërve është kryetar i këshillit të madh bashkiak të Murit pranë Bernës. Sindikalisti ka një jetë plot ngjarje dhe gjithashtu gëzon një reputacion të mirë midis kundërshtarëve politikë.

Ai thotë: «Dua të ndihmoj, t’i bëj njerëzit të dukshëm që nuk shihen edhe aq me sy të mirë.»

Fakti që Hilmi Gashi në vitin 2025 është «I pari i Muri-Gümliger-it» ka të bëjë edhe me rastësinë. Gashi u rrit si më i madhi i shtatë vëllezërve e motrave në Atmagjë, një fshat afër Prizrenit në Kosovë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Gashi studioi për ekonomi në Prishtinë, por iu desh të braktiste pas tre vjetësh për shkak të trazirave në vendin e tij. Dhe kosovari vendas në fakt donte të shkonte në Angli gjatë pushimit të semestrit për të kërkuar një punë sezonale, por falë të njohurve të tij përfundoi në Bernë.

«Nuk dija shumë për Zvicrën, në moshën 14-vjeçare lexova William Tell-in në shqip dhe si entuziast futbolli njihja Xamax Neuchâtel, gjë që shkaktoi bujë në Kupën e Europës në atë kohë», thotë Gashi dhe qesh. «Historitë e punëtorëve sezonalë që takova si adoleshent në Kosovë ishin padyshim jo vetëm mburrëse për Zvicrën.»

Pas arritjes së tek ne, tregimet negative ishin bërë pjesërisht realitet. «Më vonë erdha në Zvicër pa pasur rrjet dhe fillimisht punova si moler në ndërtim dhe me tre punëtorë të tjerë ndërtimi jetoja në një dhomë të një shtëpie në Kirchenfeld. Kjo ishte pothuajse luksoze. Punëtorët e tjerë sezonalë jetonin në kazerma të izoluara keq në anë të rrugës. Hapësirat publike në Bernë ishin të rëndësishme për punëtorët sezonalë. Takoheshim në stacionin e trenit, në pubin Christoffel në nënkalimin e stacionit ose në shah në Bärenplatz», thotë Gashi. Vetëm dal ngadalë e gjeti vendin e tij në shoqëri.

«Isha me fat dhe arrita të rifilloj studimet në Universitetin e Freiburgut. Njerëz emocionues nga të gjitha anët e Zvicrës jetonin në apartamentin e përbashkët dhe kështu fillova të gjejë rrugën time gjithnjë e më mirë.» Ai Zvicrën e njohu fillimisht vet, por edhe më vonë bashkë me gruan e tij Violeta dhe djemtë Lenart dhe Endrit gjatë ecjes, çiklizmit dhe ekskursioneve dhe pushime të shumta me tren ose autobus postar në të gjithë vendin.

Me familje për në Muri
Më vonë, Hilmi Gashi u transferua në Muri me familjen e tij. Shumë kujtime pozitive janë të lidhura me futbollin. Fusha e futbollit është një vend i mirë takimi, thotë Gashi. «Klubet në Zvicër po bëjnë shumë punë lidhur me integrimin.»
I përfshirë në këshillin e prindërve, Gashi shumë shpejt ka stërvitur vetë klasa të caktuara për Kupën e nxënësve, dhe më vonë dy djemtë e tij Lenarti dhe Endriti iu bashkuan FC Muri-Gümligen. «Para se një ekip do të shpërbëhej sepse nuk kishte më trajnerë, u lidha me të.» Hilmi Gashi përfundoi kursin bazë të trajnerit dhe vazhdoi trajnimin tutorial në internet. Edhe përkitazi me kohën e lirë për Gashi vlen: pa përgatitje s’mund të arrihet asgjë.

Në rininë e tij, ai u përfshi vetë në disa lloje sportesh, duke luajtur futboll, basketboll, pingpong dhe arte luftarake. «Gjithmonë kisha nevojë për shumë ushtrime. Edhe sot, idetë më të mira kanë më shumë gjasa të vijnë tek unë gjatë një shëtitjeje në pyll sesa në tavolinën time.» Dhe kur Gashi gjen kohë, i pëlqen të dëgjojë rock alternativ e inovativ, ai gjithashtu luan vetë kitarën.

Asnjë votim të humbur
«Unë kam qenë gjithmonë person politik,» thotë Gashi. «Pas natyralizimit tim në vitin 2008, personalisht u përfshiva më shumë në politikë. Në Bernë, po kërkoja lidhje politike dhe e gjeta në Aleancën e Gjelbër (GB). Nga njëra anë nëpërmjet të njohurve dhe nga ana tjetër kisha edhe përbashkësi më të mëdha politike me GB në atë kohë.»
Për shkak të angazhimit të tij në politikën e integrimit dhe punës së tij në sindikatën Unia, Gashi do të përshtatej mirë ndoshta edhe me PS-në. Që nga natyralizimi i tij, Hilmi Gashi nuk ka humbur asnjë votim dhe ai është krenar për këtë. Gashi e sheh pjesëmarrjen politike si një privilegj dhe prandaj do të donte ta bënte të mundur për të huajt që jetojnë këtu.
«Shumë nga ta janë të përfshirë profesionalisht apo shoqërisht, bëjnë detyrat e tyre, paguajnë taksa, për të kuptuar më pas se atyre nuk u lejohet të votojnë. Jam i angazhuar për të luftuar këto pengesa strukturore dhe të tjera. Dua të ndihmoj, që t’i bëj njerëzit të dukshëm që përndryshe janë të padukshëm.»
Jashtë bashkisë dhe parlamentit të Muri-t, Hilmi Gashi është i përfshirë në nismën e katër të katërtave, në vetë shoqatën dhe në komitetin përkatës nismëtar. «Bëhet fjalë për përfshirjen e 25% të njerëzve pa pasaportë zvicerane në diskursin politik. Kjo forcon demokracinë tonë të drejtpërdrejtë dhe e bën atë më gjithëpërfshirëse.»
Emigrantët nuk janë një grup homogjen, ata kanë opinione të ndryshme, gjithashtu politikisht, ashtu si shoqëria që tashmë jeton këtu, thotë ai. «Unë njoh kosovarë që janë politikanë në SVP, të tjerë e përshkruajnë veten si liberalë ose orientohen drejt së majtës. Personalisht, mendoj se angazhimi politik është i rëndësishëm, por gjithashtu i kuptoj ata që nuk angazhohen politikisht.»

«I pari i Muri-Gümliger-it»
Në sesionin e parë parlamentar të vitit, ai u zgjodh njëzëri president i Këshillit të Madh Bashkiak – gruaja dhe dy djemtë e tij ishin të pranishëm në auditorin e shkollës Moos – dhe tani për një vit është «I pari i Muri-Gümliger-it». Në fjalën e tij të shkurtër të hapjes, Gashi tha se tre dekada më parë, kur mbërriti në Zvicër, nuk do të kishte pritur kurrë të bëhej kryetar i parlamentit të një komune si Muri pranë Bernës.

Gashi gëzon një reputacion të mirë në politikën lokale shumë përtej vijave partiake si një politikan i matur që është gjithmonë i sigurt për dosjen. Përveç mënyrës së tij të qetë, vlerësohet edhe aftësia e tij për të dëgjuar dhe pranuar opinione të tjera. Parakushte të mira për detyrën kërkuese të kryesimit të takimeve të Këshillit të Madh Bashkiak.
«Së bashku me zyrën e këshillit, unë do të doja të siguroja një bazë pozitive për diskutim dhe të drejtoja debatet me kujdes. Për mua, kjo do të thotë planifikim dhe përgatitje e mirë në mënyrë që Parlamenti të përqëndrohet në përmbajtjen dhe jo në formalitetet. Natyrisht, unë do të jem një Kryetar i Këshillit për të gjithë dhe do të jem politikisht asnjanës.»

Menjëherë provoi se mund ta bënte mirë. Ishte një takim i vështirë dhe jashtëzakonisht i gjatë për muajin janar, por Gashi e udhëhoqi me besim deri në fund të mbrëmjes, në orën 23:30.