Ëndrra ime e kamotshme për të vizituar vendlindjen e kolosëve të shqiptarisë: Abdylit, Naimit e Samiut mu përmbush vetëm pas tentimit të tretë, më 11 Qershor 2016, shoqëruar nga Jakup Reka e Shkëlzen Rexha. Pengesë ishte rruga në një gjendje të mjerueshme edhe pse në të hyrë të saj, afër Përmetit shkruan: “Frashër – Meka e Shqipërisë” e në të hyrë të zonës : “Bredhi i Dangëllit, mushkëria e Ballkanit”.
Që të dyja këto qëndrojnë, por tek pas një udhëtimi të mundimshëm prej mbi 30 kilometrash pasi ta lëshosh asfaltin. Derisa në vargjet e Naimit përmenden “lisat e gjatë”, aty gjetëm një pishnajë të mrekullueshme me mbi njëmijë hektarë bredhë. E sa për njerëz, taksisti me të cilin udhëtoni, Bardhyl Hyseni nga Përmeti, na tha. “këtu vetëm arushat shtohen e njerëzit pakësohen”! Tregoi gjatë udhëtimit për në Frashër njëherë i është dashur të pres derisa i ka lëshuar rrugën një ari, ndërsa vetëm një ditë më parë ishte kthyer në gjysmë të rrugës me tre studiues nga Izraeli, pasi kishte rënë një shi i rrëmbyeshëm e rruga ishte e pakalueshme. Ndonëse edhe ne nuk e patëm lehtë të arrijmë në cak.
Zhgënjimi tjetër, kur pas dy orë udhëtimi në shtegun prej 30 e sa kilometrash, gjetëm shtëpinë e frashërve të mbyllur. Fqinjët që kujdeseshin për te na thanë se ajo mund të hapej vetëm me urdhrin e kryetarit të Bashkisë së Përmetit, pasi aty ishin plaçkitur gjëra me vlerë. Bisedova me telefon dhe hasa në mirëkuptim tek kryetari i Përmetit. Frashëri, ndonëse ishte qendër e Komunës Dangëlli, thuaja se ishte zbrazë plotësisht, kishte vetëm edhe 4-5 shtëpi të banuara.
Ndonëse shkruhet për një lloj pelegrinazhi në Shtëpinë Muze të Vëllezërve, ku tradicionalisht më 25 maj, mbahen “Takimet e Naimit” dhe vetë Frashëri që cilësohet vatër e pavdekshme e atdhetarizmit në Shqipëri, këto takime nuk mund ti ndjekin shumë nga ata që dëshirojnë për mungesë të një rruge e sa i përket udhëheqëseve të shtetit, ata ndodh të vijnë edhe me helikopter! Nga e gjithë ajo që pash në muze mu ngulit kjo strofë e një kënge popullore:
Për mua është Frashëri
Katund`i Perëndisë ,
ka lindur Naim Beu
Zemër e Shqipërisë.
E popullit
- Tabela para se të lëshohet rruga Përmet- Tepelenë
- Shoqëruesit me taksistin Bardhyl Hyseni para hyrjes në parkun nacional
- Moment i papërshkrueshëm, ja katundi i tre kolosëve tanë!
- Shtëpia e vëllezërve Frashër (Foto: Shkëlzen Rexha)
- Tabela e muzeut
- Frashëri, ëndërr e kamotshme
- Prindërit e vëllezërve Frashër
- Vargjet e Naimit
- Vargjet e Samiut