Shtëpia- muze në Gjirokastër, ku lindi gjeniu Kadare

Me statusin e Monumentit të Kulturës, shtëpia në lagjen “Palorto”, u restaurua plotësisht në 80 vjetorin e lindjes së Kadaresë me mbështetjen teknike e financiare të UNESCO-s dhe Ministrisë së Kulturës, sa sot të vizitohet nga shumë adhurues të shkrimtarit nga brenda dhe jashtë vendit.

Teksti e foto : Rexhep Rifati

Që nga hapja në janarin e vitit 2016, shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në Gjirokastër po shërben si rezidencë për organizimin e shumë veprimtarive të ndryshme kulturore. Në dhjetor të vitit 2016, mora pjesë në një organizim nga Presidenti i Lnpsha “Pegasi” Albania, shkrimtari Kristaq F. Shabani, të promovimit të librit “Me Kadarenë” të poetit Musa Jupolli, me prejardhje nga Podujeva që jeton e vepron në Paris e që është mik i Kadares. Gjatë këtij organizimi të shkëlqyeshëm letrar, ishte kënaqësi të jesh në mesin e shumë artistëve të zonës së Gjirokastrës e Sarandës.

Por pata edhe disa vizita të tjera edhe me anëtarët e familjes sime, kur një nga nipat e mi ngjitej në ballkonet e saj, duke dashur të emitojë Kadaren e vogël, pasi aty pa disa fotografi derisa gjeniu i letrave tona ishte qenë fëmijë. Po në këtë shtëpi, krahas vizitave organizohen edhe takime letrare e simpoziume shkencore.

Në këtë shtëpi- muze shquheshin odat me mënyrën e ndërtimit dhe mobilimin tradicional, por mungonin botimet e Kadaresë, pasi pjesa dërmuese e ekzemplarëve të parë janë të sistemuara te Shtëpia Studio Kadare në Tiranë, ku mund të hasim punën e shkrimtarit, njohim pasojat e saj të pafundme në kohë, në letërsi dhe te lexuesit e tij, si dhe të krijojmë idenë si u shpërnda, u prit dhe përcoll vepra e tij

Apartamenti në Tiranë, ku ka banuar Kadare në vitet 1974 – 1989, i ndodhur në katin e tretë të një pallati në Rrugën e Dibrës projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972, është shpallur në vitin 2015 Monument Kulture i Kategorisë II.

Si shtëpia- muze në Gjirokastër ashtu edhe Shtëpia Studio Kadare, në Tiranë, që për shkak të veprës së madhe të shkrimtarit tonë me përmasa ndërkombëtare, tërheqin jo vetëm vizitor shqiptar, por edhe turistë ë huaj, në mesin e tyre edhe krijues me emër.

Vlen për të theksuar se edhe qyteti, Ferizaj ka një shesh me emrin “Ismail Kadare”, të inauguruar në 80 e shkrimtarit tonë me famë botërore që gjithashtu mori pjesë në këtë akt solemn në Ferizaj.

Krejt në fund është për tu përshëndetur edhe gjesti i kryebashkiakës së Tiranës e cila dërgoi përgjegjësin e kulturës së Gjirokastrës, që të na e hap shtëpinë- muze, ndonëse ishte ditë e diel. Ishte ky rast i mirë edhe që edhe disa vizitorë nga shtete skandinave të vizitonin shtëpinë ku lindi gjeniu i letrave tona.

( Me këtë rast pos shtëpisë- muze, po jap edhe një foto që kam shkrep gjatë një promovimi të librit të Kadaresë në Cyrih)