Shtëpia – muze e Nënës Terezë, ku dukshëm fshihet prejardhja shqiptare

Sot fillimin e javës në kuadër të prezantimeve të muzeve që bën portali ynë, po e postojmë shtëpinë- muze të Nënës Terezë në Shkup, që ndërlidhet edhe me 101 vjetorin e vdekjes së Kolë Lazër Bojaxhiut, babës së Gonxhe Bojaxhiut.

Nga Rexhep Rifati

Këtij muzeu i bëra një vizitë me 15 Nëntor 2019 i shoqëruar edhe nga Ibrahim Xhemaili, mërgimtar në Danimarkë, Shefshet Beqiri nga komuna e Ferizajt dhe Jakup Reka nga Shkupi. Në fakt muzeu nuk është ngrit në vendin ku ka lind Nëna Terezë, sepse vendi ku ka ekzistua shtëpia e saj, në qendër të Shkupit, aty mezi mund të dallosh vetëm një mbishkrim dhe rrënojat për rreth, pa patur mundësi ti ofrohesh, sepse aty realizohej një projekt, për të cilin nuk arritëm të mësojmë se a ndërlidhet me nenën tonë të Shenjtë e Nobeliste.

Ajo çka munda të kapi me syrin e objektivit ishte një pllakë përkujtimore e vendosur aty, me mbishkrim vetëm në maqedonisht dhe anglisht, ku shkruan:” „Bota nuk është vetëm e uritur për bukë, por për dashuri“,  e jo edhe në shqip, përkundër faktit se Maqedonia është një vend dygjuhësor ! Sipas të dhënave, shtëpia ku ka lindur Nëna Terezë u shkatërrua nga tërmeti i rëndë i vitit 1963.

Sa i përket objektit, ku është vendosur shtëpia – muze kushtuar Nënës Terezë, ai filloi në maj të vitit 2008 dhe u krye një vit më vonë, me financimin e Qeverisë së Maqedonisë dhe është realizuar nga Ministria e Kulturës. Është një version modern, i transformuar i shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës me një karakter shumëfunksional, por sakral. Brenda shtëpisë, ruhen pjesë nga reliket e saj, të cilat u transferuan në Shkup me mbështetjen e Kishës Katolike Romake të Shkupit

Gjatë vizitës brenda në muze me shumë mund të hasësh fotografi të ndryshme të Nënës Terezë me personalitete të shquara të botës, e shumë më pak  të familjes së saj, sikur me dashtë që ti iket përkatësisë së saj shqiptare.

Sipas asaj që shkruan portali Shqipëria.com, historiani, Skënder Asani, nga Shkupi tregon se: “Pasi nuk mundën dot ta përvetësonin figurën e saj, pasi dihet tashmë botërisht se Nënë Tereza është shqiptare, ato deshën të ndërtonin në këtë vend një kishë, si e si të humbnin gjurmët e Nënë Terezës”. Ajo që të bën dhe më shumë përshtypje  është se  shtatorja e Nënë Terezës  mezi gjendet, ashtu e vogël, e vendosur në pozicion të papërshtatshme  për vizitorët e për syrin.

Duhet të kalosh mes përmes sheshit “Maqedonia”, duhet të shohësh të gjitha monumentet e ndërtuara të “heronjve të mëdhenj maqedonas”, për të mbërritur tek një nga rrugicat e shumta  të një lagjeje e populluar në qendër të Shkupit, ku gjendet pikërisht shtatorja e gruas me trup të vogël dhe shpirt të madh.  Vendndodhja është e futur në rrugën “Maqedonia” dhe nëse nuk të drejton dikush për aty, zor se e gjen. Shtatorja ndodhet pranë  shtëpisë muze, një godinë e re  e moderne, me një arkitekturë të çuditshme,  e realizuar nga  një arkitekt maqedonas.

Shtatorja është tepër e vogël dhe duket si një objekt i parëndësishëm, e bërë duke mos i dhënë përmasat e zakonshme të skulpturave të tilla në sheshe e qytete.  Kjo statujë nuk përcjell pothuajse fare përmasat e figurës së kësaj gruaje të madhe, e cila nderoi shqiptarët, por jo pak dhe Maqedoninë si vendi i lindjes së saj. “Vendosja e shtatores së Nënë Terezës në afërsi të së ashtuquajturës  ‘shtëpi e Armatës’, hasi në polemika dhe kundërshti nga shoqëria civile shqiptare, e cila e kundërshtoi me forcë këtë nënçmim të  figurës madhështore që kontribuoi për mbarë njerëzimin.

Propozimi i shoqërisë civile shqiptare në Shkup ishte që shtatorja e Nënë Terezës dhe muzeu ose shtëpia-muze, siç e quajnë ata, të ndërtoheshin në vendin ku kishte lindur, në sheshin kryesor të Maqedonisë , aty ku ndodhen rrënojat e shtëpisë së saj të lindjes.

Historiani Asani thotë:  “Maqedonasit u munduan të fshehin prejardhjen e saj dhe ndërtimi i muzeut  të saj në këtë vend të fshehur është me qëllim që mos të ketë vëmendjen e duhur”.

Ajo që të bën përshtypje, sa futesh në shtëpinë e Nënë Terezës, është një dhomë e mbushur me objekte të saj.  Në një pjesë të dhomës gjendet “krevati i saj” në  Kalkutë,  i cili sipas historianit Asani, nuk është origjinali. Më pas shihen foto gjatë veprimtarive të saj, si dhe  “Çmimi Nobel për Paqen”.

“Siç dhe e shohim këtu janë vendosur objekte jo autentike. Këtu mungojnë dokumentet e rinisë së saj, të kohës përpara se të nisej për në Kalkutë, gjë do të tregonte prejardhjen dhe origjinën e saj. Krevati nuk është i saj.  Mungojnë dokumentet autentike për përkatësinë kombëtare, foto nga rinia e saj, në të cilat është e veshur me veshje tradicionale kombëtare. Mungon deklarata e saj me rastin e marrjes së “Çmimit Nobel”, në të cilën thotë se jam me gjak shqiptari. Mungojnë të dhënat për familjen”, dëshmon historiani Skënder Asani, me detyrën drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup.

Në mesin e personaliteteve që vizituan këtë shtëpi muze dhe bënë nderime para shtatores së saj ishte edhe Papa Françesku i cili edhe i lutet Nënë Terezës. Përndryshe sipas një shkrimi të Radio Vatikanit kjo Shtëpi përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit.

( Fotot i kam shkrep nga jashtë dhe brenda objektit të Shtëpisë- Muze “Nëna Terezë” )

 

 

 

 

 

 

.