Shtëpia e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, vatra ku u farkua shtetësia

294

Shtëpia e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, vatra ku u farkua shtetësia
Ndër muzetë që tërheq interesimin e shumë vizitorëve në Prishtinë është Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës “Dr. Ibrahim Rugova”. Është kjo një shtëpi e vogël, ku u zhvilluan ngjarje të mëdha në rrugëtimin e vështirë drejt pavarësinë së Kosovës. Ky ishte shkas që objekt u dogj dhe u shkatërrua hi gjatë sulmeve serbe.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Ajo që bie në sy që në hyrje të Muzeut janë tre flamuj. I pari ishte flamuri i Kosovës, i dyti flamuri kuq e zi mbarëshqiptar kurse vend të rëndësishëm ka zënë edhe flamuri Dardan, të cilin Rugova e promovoi aq shumë dhe e propozoi si një simbol e flamur etnik shqiptar.
Pas riparimit objekti u kthye në muze, ku janë vendos disa eksponate e fotografi të takimeve të Presidentit Rugova me personalitete. Por edhe dy gurë-simbole, një kristal Trepçe, që zakonisht Presidenti Rugova u dhuronte miqve dhe një guri kufiri, që ndante hermetikisht në mënyrë të pa drejtë Kosovën me Shqipëri. Në këtë shkrim edhe dy foto nga përurimi, ku një i moshuar solli një trëndafil të bardhë në shtëpinë ku u ideua e kalit pavarësia e Kosovës.
Në këtë shtëpi që sot quhet muze ka pasur shumë më tepër aktivitet, ka pasur shumë vendime të rëndësishme, por që në te ka shumë pak eksponate, ndoshta edhe vendi është i kufizuar, por edhe në hapësira më të vogla në muze të ndryshme kam has në më tepër eksponate dhe artefakte.
Epiqendër rrezatuese për idealet e lirisë

Lidhur me rëndësinë e kësaj shtëpie ku u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës tash e kthyer në muze me emërtimin “Shtëpia e pavarësisë Ibrahim Rugova “, huazuam një fjalë të ish- presidentit të Kosovës dr. Fatmir Sejdiut, i cili për këtë objekt që pushtuesi serb e dogji në tersi nga mllefi për rolin që kishte luajtur, thotë se:
“Kjo shtëpi ka qenë epiqendër rrezatuese në idealet dhe për idealet e lirisë dhe, në të njëjtën kohë, promovuese e vlerave më të rëndësishme të popullit tonë në shpalosje edhe të identitetit para botës, por edhe në artikulim të fuqishëm të një projekti të madh që udhëhiqte Presidenti Rugova”

Shtëpi e vogël, por me ide dhe projekte të mëdha

Ish- presidenti Sejdiu potencoi gjithashtu se: Kjo shtëpi, ka qenë strehë e parë, themi në kuptimin e selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrethana prapë them edhe objektivisht shumë të vështira, në një hapësirë shumë të vogël por që ka punuar në 24 orë, pa pasur pushim. Kjo shtëpi ka qenë epiqendër rrezatuese në idealet dhe për idealet e lirisë dhe, në të njëjtën kohë, promovuese e vlerave më të rëndësishme të popullit tonë në shpalosje edhe të identitetit para botës, por edhe në artikulim të fuqishëm të një projekti të madh që udhëhiqte Presidenti Rugova. Prandaj, e them se ka punuar 24 orë, në gjithë vitin, dhe në të gjitha këto vite dhe sot na mungojnë shumë nga njerëzit që kanë qenë dhe kanë kapërcyer në këto hapësira dhe gjithandej Kosovës, gjithkund.”

Një hapësirë e ngushtë me simbolikë të madhe

Po nga ish- Presidenti Sejdiu, mësojmë se : “ Kjo shtëpi, me këtë hapësirë të ngushtë, që tashmë është shndërruar në muze, është vetëm një pjesë e vogël, simbolike e punës së madhe që ka bërë, është një pjesë ku shohim edhe shumë fotografi të njerëzve që nuk janë në mesin e të gjallëve, që kanë shkrirë veten e tyre dhe janë sakrifikuar për lirinë e vendit. Sepse, pikërisht këtu fillon kthesa e madhe, natyrisht duke u mbështetur në një taban të rëndësishëm të lëvizjes së rezistencës për lirinë e vendit, të një rezistence që breza e breza të shumtë të Kosovës kanë dhënë veten e tyre”.

Rugova: “Kjo ishte shtëpi e lirisë dhe e demokracisë

“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, më 23 dhjetor 2002, në ditën e 13 vjetorit të Lidhjes Demokratike për Kosovë” e cila që nga fillimet e saj ishte më shumë se parti- lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, pasi që pikërisht në këtë shtëpi edhe ishte themeluar LDK-ja.

Zyra e Presidentit në dhomë të vogël

Përndryshe në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës “Dr. Ibrahim Rugova”, zakonisht së pari hyhet në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzën ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…
Ja kështu ishte historia e jonë më e re, nga një zyre e shtëpi e vogël ideoheshin dhe kaliteshin ideale dhe projekte të mëdha që kulmuan me kurorëzimin e kauzës së lirisë e pavarësisë.