Në praninë e qindra bashkatdhetarëve e miqve zviceranë në Wil, në një ceremoni inauguruese, përshkuar me një meshë e akademi për Nënën e madhe shqiptare me përmasa ndërkombëtare, foli dom Lush Gjergji, me prani edhe të ambasadores së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca.
Teksti e fotot Rexhep Rifati
Cyrih, 11 Qershor 2017
Zvicra tashmë nuk është vetëm vendbanim i rreth 300 mijë shqiptarëve, por edhei veprave artistike të figurave madhore shqiptare e me peshë sa kombëtare aq edhe humanitare e artistike, siç busti i Skënderbeut në Gjenevë, skulpturave të piktorit tonë Sislej Xhafa në Cyrih e Gjenevë e nga dje edhe shtatorja e Nënës Terezë në qytetin e Wilit, qytet ky ku ditë më parë nga shqiptarët u ngrit edhe njëra nga xhamitë më të mëdha në shtetin helvetik, si një shtet shumëkulturor që u mundëson të gjitha komuniteteve me prejardhje të huaj shprehjen e lirë identitetare, qoftë kombëtare, fetare apo racore.
Zbulimit solemn të bustit të Nënës Terezë në oborrin e kishës St.Peter Kirche në Wil, i parapriu një meshë me prani të madhe të bashkatdhetarëve e drejtuar nga Dom Lush Gjergji i shoqëruar nga udhëheqësi i misionit Katolik Shqiptar në Sirnach, dom Albert Demaj bashkë edhe me famullitarë zviceranë, të cilët edhe përgëzuan inaugurimin e shtatores në qytetin e tyre.
Në oborrin ku u inaugurua shtatorja, në emër Këshillit organizativ mbajti një fjalë dhe përshëndeti ekonomisti, Franklin Munishi , njëherësh edhe këshilltar i komunës së Qytetit të Wilit. Zbulimin e shtatores e bëri Dom Lush Gjergji. Ishte ky një moment shumë entuziast për të gjithë pranishmit, sepse edhe në shtetin helvetik, përherë të parë u ngrit një monument kushtuar Nënës Terezë, bustet e shtatores e së cilës pos në trojet shqiptare tashmë janë ngritë edhe në vende të tjera të Evropës dhe Amerikës. Përndryshe shtatorja në Wil është punuar dhe shkri në bronz nga firma zvicerane, “Le Passioni” ndërsa është financuar nga vet komuniteti ynë në këtë pjesë të Zvicrës.
Nga Këshilli organizativ u organizua edhe një akademi solemne kushtuare Nënës Terezë, ku morën pjesë qindra bashkatdhetarë nga anë të ndryshme të Zvicrës dhe shtetet fqinje si dhe miq zviceran, meqë rast nga Kori i Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach dhe Ansambli “Arbëresha” u shfaq një program përmbajtës përgatitur nergut për këtë rast nga motrat e misionit Klementina dhe Valdeta, e ku me disa pika të artistëve morën pjesë edhe tenorit Kastriot Tusha dhe violinistit Anton Kaftalli nga Shkodra, duke fuqizuar e dhënë peshë edhe më të madhe këtij evenimenti.
Me këtë rast për figurën madhore shumëdimensionale të Nënës Terezë foli biografi i saj, Dom Gjergj Lushi dhe një fjalë përshëndetëse e mbajti Ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca. Në këtë akademi u përmend se edhe ish- kryetarja e Zvicrës e ministre e punëve të Jashtme, zonja Kalmyre kishte dërguar një telegram përshëndetës si edhe kryetarja e qytetit të Wilit, Susan Hartman.
Ndërkaq piktori Arsim Berisha i dhuroi dom Albert Demajt një portrete në pëlhurë kushtuar Nënës Terezë. Në shenjë falënderim për dimensionin artistik që i dhanë kësaj kremteje inaugurues, artistëve nga Shqipëria Kastriot Tusha e Anton Kaftalli u dhurova librin tim për arritjet e shqiptarëve në Zvicër.
Në përfundim të akademisë për mysafirët, pronari i Restorantit El Buro në Wil, Manuel Ramaj shtroi një drekë falas.