Shqiptari i vitit 2019: „Analisti“!

Traditën e zgjedhjes së personit të vitit e ka shpikur javorja amerikane „Time“. Për herë të parë është shpallur dikush i tillë më 1927. Atë mot ajo e zgjodhi pilotin popullor amerikan Charles Lindbergh si personin e vitit. Ai e kishte realizuar fluturimin e parë pa ndërprerje nga New Yorku në Paris. Udhëtimin ai e quajti „Spirit of St. Louis“. Një thënie e tij poetike me këtë rast përmendet akoma: „Sikur të kisha mundur të zgjedh, më me qejf do të kisha fluturuar me zogj“.

„Time“ tanimë e ka shpallur personin e vitit 2019. Ajo është Greta Thunberg, aktivistja suedeze e klimës. 16 vjeçarja është bërë e njohur me „Grevat Shkollore për Klimën”, që janë shndërruar në lëvizjen globale me emrin „Fridays for Future“, të cilat synonin ta detyronin Suedinë t’i pëmbahej Konventës së Parisit. Ajo sivjet tërhoqi vëmendjen me kaptimin demonstrativ të Oqeanit Atlantik me anije për në samitin e klimës në New York.

S’ka asnjë dyshim se duam ta gjejmë kush ka spikatur këtë vit ndër shqiptarë. Dhe për këtë mbase duhen shqyrtuar ngjarjet e bujshme ku identifikohet më së miri dikush që ka shkëlqyer. Një ngjarje që e prodhoi ndonjë person, a e promovoi atë. Një dikënd që la gjurmë. Jo vetëm që i dha vulën një momenti me qenien e tij, por edhe që bëri diçka të dobishme.

Gjysmën e parë të këtij viti e tundën protestat e opozitës në Shqipëri. Ato që pasuan gjetjet e Zërit të Amerikës për manipulimin e zgjedhjeve lokale më 2016 dhe parlamentare më 2017 dhe përgjimet e „Bild“-it. Protesta i promovoi liderët Lulëzim Basha dhe Monika Kryemadhi si frymëzues për ndryshime. Por më tepër ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshi, i cili desh i mbyti në gaz edhe protestuesit edhe liderët. Në fund, as opozita ia doli ta rrëzojë qeverinë, as qeveria ta shtrojë opozitën.

Protestat i ndërpreu procesi i vlerësimit të vendeve kandidate për hapjen e negociatave me Unionin Evropian. Dhe ai paraqet një ngjarje më vete. Një gur kilometrik në maratonën e popujve të Ballkanit për integrim. Ky proces dështoi me sukses: Nga gjashtë kushte, Shqipërisë iu bënë nëntë! Ky moment nuk prodhoi asnjë hero… Për dallim nga një vit më parë, kur qeveria i shpalli negociatat të hapura dhe i dekoroi ambasadorët për kontributin e hapjes fiktive të negociatave!

Zgjedhjet mund të nxjerrin në skenë aktorë të rinj. E tillë ishte – për shembull – fitorja atëbotë e Ciprasit, i cili u ngjit në pushtet nga margjinat e spektrit politik. Zgjedhjet lokale me një parti e një çerek partie në Shqipëri, përveç erës së monizmit, sollën e pakta dy kryebashkiakë të kriminalizuar. Që nga Shkodra gjer në Vorë! U kandiduan pavarësisht ligjit të dekriminalizimit! Huji – thuhet – del me shpirtin. Disa madje mendojnë se një herë del shpirti, pastaj huji!

Një risi sollën megjithatë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Mbarëvajtja e votimeve atje i mrekulloi të gjithë. Numërimi i shumicës absolute të votave në një afat rekord ka qenë e denjë për çdo lavdërim. Këto zgjedhje prodhuan dy protagonistë dhe një antiprotagonist: Albin Kurtin e Vjosa Osmanin dhe Isa Mustafën. Por, një shije të hidhur la stërzgjatja e numërimit të pakicës absolute të votave. Dhe, ajo e formimit të qeverisë. Ndaj këtë vit s’do të ketë ndonjë mahnitje nga aktorët e rinj.

Maqedonia ngeli vendlindja e „bombave“. Një sërë përgjimesh telefonike kanë bërë xhiron e mediave në gjuhën shqipe. Të cilave pastaj iu kanë dhënë një dorë të mirë rrjetet sociale. Ato shpërfaqin lodhjen e partisë shqiptare në pushtet prej rreth njëzet vjetësh. Aty del katandisja e njerëzve të saj. Dhe e shoqërisë shqiptare atje. Dalin shtërzimet e Komandantit. Komandanti u rizgjodh sërish kryetar i partisë së vet. Komandantë ka, nuk ka heronj!

Kanë lënë gjurmë padyshim edhe Presidenti i Shqipërisë dhe Kryministri i Kosovës. Njëri ka hapur një sherr me përfaqësues të drejtësisë së re, të cilët i ka hedhur në gjyq, dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Kundërshtarë më të denjë nuk gjen! Finalja e këtij konflikti mbase do të jetë vitin e ardhshëm. Kurse i dyti i zuri keq të gjithë me dorëheqjen menjëherë pas ftesës për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale. Sepse, dorëheqjen nuk e ka në gjak fara e politikanëve shqiptarë.

Mini-Shengeni i Ballkanit është një ide e rrallë! Në fakt: Mini-Shengeni i Mini-Ballkanit! Mini-Shengeni i Mini-Ballkanit të tre liderëve më të gjatë të Evropës! Kritikët aty shohin reinkarnimin e Federatës Ballkanike të Titos me Shqipërinë si repuplikë të shatë të Jugosllavisë. Çka e denoncoi edhe vetë Enver Hoxha më pas. Ajo i ka zënë ngushtë edhe adhuruesit më të zjarrtë të Kryeministrit shqiptar: Ajo po e promovon Vuçiçin, i cili rishtazi i mohoi krimet serbe në Kosovë, dhe po e izolon Kosovën. Për dallim nga ideja e shkëmbimit të territoreve, kësaj nuk i qaset as Kryetari i Kosovës, të cilit kohëve të fundit „i kanë cofë morrat“.

Trazimet e mëdha sjellin në sipërfaqe shumë gjëra. Ngjarja më e rëndë e vitit ishte padyshim tërmeti i fundit që ra në Shqipëri. Bilanci i tij: 51 të vdekur dhe qindra të lënduar. Një shtet i tërë i zënë gafil! Pavarësisht paralajmërimeve! Shtëpi të rrënuara. Njerëz në gërmadha. Aty njëherë spikatën shpëtimtarë të dëshpëruar vendas duke gjurmuar frymët e gjalla në katet e shembura të strehave të tyre, të pajisur vetëm me solidaritetin njerëzor. Imazhet e këtyre shpëtimtarëve s’do të shlyhen kurrë.

Kështu derisa mbinë ekipet e shpëtimit nga pothuajse gjithënandej. Nga Italia, Zvicra, Romania, Serbia, Izraeli etj. Të parët u dukën megjithatë ekipet nga Kosova. Ata shkëlqyen sidomos me disiplinën, zellin, dhimshurinë, atdhetdashurinë. Dhe, me pajisjet. Me njerëzit dhe me qentë. Vetëm njëri qen i ekipit kosovar ka gjurmuar tetë veta të zënë nën rrënoja, të cilët më pas janë nxjerrë dhe shpëtuar të gjallë.

Pastaj vërshuan të gjithë në zonat e tërmetit. Për sevapë dhe për gallatë. Kryeopozitari, Kryeministri, inxhinierë, Kryeministri, ministra, hoxhë Elvis Naçi me Kryeministrin, Presidenti i Kosovës, inxhinierja Luljeta Bozdo me Kryeministrin, prapë Hoxha me Kryeministrin… Asnjëherë s’u duk prifti. Sepse i shkreti s’ka lekë, e Kryeministri socialist s’i qas ata pa lekë! Dhe, që nuk janë popullorë. Por, më të devotshmit ishin ata që s’u dukën: shqiptarët e thjeshtë, në vend e diasporë, me bujarinë e tyre.

Pastaj Kryetari i Qeverisë e mprehu shpatën edhe njëherë. Mu në kohën e tërmetit. Një portal u ndalua. Në bredhjet e tij nëpër zonat e tërmetit qentë filloi t’i quante „analistë“! Siç nuk ka guxuar asnjë politikan në Evropë. Dhe s’e kishte gabim, sepse këta e nuhatën prej vitesh mendësinë e tij problemtike. Këtu është dalluar sidomos Fatos Lubonja. Përfundimisht Kryeministri e kaloi ligjin antimedia, por ky s’e nderoi as në vend as në botë.

Këtë vit kanë spikatur edhe persona të tjerë jashtë botës së politikës. Shkrimtari Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër. Ai kërkon të tërheqë vëmendjen për presionet dhe kërcënimet me jetë që i bënin si drejtor i Institutit të Studmieve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Në të vërtetë, për pushtetin që ruajnë akoma njerëzit me sfondin më të errët të ish sistemit. Por, të gjithë po heshtin si fija e barit!

Si përfundim, nuk është vetëm e gjetur, as thjesht e bukur. Është e vërtetë. Kur e pyetën njëherë aktorin e Hollywoodit Robert Mitchum se kush ishte për të aktori më i mirë, ai e kishte përmendur atë qenin, i cili atëbotë bënte xhiron në filmat e Amerikës! Në shenjë proteste, shqiptari i vitit 2019 le të jetë „Analisti“ i ekipeve të shpëtimit të Kosovës! Qeni, nuhuritjet e të cilit sivjet shpëtuan tetë jetë njerëzish. Qeni, që e kapërceu qenien e tij.