Shqiptarët në Britani festuan 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

 

 Përmes një manifestimi virtual, përveç përfaqësuesve të të dy shteteve tona në Britani – znj. Arrita Gjakova e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës dhe znj. Mamica Toska, e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Shqipërisë – morën pjesë edhe shumë bashkatdhetarë tanë, prindër, të rinj, nxënës të shkollave shqipe të mësimit plotësues, dhe, si gjithmonë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.

 Nga Talat Pllana, Londër

Dje, më 17 shkurt 2021, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Forumi i Shoqatave Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Londër, organizuan një program kulturor e artistik. Në këtë manifestim virtual, përveç përfaqësuesve të të dy shteteve tona në Britani – znj. Arrita Gjakova e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës dhe znj. Mamica Toska, e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Shqipërisë – morën pjesë edhe shumë bashkatdhetarë tanë, prindër, të rinj, nxënës të shkollave shqipe të mësimit plotësues, dhe, si gjithmonë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryetari i Forumit të Shoqatave shqiptare dhe Bashkësisë “Faik Konica” në BM, z. Talat Pllana, i uroi të gjithë pjesëmarrësit në emër të të gjitha shoqatave në forum. “Ne jemi gjeneratë me fat se realizuam ëndrrat e një populli të tërë për liri, dhe kurorëzuam një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm për pavarësi.” – tha z. Pllana duke i kujtuar me këtë rast, tre dëshmorët e UÇK- së nga Londra që u flijuan në altarin e lirisë: Indrit Carën, Lutfi Musiqin dhe Liman Rekën. Z. Pllana poashtu foli edhe për sfidat e tanishme të diasporës, për rolin dhe kontributin e saj në përpjekjet për shtetndërtim dhe rimëkëmbje ekonomike dhe për pjesëmarrjen aktive në proceset shoqërore, politike e kulturore në vendet tona, në Kosovë e në Shqipëri.

Pjesëmarrësit i përshëndetën edhe përfaqësueset e ambasadave; z. Jon Harrison, udhëheqës i njësit “Delta” Komando në luftën e çlirimit të Kosovës; z. Rexhep Rifati,  gazetar shumëvjeçar, tani në Zvicër; z. Ragip Kqiku, mësues shumëvjeçar në Finlandë; profesori i shquar shqiptar në Universitetin e Birmingham-it; z. Gëzim Alpion, si dhe afaristë, profesionistë e personalitete të ndryshme nga mbarë komuniteti shqiptar në Britani të Madhe e nga mbarë Evropa.

Programin artistik e hapi violinisti i shquar, z. Visar Kuqi, me një interpretim brilant të himnit të Kosovës. Artisti i mirënjohur z. Sokol Cahani me poezi të zgjedhura të At Gjergj Fishtës mbushi me plotë emocione zemrat e pjesëmarrësve. Më pastaj , Vjollca Robelli Mripa, artiste e mirënjohur nga Kosova që jeton dhe vepron në Londër, interpretoi këngë të Nexhmije Pagarushes .

Në këtë program virtual artistik përformuan nxënës të shoqatave dhe shkollave të ndryshme me pikat programore të përmbledhura më poshtë. Ishin ata, me vallet a tyre, këngët, recitimet dhe performanca të shkëlqyera që i magjepsën të gjithë pjesëmarrësit në këtë ditë të madhërishme për të gjithë kombin. Programin e mbylli znj. Zamira Rruspi me mirënjohjen për kryesin e Forumit të Shoqatave shqiptare e në veçanti për kryetarin z.Talat Pllanën dhe Esat Braqën i cili ka udhëheqë me programin për tëre kohën dhe ka bërë incizimet në tersi në përgatitjen e Programit për 13vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Mirënjohje të thellë shprehi për të gjithë të pranishmit, e veçanërisht të rinjt dhe nxënësit tanë për entuziazmin dhe përkushtimin e tyre.

Programi Artistik : Interpretim nga violinisti i shquar Visar Kuqi, Artisti i mirënjohur z. Sokol Cahani me interpretimin e tij të vjershave të zgjedhura nga At Gjergj Fishta, Vjollca Robelli Mripa, – interpretoi këngët e Nexhmije Pagarushes: Kur me del në derë dhe O moj bukuroshe, përcjell me Piano – Chris Prior , Cajon, guitar – Drini, Camera and editing – Noli

Bashkësia Shqiptare “ Faik Konica “ ne Mbretërinë e Bashkuar – programi i nxënësve të Shkollës Shqipe ” Kosova” me vjershë, këngë dhe valle , Shoqata “ Nënë Tereza” nën kujdeshjen e kryetarit dhe veprimtarit të shquar z. Esat Braçe, me vjershë këngë dhe valle.

(Redaksia e portalit prointegra.ch, falënderon organizuesit e këtij manifestimi virtual që i bën ftesë për pjesëmarrje edhe gazetarit e redaktorit tonë, Rexhep Rifati )