Shqipëria, me gjithë mangësitë, tërheq shqiptarë dhe të huaj

Brenda një javë si ekip i portalit prointegra të Zvicrës, vizituam mbi 20 lokalitete të ndryshme, si dhe shumë monumente kulturore- historike apo turistike, në katër anët Shqipërisë, duke u bindur se për një vizitë të tillë nuk mjafton as një muaj i plotë

 Teksti dhe fotot Rexhep Rifati

Gjatë vizitës njëjavore, ekipi i portalit prointegra.ch nga Zvicra, vizitoj rreth 20 qytete dhe lokalitete të ndryshme të Shqipërisë, pa arritur të përmbushë qëllimet dhe dëshirën: për të parë e vizituar edhe vendbanime të tjera të njohura, të këtij vendi të rrethuar me shumë monumente historike dhe bukuri të të rralla natyrore.

Ekipi prej tre vetash, në përbërje prej Osman Osmani, Skënder Hajdarit dhe meje , që mirëmbajmë këtë portal, po kurrfarë donacionesh e mbulesash financiare, gjatë kësaj vizite si qëllim pati të vizitojë qendrat e njohura historike, kulturore dhe turistike dhe të shkruajë dhe të fotografojë at që është e mundur brenda një jave. Ndërsa, që për të vizituar Shqipërinë, mesa pamë kësaj radhe, nuk mjafton as një muaj apo edhe një vit.

Sidoqoftë një vizitë, qoftë edhe kalimthi, na mundësoi të shohim nga afër disa nga resurset më të bukura që ka Shqipëria, ndërsa që ngelem në borxh edhe për një vizitë tjetër të kësaj natyre, por me më shumë ditë qëndrimi, varësisht nëse na premton koha dhe lejojnë kushtet,

Pamje që mahnitin

Pasi, ngado që ta vizitosh Shqipërinë, nga veriu apo jugu, lindja apo perëndimi syri të kap pamje mahnitëse: sa male e vargmale, apo sa bregdete e dete. Thënë thjeshtë ultësira e lartësira, që joshin vizitor shqiptarë e të huaj.

Ndaj edhe gjatë ditëve të ardhshme në portalin tonë, herë pas here do të shfletojmë pamje nga ato që fiksuam me fotoobjektivët tanë, sa për tu ofruar lexuesve disa nga përshtypjet tona nga kjo vizitë. E vërteta është se ne planifikonim një qëndrim dhjetëditor për të “mbuluar” sado pak qytetet dhe vendbanimet më të rëndësishme si në aspektin historik ashtu edhe atë aktual. Por që për shkaqe objektive këtë udhëtim u detyruam ta shkurtojmë në shtatë ditë, pa arritur të vizitojmë qytetet e Bajram Curritt, Beratit, të Krujës, Peshkopisë e të tjera.

Përndryshe dita e parë në Shqipëri, më 7 korrik përmes liqenit të Fierzës deri tek hidrocentrali i Komanit ishte mahnitës. Gjithashtu edhe qëndrimi dyditorë në Shkodër, qytet ky që është i njohur si “kryeqyteti i veriut”, pasi që Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Të vizitosh Shkodrën e të mos vizitosh kalanë e Rozafës apo Urën e Mesit e muze të kë këtij qyteti sikur nuk shkon, ndaj edhe në shënjestër të objektivave tonë patëm pikërisht këto monumente të lashtësisë dhe të së sotmes shqiptare.

Shkodra më shumë se vatër kulture

Përmes një guide mësojmë se: një nga pikat kryesore të qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit.

Ndërsa që në Shkodër vizituam edhe Muzeun Historik, Fototekën Marubi si dhe disa lagjet me arkitekturë karakteristike të qytetit që shtrihen shtrihet buzë liqenit të Shkodrës, me pikat e Shirokës dhe Zogajt.

Edhe qëndrimi ynë në për dy ditë në qytetin e Durrësit na dha mundësinë që të vizitojmë portin më të madh të Shqipërisë, me një histori mbi 3 mijë vjeçare. Me këtë rast krahas plazheve përplot vizitorë nga vendi dhe jashtë vizituam edhe Amfiteatrin, , që siç mësuam është i dyti në gjithë Ballkanin për nga madhësia si dhe Muzeun Arkeologjik.

Në shtëpinë e gjeniut Aleksandër Moisi

Për pak çaste vizituam edhe Teatrin e Qytetit “Aleksandër Moisiou”, meqë rast drejtorit të tij ia dhuruam librin “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje”, pasi që aktori ynë i përmasave botërore është pjesë e këtij libri dhe gjithashtu është i varrosur në qytetin e Luganos. Po ashtu vizituam edhe shtëpinë muze të këtij kolosi të skenës teatrore, që në një masë shërben edhe si muze etnografik.

Më pas në një vizitë kalimthi bëmë edhe në Vlorë, pasi që këtë qytet si ekip i po këtij portali nga Zvicra e kemi vizituar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Do theksuar se Vlora është porti i dytë i vendit si dhe një prej rajoneve më të rëndësishme turistike të tij. Prej saj ju mund të ndërmerrni udhëtime të cilat do t’ju zbulojnë objekte interesante. Në veri të qytetit të Vlorës ndodhet laguna e Nartës, e cila është laguna e dytë për nga madhësia në Shqipëri.

Apolonia të kthen në antikë!

Pak sa më gjatë një vizitë i bëmë qytetit antik Apolonia, që në periudhën e kulmit të saj kishte rreth 60,000 banorë. Apolonia jetoi për 11 shekuj midis viteve 620 pk dhe 479 ishte një qytet-shtet, duke pasur edhe një zhvillimi të madh kulturor. Sipas burimeve të këtushme konfirmohet ekzistenca e tij që nga shekulli i I-rë p.e.s., Perandori i Parë Romak Augustus studio në Apoloni (ai ndodhej aty kur mori lajmin mbi vrasjen e Cezarit). Gjithashtu qyteti përmendet prej Ciceronit në veprën e tij Philippics si magna urbs et gravis, që do të thotë një qytet i madh dhe i rëndësishëm.

Ndërsa ajo që pamë ishte se edhe nga jashtë edhe nga brenda muzeut arkeologjikë të Apolonisë ke çka të pashë, jo vetëm shtylla të akropoleve e të teatrove të vjetra, por edhe shumë artefakte në brendi të muzeut. E rëndësishme gjithashtu është se brenda muzeut ndodhet edhe dhoma ku ka jetuar dhe punuar shkrimtari i madh shqiptar, Jakov Xoxa, ku ruhen edhe shumë dokumente dhe mjetet e tij të punës përfshi edhe makina e shkrimit me të cilat u shkruan dhjetëra vepra nga Xoxa.

Saranda, Butrinti e Gjirokastra, resurse sa historike aq edhe turistike

Pikëtakimi të vizitës sonë në jug të Shqipërisë ishin sidomos, Saranda, Butrinti dhe Gjirokastra. Vet qyteti i Sarandës, që njihet edhe si “porta detare jugore e Shqipërisë”, pos që gëzon një pozitë të favorshme përballë ishullit grek të Korfuzit, përreth saj gjenden disa nga resurset më të rëndësishme turistike të Shqipërisë. Sidomos, Qyteti antik i Butrintit, që shtrihet në jug të liqenit të Butrintit, rreth 18 km nga Saranda, që prej vitit 1992 ndodhet në listën e UNESCO-s paraqet një nga pikat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore e historike. Ndaj edhe me rastin e vizitës sonë në Butrint takuam edhe shumë turist të huaj qoftë nga Evropa apo edhe nga Kanadaja e Amerika.

Edhe pika natyrore e burimeve të Syrit të Kaltërnë rrugëtim për Gjirokastër ishte pikë e preferuar e vizitës sonë, si edhe e shumë turistëve të huaj që takuam aty, sidomos të një grupi të madh turistësh nga Bullgaria. Edhe Gjirokastra, që gjendet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që prej vitit 2006, gjatë këtij korriku ishte relativisht e vizituar sidomos muzetë e këtushme siç janë Muzeu i Armëve, që gjendet në kala, Muzeun Etnografik, që gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha, si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit të njohur në Evropë, Ismail Kadare, por që gjatë vizitës sonë ishte në meremetim e sipër.

Përmeti, ky qytet i bilbilit të shqipes dhe trëndafilave

Në rrugëtim e sipër nga qyteti i Tepelenës, cak udhëtimi kishim Përmetin, Korçën e Pogradecin. Përkundër dëshirës që në këtë rrugëtim tejet interesant përgjatë lumenjve e vargmaleve të larta, nuk arritëm ta vizitojmë edhe fshatin e vëllezërve Frashër, pasi për të arritur atje duhej një veturë e tipit xhip. Ndaj edhe si “kompromis”, përzgjodhëm Përmetin. Për të arritur deri tek ky qytet kaluam relacionin: Lugina e Vjosës – Këlcyrë – Përmet. Përndryshe, Përmeti, njihet edhe si qyteti i luleve, trëndafilave… Ndërsa që u njohëm me bukuritë e luginës së lumit Vjosa, ku bie në sy gryka e ngushtë e Këlcyrës.

Elbasani e Tirana, qytete midis antikitetit e modernes

Në kthim e sipër më 14 korrik morëm rrugëtimin drejt zemrës së Shqipërisë, parmes Elbasanit për Tiranë. Siç thuhet këtu: “ zemra e Shqipërisë, kryeqyteti Tirana, si gjithë metropolet e tjera evropiane, ka energji dhe lëvizje të pashtershme”. Paraprakisht vizituam Qytetin e Elbasanit, që gjendet në juglindje të Tiranës, i njohur në antikitet me emrin Skampa, si një stacion i rëndësishëm i rrugës antike “Egnatia”. Objektet kryesore të qytetit janë muret e kalasë së Skampës, kisha e Shën Marisë brenda këtyre mureve, Muzeu Etnografik, hamami, xhamia e Nazireshës etj. Ndërsa që njëri nga monumentet që spikat me krenari është edhe shtatorja e rilindësit të mirënjohur Konstantin Kristoforidhi.

Ndaj edhe përkundër dëshirës nuk mund të themi se e pamë e vizituam Tiranën në “formacion” të plotë, sepse sot duhet bërë ditë të tëra për të vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, me gjitha resurset e mëdha qofshin ato historike apo aktuale ekonomike, kulturore e turistike. Pasi, Tirana sot me gjithë mangësitë si edhe vet Shqipëria, është e bukur dhe ia vlen për t’u “zbuluar” dhe shijuar, si ditën ashtu edhe natën.

Ndërkohë ne patëm aq kohë sa për të vizituar disa nga monumentet kryesore të kryeqytetit shqiptar dhe të bëjmë një shëtitje të këndshme përgjatë Sheshit Skënderbe deri tek Universiteti i Tiranës, një ndërlidhëse midis së kaluarës historike dhe të sotmes së ndritshme.

Nga përshtypja e parë prej një vizitori, del sikur qytete e zemrës së Shqipërisë: Elbasani e Tirana, paraqesin dy qytete që qëndrojnë në një hark midis periudhës së antikitetit dhe modernes, si për kah arkitektura ashtu edhe pretendimet e qytetarëve të tyre.

Krejt në fund edhe një përshtypje nga kjo vizitës , me konstatimin se: Shqipëria, me gjithë mangësitë, tërheq shqiptarë dhe të huaj