SHPRESAT NË HORIZONTIN HELVETIK

Edhe në Zvicër sot më 12 mars është theksuar se ngritja e numrit të të infektuarve në vend, veçmas e atyre me variantet e reja të Covid 19, është paralajmërim se ardhja e valës së tretë nuk është larg.

 Nga Mirishahe Limani Hilari

– Megjithatë Këshilli Federal në mbledhjen e radhës prezantoi planin e tij për fazën e dytë të lehtësimit të masave përkufizuese kundër Covid19. Tarracat e restoranteve mund të rihapen nga 22 mars, nëse lejon situata sanitare. Do të jetë gjithashtu e mundur të marrësh pjesë në ngjarje të vogla sportive ose kulturore. Mund të jemi bashkë deri në 10 persona brenda për takime private.

Sigurisht se kjo rihapje mund të ndodhë vetëm nëse nuk ka ngritje të numrit të të infektuarve në vend dhe sipas të gjitha shenjave të dhëna nga shtetet fqinje, lehtësimi i masave parandaluese kundër Covid19 në Zvicër i ngjanë më shumë shpresave në horizont: vija imagjinare që përkufizon pamjen mes tokës dhe qiellit para nesh, e që sa më shumë i ofrohemi, ajo largohet.