Shoqata “Bashkimi” nga Ushteri kulmoi edhe në Gossau ZH

Edhe në këtë fund javë platforma jonë : prointegra.ch ju njeh me një grup artistik, gjegjësisht Shoqatë Kulturore Shqiptare “Bashkimi” nga Usteri (Ushteri) i kantonit të Cyrihut në ZVicër, që ka mbi çerek shekulli veprimtari, shquhet me një gamë të gjere aktivitetesh, veçmas në sferën e kulturës, me programe tejet cilësore, duke dëshmuar se kur veprohet përmes një kryesie kompakte, se edhe rezultatet nuk mungojnë.- Kjo u pa edhe gjatë një manifestimi më 25 shtator 2021, të organizuar në Gossau ZH,  me rastin e promovimit të prodhimeve të firmës së deputetit të kantonit të Cyrihut Daniel Wäfler me menaxheri, Zija Shabanin.

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Sa i përket programeve qe ka shfaqë deri më tash “Bashkimi”, me to ka tërheq një pjesë të mirë të mërgimtarëve të kësaj ane që janë me prejardhje nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe të publikut artdashës zviceran.  Krahas grupit të këngëve e valleve, të dy grupmoshave, “Bashkimi” shquhen me programe solide artistike.

Kryetari i shoqatës, “Bashkimi, Guxim Alushi, me prejardhje nga Struga, në manifestimin e mbajtur në Gossau, na deklaroi se pandemia ka penguar deri më tash thuaja se çdo aktivitet “Bashkimit” porse me lehtësimin e situatës tash kanë filluar provat. Porse interesimi është aq i madh nga radhët e fëmijëve sa është vështirë për ti përmbushë të gjitha kërkesat.

Ndërsa nga një bisedë e mëparshme po ky bashkëbisedues na pat deklaruar se meritën për programet e organizuara, i ka sidomos grupi i koreografeve, në përbërje Leonora Sakipi, Fatlume Salija, Diellza Alishani dhe Edonjeta Alija.

Sa i përket historikut të Shoqatës “Bashkimi”, ajo u themelua qysh në vitin 1993 dhe në fillim zhvilloi një veprimtari shumë të organizuar humanitare: atë për dërgimin e veshmbathjeve dhe artikujve të tjerë për familjet refugjate të Kosovës në Shqipëri.
Më 17 Shkurt 2019 , pata rastin ta ndjek nga afër një nga programet e “Bashkimit”, kur edhe doli në skenë para qindra mërgimtarëve në sallën e Teatrit të Ushterit me një program tejet të pasur artistik. Vetë numri i dy grupmoshave ishte një dëshmi se në këtë lokalitet jo vetëm që jeton një komunitet i madh shqiptar, por edhe tejet i organizuar e aktiv, sidomos në ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë sonë kulturore. Me atë rast, anëtaret e shoqatës “Bashkimi” defiluan në skenë me një tufë këngësh e vallesh, ku spikati grupi i fëmijëve që i dha hijeshi e freski manifestimit, duke ngjallë emocione te të pranishmit, sidomos duke tërheq vëmendjen e moshatarëve të tyre .

Përndryshe shoqata për kah numri i anëtarëve është ndër më masivet në Zvicër me një kryesi prej 15 anëtarësh. Gjithashtu ka një bashkëpunim të mirë me mjaft shoqata simotra. Po ashtu është shqua edhe për organizimin e mirë të disa manifestimeve, ndër to edhe një program i përbashkët me Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, që e ftoi si mysafir e gjithashtu edhe një panair libri me autorë nga trojet etnike e mërgata.

Kësaj radhe do të japim fotot që shkrepa gjatë manifestimit në Gossau, që shoqata “Bashkimi” tërhoqi interesimin edhe të miqve zviceran.