Shoqata ”Atdheu” nga Thuni kremtoi 6- vjetorin e Pavarësisë

Një nga shoqatat më aktive kulturore në kantonin e Bernës, pa dyshim është Shoqata Shqiptare  ”Atdheu” në Thun ( Tun), e cila vazhdimisht kultivon vlera të mirëfillta artistike, ndonëse shumica e anëtareve të saj janë kryesisht nxënës në shkolla fillore apo të mesme. Ajo duke pasur një kryesi tejet aktive, arriti që rreth vetës të tubojë fëmijë dhe të ri të talentuar, të cilët veçmas pasuruan programet festive me rastin e kremteve kombëtare, të cilat përcillen nga një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh me prejardhje nga trojet tona etnike.

Ngjashëm ishte edhe më 15 shkurt të këtij viti, kur kjo shoqatë organizoi një manifestim rasti kushtuar 6- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Shoqata ‘‘Atdheu‘‘ përmes një programi të shfaqur nga anëtarët e saj krijoi një atmosferë festive për disa qindra bashkatdhetarë të tubuar me këtë rast. Në manifestim merrte pjesë edhe zëvendës-ambasadori i Maqedonisë, Ekrem Hebibi, ndërsa që një fjalë rasti e mbajti, kryetari i shoqatës, Xhemshir Zenuni, i cili edhe përshëndeti të pranishmit. Programi vazhdoi me muzikë,  këngë e valle, në shoqërim të këngëtarëve Besnik Berisha, Silvana Dollapi dhe solisti i Fitim Latifi. (R. R)