Të dielën me 6 mars në lokalitetin Mönchaltorf, Shoqata Kulturore Shqiptare “Atdheu” shënoi pesëvjetorin e themelimit të saj. Në këtë kuadër u shënua edhe Dita e Mësuesit dhe Dita e Gruas. Me këtë rast zonja Shukrije Ramadani, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, foli edhe për rrugëtimin jetësor të hero Agim Ramadanit deri në rënien e tij në altarin e lirisë
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Kryetari i shoqatës “Atdheu”, Bajram Kllokoqi, një veprimtar i palodhshëm prej vitesh në Zvicër, e paraqiti një raport për aktivitetin e kësaj shoqate, duke theksuar se aktualisht komuna ku gjendet ajo numëron mbi 4 mijë banorë dhe se në te ka 23 familje shqiptare 120 banorë, të ardhur nga trojet e ndryshme shqiptare.
Pikësynimi i shoqatës “Atdheu” sipas Kllokoqit është që të iu tregohet vendaseve se shqiptarët kanë një traditë të gjatë trashëgimie kulturore, por edhe afinitet për tu inkuadruar në rrjedhat zhvillimore e integruese në vendin ku jetojnë. Krahas kësaj synim i shoqatës është që edhe fëmijëve tanë tu flasim për përkatësinë e tyre kombëtare dhe begatinë kulturore e traditat që bartë komuniteti kudo që shkon. Sipas kryetarit të saj shoqata është e regjistruar në komunë. Të drejtat e saj janë si edhe të çdo shoqate vendase. Shoqata është gjithashtu pjesëmarrëse në aktivitetet të ndryshme kulturore në kuadër të komunës ku jeton dhe vepron.
Në kuadër të këtij përvjetori, u shfaq edhe filmi “Shok” si dhe foto-kolazhi “Udhëtim nëpër trojet shqiptare”, si dhe u bë edhe regjistrimi anëtarëve të ri të kësaj shoqate. Ndërsa për anëtar nderi të kësaj shoqate u shpallën zonja Shukrije Ramadani dhe autori i këtij teksti (Rexhep Rifati).
Me këtë rast Shukrije Ramadani foli për rrugëtimin e hero agim Ramadani, që nga organizimet e tij të para në Cyrih, themelimin e Qendrës së Kulturës, ku Agimi ishte edhe kryetar i parë i saj si dhe për shkuarjen e tij në luftë deri në rënien e tij në altarin e lirisë. Ishte vërtetë ky një rrëfim i prekshëm e me shumë të dhëna konkrete, por edhe moment krenarie se si luftohet e vdiqët për atdhe.
Më pastaj vogëlushët për nënat dhe gratë tjera të pranishme ndanë buqete lulesh, për të vazhduar pastaj të me një drekë të përbashkët. Kësaj radhe kryesisht në përgatitje të burrave, ngase gratë për shkak të festës së tyre dy ditë më vonë, ishin liruar nga ky obligim.
Pasditja e këtij manifestimi u kalua me muzikë dhe vallëzime, duke krijuar kështu një atmosferë më se familjare, ngjashëm si edhe në vendlindje.