SHKSHZ nxori numrin e parë të revistës elektronike, HIADA   

Numri i parë i kësaj reviste letrare artistike, paraqet një risi në vete, pasi është e para e këtij lloji që botohet nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, në kuadër të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit e ku jepen punime, por edhe vështrime nga fusha të ndryshme arti, që sipas redaksisë synimin parësor ka:” prezantimin dhe përurimin e vlerave tona kulturore, artistike e shpirtërore”.

Nga Rexhep Rifati

Që në fillim të revistës jepet një njoftim si cili është vet subjekti i këtij aktiviteti: SHKSHZ është subjekt kulturor, që angazhohet të përfaqësoj interesat e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Ajo gjithashtu angazhohet me gjitha kapacitetet e saj për t’u shërbyer të gjithë krijuesve të të gjitha profileve me synim të prezantimit, afirmimit si dhe shkëmbimit të vlerave kulturore me popujt vendas. Shoqata bën prezantimin e autorëve të saj dhe të krijimtarisë së tyre. Aktiviteti i saj përqendrohet në organizimin e përgjithshëm të jetës kulturore në Zvicër, përmes takimeve të ndryshme artistike, konkurseve të kategorive të ndryshme krijuese etj.

Ndërsa sa i përket numrit të parë nga «Hiada» e parë…, shkëputëm një fragment nga hyrja:

Nuk dimë të ketë një rast më të mirë reflektimi, por edhe përulje, nderimi e përkujtimi njëkohësisht, për të gjithë ata që i kanë paraprirë dhe i kanë dhënë kahen e duhur historisë sonë duke krijuar momente kaq të veçanta, sikurse është 28 Nëntori. Dhe nuk e zgjodhëm rastësisht këtë festë të madhe, që numrin e parë të revistës sonë periodike «Hiada» ta shpalosim për ju, pikërisht në këtë datë të shënuar.

E ideuar nga këshilli redaktorial i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, si revistë elektronike, ekskluzivisht për art dhe kulturë, apolitike dhe afetare, ajo nuk vjen vetëm si synim i përmbushjes së një aspirate të hershme apo një premtimi a zotimi «elektoral», gjatë shpalosjes së projeksioneve dhe vizionit tonë programor në fillim të këtij viti, sa me synimin parësor, prezantimin dhe përurimin e vlerave tona kulturore, artistike e shpirtërore.

Një telegram përurimi nga Ambasadori i Shqipërisë Ilir Gjoni, e më tej pasojnë poezi të autorëve tanë që nga periudha e Rilindjes e këndej si dhe një vështrim nga pianistja jonë e njohur Ermira Lefort për Oprën e Skënderbeut, si dhe një shkrim i Ilir Xheadinit për Donika Kastriotin, një shkrim tjetër që tërheq vëmendjen është edhe ai i fotografit Rromir Imami “Një rrugëtim 40 ditësh me Fadilin”, fjala është për fotografin tonë të famshëm Fadil Berisha.

Më pastaj revista sjell edhe ballinat e librave më të ri si dhe një foto shënim për katundin atraktiv arbëresh Qivita e që në fakt emri i tij në shqip siç e njohin edhe vet arbëreshët është Çifti. Me rastin e kalimi në amshim të poetit Sami Sherifi nga një sulm kardiak në Shkup,  ish kryetar i Klubin Letrar “ABC-ja Poetike”, jepet një shkrim nga Shqipe Bytyqi në nderim të këtij krijuesi i cili për një kohë ka punuar dhe vepruar edhe në Zvicër.

Redaksia e këtij numri ishte në përbërje : Bujar Salihu, Shqipe Bytyqi, Ilir Xheladini, Ermira Lefort; lektor Sami Durmishi dhe design XHAD studio